Ishte reperi ai që pas telasheve financiare shpalli bankrotin në korrik të këtij viti me shpresë të ri-organizimit për shkak të borxheve prej më shumë se 1.2 milionë dollarësh, që edhe ia pamundësoi atij marrjen e pasaportës për performanca jashtë Amerikës.

Dhe, sipas mediave amerikane do të jetë e pamundur që DMX të marrë pasaportën për të udhëtuar jashtë SHBA-ve. Kjo pasi gjykatësi Robert Drain nga gjykata amerikane e bankrotimeve në Manhattan të premtën e kaluar e refuzoi bankrotimin e tij.


DMX u ka borxh kreditorëve për shtëpinë e tij dhe po ashtu edhe shumë borxhe të tjera, që si duket nuk kanë kaluar mirë në gjykatën amerikane. Në seancat gjyqësore DMX shpeshherë nuk u paraqit në kohë dhe ishin ngritur brenga për atë nëse ai do t’i shiste asetet e tij për t’i paguar kreditorët. Kështu, rasti për riorganizimin e DMX ka dështuar edhe një herë.

Ishin dy opsione – ose likuidim i të gjitha aseteve të DMX me mundësinë e shlyerjes së borxheve, ose që gjykatësi ta shpallë të mbyllur rastin definitivisht për një afat të pa caktuar dhe kreditorët preferuan opsionin e dytë, që bëri edhe gjykatën të vendosë kështu duke parë mos-besimin në reperin amerikan.

DMX luftoi që të ri-organizohet nga borxhet e mëdha, por argumentet nuk bindën gjykatësin Drain, i cili e ka mbyllur rastin dhe ia ka ndaluar Earl Simmonsit (DMX) që të shpallë bankrotin për 18 muajt e ardhshëm. Tani ai pos që rrezikon të mos marrë pasaportën, rrezikon edhe shtëpinë e tij dhe asetet tjera për shkak të borxheve sipas ligjeve amerikane, gjithnjë sipas Eonline.

Kjo do të thotë se ai nuk do ta marrë pasaportën për të udhëtuar jashtë SHBA-ve dhe kështu edhe mund të themi se teorikisht truneu i tij evropian ka dështuar.

DMX është në luftë gjyqësore edhe me shumë promoterë anë e mbanë Evropës, duke përfshirë edhe kompaninë nga Kosova, NextLevel. Ditë më parë drejtori i NextLevel, Ardin Badivuku, konfirmoi në Prive se ata kishin paguar shumën e kërkuar nga menaxhmenti i DMX, por se performanca e tij dy herë u anulua dhe se performanca e paguar kurrë nuk u realizua. Lënda është duke u proceduar ende në një prej gjykatave amerikane.

Nga ana tjetër, menaxhmenti i DMX në rrjetet sociale ka vazhduar ta paralajmërojë turneun evropian, por për mediat amerikane ata janë shprehur optimist vetëm për koncertet brenda Amerikës.

“Përkundër problemeve që mund të përballemi, ekipi do të vazhdojë të shkojë përpara me performancat në Amerikë dhe ne ende po punojmë që të marrim një pasaportë”, ka thënë publicisti i DMX, Domenick Nati.

DMX vazhdimisht është përballur me ligjin në vitet e fundit, për posedim të armëve pa leje, drejtim të mjetit nën ndikimin e alkoolit, prishje të qetësisë publike dhe borxheve të shumta ndaj kompanive e promoterëve, që edhe ia kanë pamundësuar ri-instalimin e karrierës dhe ri-organizimin për një turne evropian, që sipas të gjitha gjasave nuk do të mbahet kurrë. /Telegrafi/