Goditje e rëndë për Marokun: Dy yje lëndohen dhe mbeten jashtë Kupës së Botës 2026


Kombëtarja e Marokut ka pësuar një goditje të madhe vetëm pak ditë para nisjes së aventurës në Kupën e Botës 2026, pasi dy prej lojtarëve të saj më të rëndësishëm, Ez Abde (Abdessamad Ezzalzouli) dhe Nayef Aguerd, janë detyruar të tërhiqen nga turneu për shkak të lëndimeve.
FIFA ka miratuar tashmë zëvendësimet e tyre në listën zyrtare të “Luanëve të Atlasit”.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe konfirmimit të FIFA-s, në vend të dy futbollistëve të dëmtuar janë ftuar Marwane Saadane, mbrojtësi 34-vjeçar i Al Fateh, dhe Amine Sbai, sulmuesi 25-vjeçar i Angers.
Të dy lojtarët ndodheshin tashmë me ekipin në Shtetet e Bashkuara dhe ishin pjesë e përgatitjeve të fundit para Botërorit.
Mungesa e Aguerd konsiderohet veçanërisht e rëndë për repartin defensiv të Marokut.

Mbrojtësi qendror nuk ka luajtur që nga muaji mars për shkak të një problemi në ijë, i komplikuar më vonë edhe nga një frakturë në zonën pubike, duke mos arritur të rikuperohet në kohë për turneun.
Nga ana tjetër, Ez Abde pësoi një dëmtim në gju gjatë ndeshjes miqësore ndaj Norvegjisë.

Fillimisht kishte shpresa se ai mund të qëndronte në listë dhe të rikuperohej gjatë fazës së grupeve, por ekzaminimet mjekësore përfundimtare detyruan stafin teknik të marrë vendimin për ta zëvendësuar.
Të dy futbollistët kishin luajtur rol kyç në sukseset e fundit të Marokut, përfshirë ecurinë historike deri në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2022, si dhe paraqitjet e forta në arenën afrikane.
Mungesa e tyre vjen në momentin më të papërshtatshëm për përfaqësuesen marokene, e cila synon të përsërisë paraqitjen mbresëlënëse të Katarit.
Maroku do ta nisë fushatën e tij në Grupin C me një përballje të vështirë ndaj Brazilit, ndërsa më pas do të luajë kundër Skocisë dhe Haitit.
Trajneri Mohamed Ouahbi tani do të duhet të riorganizojë planet e tij taktike pa dy prej armëve më të rëndësishme të skuadrës. /Telegrafi/




































