eksperti-banner

Franca përballet me Norvegjinë në një ndeshje vendimtare për vendin e parë në grup, por këtë herë në stol nuk do të jetë Didier Deschamps.

Trajneri francez mungon për shkak të një fatkeqësie familjare, pasi ka humbur nënën e tij. Në vend të tij, skuadrën do ta drejtojë asistenti i tij besnik, Guy Stephan.


Prej vitit 2012, Guy Stephan është krahu i djathtë i Deschamps te kombëtarja e Francës. Ai konsiderohet si një nga figurat më të rëndësishme të prapaskenës së suksesit të “Les Bleus”.

Në moshën 69-vjeçare, Stephan ka një përvojë të jashtëzakonshme në futbollin ndërkombëtar, duke marrë pjesë në dhjetë turne të mëdhenj. Para Francës, ai ka punuar edhe si trajner i Senegalit dhe në klube të ndryshme në Francë.

Videoja virale në avion

Gjatë udhëtimit drejt Bostonit pas fitores ndaj Irakut, një video e tij në avion, ku diskutonte taktikat me Kylian Mbappé dhe Michael Olise, u bë virale në rrjetet sociale.

Ai shihet shpesh duke analizuar detajet e lojës edhe në momente joformale, një shenjë e qartë e rolit të tij të rëndësishëm në përgatitjen taktike të ekipit.


Një karrierë e ndërtuar në hije dhe lidhja me Deschamps

Stéphan njihet si një figurë e qetë dhe diskrete, por me ndikim të madh në prapaskenë. Ai është përgjegjës për ndërtimin e seancave stërvitore dhe për analizën taktike të kundërshtarëve.

Pavarësisht profilit të ulët publik, brenda ekipit ai gëzon respekt të madh nga lojtarët dhe stafi.

Bashkëpunimi i tij me Deschamps ka nisur prej kohësh, duke kaluar nga Marseille te kombëtarja franceze. Së bashku, ata kanë qenë pjesë e disa prej sukseseve më të mëdha të futbollit francez në dekadën e fundit.

Stéphan përfaqëson vazhdimësinë dhe stabilitetin në momentet kur Deschamps mungon.

Një ndeshje e rëndësishme për Francën

Ndeshja kundër Norvegjisë do të vendosë për kreun e grupit, ndërsa Franca kërkon të vazhdojë rrugëtimin e saj të fortë në Kupën e Botës.

Në këtë sfidë, vëmendja do të jetë te Guy Stéphan – njeriu që zakonisht qëndron në hije, por këtë herë do të jetë në qendër të bankinës franceze. /Telegrafi/

telegrafi sport app