LAJMI I FUNDIT:

Gjykata Speciale, shpresa e fundit e viktimave për drejtësi

Gjykata Speciale, shpresa e fundit e viktimave për drejtësi

Pranvera e vitit 1998 ishte e kobshme për familjen e I.B nga Kosova. 23 vjet nga zhdukja e kryefamiljarit, shpresa e familjarëve për drejtësi po zhduket çdo ditë e nga pak. Megjithatë, një fije shprese aktualisht e kanë te Gjykata Speciale.

I.N. sapo është regjistruar në programin e Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave të Dhomave të Specializuara në Hagë.


I ati i tij është zhdukur gjatë pranverës së vitit 1998 në Kosovë dhe ai shpreson që Gjykata Speciale do ta zbardhë historinë e zhdukjes së tij.

Ai nuk ka pranuar ta shpalosë identitetin e vet apo të të atit të tij të zhdukur gjatë luftës, e as se cilin proces gjyqësor do ta ndjekë, vetëm thotë se së shpejti në gjykatë do të jetë përballë me të akuzuarit.

“Unë dhe xhaxhai im jemi intervistuar tri herë nga prokurorët e Dhomave të Specializuara. Thirrja për të aplikuar në program na bën të kuptojmë që rasti i babait do të jetë një prej atyre që do të trajtohen”, thotë ai.

“Për 23 vjet jemi në kërkim edhe pse e dimë ku ka hy dhe prej ku nuk ka dalë”, shton  ai.

I.N. është vetëm një nga ata që ka aplikuar për t’iu bashkuar një skeme të përfshirjes së viktimave në gjykime, por që hezitojnë ta bëjnë këtë hapur, duke iu frikësuar hakmarrjes dhe stigmatizimit nëse identitetet e tyre zbulohen.

17 viktima të regjistruara deri më tani në Dhomat e Specializuara

Në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, deri më tash kanë kaluar të gjitha procedurat dhe janë regjistruar 9 viktima. Kurse në rastin ndaj Salih Mustafës 8 të tjera.

Nga Gjykata Speciale nuk kanë pranuar të japin detaje për etninë, por në bazë të raporteve nga Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave, del se në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës të gjitha viktimat e regjistruara janë shqiptarë.

E në rastin ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerëve, nga 9 viktima të pranuara 5 janë serbë, 1 shqiptar, kurse për tre të tjerë nuk specifikohet etnia, vetëm se thuhet që janë “rrëmbyer dhe vrarë në territorin e Kosovës”.

“Vendimi për të aplikuar është individual. Personat që mund të dëshmojnë se kanë pësuar personalisht dëmtime, duke përfshirë dëmtime fizike, mendore ose materiale, si rezultat i drejtpërdrejtë i krimeve të supozuara të përfshira në një aktakuzë të konfirmuar, mund të aplikojnë për të marrë pjesë në procedurë”, thotë Angela Griep, zëdhënëse në Gjykatën Speciale.

“Një gjyqtar ose një panel gjyqtarësh do të vendosë nëse personi që ka aplikuar mund të bëhet viktimë pjesëmarrëse para Dhomave të Specializuara”, shton ajo.

Në një procedurë gjyqësore, viktimave u sigurohet edhe mbrojtja nëpërmjet avokatit.

Roli i mbrojtjes së viktimave në gjykimin ndaj Salih Mustafës

Anni Pues është zëri i 8 viktimave që janë regjistruar si pjesëmarrëse në procesin ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së Sali Mustafa.

I arrestuar në shtator të vitit 2020 dhe i transferuar në qendrën e paraburgimit në Hagë, Mustafa akuzohet për përfshirje në vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalime arbitrare gjatë luftës së Kosovës në prill 1999 në një kompleks të paraburgimit të UÇK-së në Zllash, një fshat malor në rajonin e Gollakut. Kjo qendër paraburgimi dyshohet se drejtohej nga një njësi që ai komandonte.

Procesin gjyqësor ndaj Mustafës, që ka nisur në shtator të këtij viti, Pues e quan “shans të fundit për viktimat për të marrë drejtësi”.

Aktualisht, procesi gjyqësor është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Por Pues e pranon se viktimat kanë shumë hezitim të bëhen pjesë e procesit.

“Viktimat pjesëmarrëse në këtë rast duan të arrijnë drejtësi për vuajtjet e tyre. Ata kanë përjetuar gjëra të këqija”, thotë Pues.

“Gjatë dy muajve të fundit, Gjykata ka dëgjuar në dëshmitë e dëshmitarëve për aktet e torturës, për rrahjet dhe se si viktimat ndiheshin që trajtoheshin si kafshë. Ata që i mbijetuan kësaj, kanë pësuar dëmtime fizike dhe psikologjike”, shprehet mbrojtësja e viktimave në gjykimin ndaj Mustafës.

“Besoj se është e natyrshme që viktimat e krimit të duan të zbulojnë të vërtetën dhe të duan drejtësi. Kjo është më e rëndësishmja për viktimat që marrin pjesë në gjyq. Gjithashtu, është e drejta e tyre njerëzore që të marrin një kompensim për dëmin që u është bërë”, shton tutje Anni Pues.

Kritika për procesin e informimit të viktimave

Amer Alija, analist ligjor dhe monitorues i proceseve për krime lufte në Fondin për të Drejtën Humanitare, thotë se procesi i informimit për viktimat nuk ka rezultuar shumë efektiv.

“Plotësimi i kërkesës për njohje të viktimës pjesëmarrëse në një procedurë të caktuar fillon pas ngritjes së aktakuzës, e në të njëjtën kohë ky proces shkon në formë elektronike, duhet të potencohet se jo çdo viktimë pjesëmarrëse potenciale ka njohuri të mjaftueshme të përdorimit të internetit, pasi që në mesin e tyre mundet me pas edhe viktimat të cilat janë në moshë dhe që nuk përdorin internet”, thotë Alija.

“Nëse i krahasojmë Gjykatën Speciale me Tribunalin për ish-Jugosllavi atëherë mund të thuhet se Gjykata Speciale i ofron një përfaqësim më të mirë viktimave pjesëmarrëse në procedurën penale, pasi që në kuadër të Speciales ekziston edhe Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave, ku viktimat pjesëmarrëse në këto procedura përfaqësohen po ashtu edhe nga avokati i viktimave i cili i përfaqëson interesat e viktimave në gjykatë. Një gjë të tillë nuk ka pasur TPNJ”, shton Alija.

Përveç rastit ndaj Salih Mustafës dhe Thaçit e të tjerëve, viktimat ende mund të aplikojnë edhe në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Pjetër Shalës. /Besian Beha/

Ky shkrim është produkt i trajnimit online për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD.

Në trend Lajme

Më shumë
Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Serwer tregon se pse Serbia i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Lajme
Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Arrestimet e qytetarëve të Kosovës në kufi, analistët në Beograd: Serbia ka prekur fundin moral e politik

Lajme
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Von Cramon: Nëse Kosova e Serbia përfitojnë më shumë nga moszbatimi i marrëveshjeve, vështirë të bëhet diçka në Bruksel

Lajme
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Një muaj paraburgim për shqiptarin nga Kosova të arrestuar në Serbi

Drejtësi
Kalo në kategori