LAJMI I FUNDIT:

Hajdari: Mini-Shengeni ballkanik një ‘kurth’ për Kosovën

Hajdari: Mini-Shengeni ballkanik një ‘kurth’ për Kosovën

Ideja për futjen e Kosovës në Mini-Shengenin ballkanik që del edhe nga marrëveshja e Uashingtonit, është një “kurth” dhe propagandë e liderëve të ndryshëm që prekin interesat e tyre politike.

Këto cilësime sot i ka bërë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari derisa ka arsyetuar Projektligjin për Tregtinë me Jashtë.

Ministrja Hajdari duke iu përgjigjur kryetarit të Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, tha se ky projektligj është harmonizuar për procesin e Berlinit dhe s’ka të bëjë asgjë me Mini-Shengenin.

“Mini-Shengeni është vetëm një ‘kurth’ dhe një filozofi, propagandë e liderëve të ndryshëm që prekin interesat e tyre politike dhe shtyjnë agjendat të cilat nuk janë në interes të shteteve si frymë rajonale të shkojnë në integrim në Evropë. Mini-Shengeni nuk është në favor për Kosovën. Prandaj, ky ligj nuk ka asgjë në lidhje me Mini-Shengenin, por është në proces të Berlinit, me MSA, dhe me parimet bazë të OBT-së që janë reciprociteti, mos diskriminimi, transparenca dhe po ashtu favorizimi vendit”, theksoi Hajdari.

Ndërsa, Projektligji për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme është kritikuar nga opozita, e cila pati vërejtje dhe kritika, ani pse nuk u arrit të votohet në parim në Komisionin për Ekonomi për mungesë të kuorumit.

Këtë projektligj e ka arsyetuar në komision ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila theksoi se miratimi i këtij ligji ka pritur qe një dekadë për rregullimin e tregut të derivateve, mbrojtjen e konsumatorit dhe eliminim e interesave të ngushta.

“Si ministri kemi adresuar mangësitë e përcjella ndër vite dhe kemi përgatitur një draft që synon të rregullojë tregun e naftës, duke përkrahur operatorët dhe qytetarët. sektori i naftës është i rëndësishëm, jo vetëm për zhvillim ekonomik, por për sundimin e ligjit, për mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e mjedisit, konkurrencës si dhe për integrimin evropian në përgjithësi. Po ashtu me këtë projektligj procedurat e lejeve janë thjeshtuar. Kohëzgjatja e lejeve është rritur nga 2 në 6 vjet. Ligji i ri siguron mekanizmat e duhur për të zbatimin e kushteve ligjore dhe për të siguruar cilësi e naftës para hyrjes në treg”, theksoi Hajdari.

Kryetari i Komisionit, Ferat Shala tha se fatkeqësisht projektligji ka të meta të veçanta, sidomos për kontrollin e cilësisë së naftës dhe të mbikëqyrjes.

Derisa Shala u shpreh i habitur përse ky projektligj është harmonizuar nga drafti i ministrave të qeverive të kaluara.

“Mendoj që do të duhej ndërruar qasja, sepse ka hapësirë të madhe manipuluese, korruptive. Po ashtu ka hapësirë të madhe edhe për mos kontrollin e cilësisë. ka anashkalim të jashtëzakonshëm të institucionit kredibil, të doganës, ku janë bërë investime miliona euro në laboratorin e doganës, dhe sot të anashkalohet me ligj kontrolli në doganë nuk është praktikë e mirë, nuk është tendencë dhe qëllim i mirë”, theksoi Shala.

Deputeti nga AAK Pal Lekaj duke folur për projektligjin e karburanteve, tha se është bërë për individ të caktuar e jo për interes të përgjithshëm.

“Është mirë që ne të kemi ligje dhe të jenë në shërbim të qytetarëve, dhe jo të individëve të caktuar. Ligjet nuk bëhen as për ministren, as për qeverinë, por nevojitet që të kemi ligj që e rrisin vlerën e një fushe të caktuar. Kur jemi tek kohëzgjatja e lejeve, unë kam një mendim ndryshe. Vetëm tek ne ndoshta e përkufizojmë zgjatjen apo e sanksion për 2, 5 dhe 6 vite”, theksoi Lekaj.

Komisioni pritet që nesër të miratojë në parim Projektligjin për Naftën dhe atë për tregti me jashtë, pasi sot nuk pati kuorum për votim. /KP/