Nigeria e ka mposhtur Egjiptin (1-0) në ndeshjen e parë të fazës grupore në kuadër të Kupës së Kombeve të Afrikës.

Në sfidën e vlefshme për Grupin D që u zhvillua të martën ishte ylli i Leicester Cityt, Kelechi Iheanacho, që e shënoi golin me vlerën tri pikë.

Realizimi i nigerianit erdhi pas gjysmë ore lojë dhe në këtë mënyrë e ndihmoi përfaqësuesen e tij që të udhëheqë në grup.

Për më shumë, ky nuk ishte një gol dosido, por një gol spektakolar, pasi atij i mjaftoi një prekje për ta ndalur topin brenda zonës dhe një tjetër për ta mposhtur portierin Mohammed El Shenawy.

Reklama

Në anën tjetër, kjo ishte një ditë e vështirë për anësorin e Liverpoolit, Mohamed Salah, i cili ishte i izoluar në sulmin e Egjiptit.

Reklama

Deri në pjesën e dytë ai nuk kishte realizuar ndonjë prekje të rëndësishme, megjithatë edhe shansi i vetëm që pati në fraksionin e dytë u mohua për shkak të pozitës jashtë loje.

(Foto: The Athletic)

Në total, Egjipti regjistroi vetëm katër goditje drejt portës, kundrejt 15 të Nigerisë, nga të cilat dy sosh ishin brenda kuadratit.

Në raundin e dytë të Grupit D, Nigeria do të përballet me Sudanin, kurse Egjipti luan përballë Guinea-Bissau. /Telegrafi/