LAJMI I FUNDIT:

Gjilani rrit të hyrat për 40%

Gjilani rrit të hyrat për 40%

Në komunën e Gjilanit të hyrat financiare janë 40 për qind më të larta sesa në vitin e kaluar, kurse drejtori i Drejtorisë Komunale për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi, ka apeluar te të gjithë qytetarët e Gjilanit, që të bëjnë pagesën e tatimit në pronë, sepse këto mjete i kthehen qytetarit me investime në infrastrukturën publike.

“Tatimi në pronë është e hyra kryesore e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, e cila e hyrë mbetet 100 për qind në Komunë, duke iu kthyer qytetarëve me investime në infrastrukturë. Në këtë tremujorësh, në kuadër të tatimit në pronë, janë shpërndarë 31 mijë e 298 fatura, dhe janë pranuar deri më tani vetëm 160 ankesa, që një pjesë e tyre tashmë është shqyrtuar. Të hyrat në këtë kategori çdo muaj sa vijnë e shtohen më shumë. Në periudhën janar – mars 2016, janë inkasuar nga tatimi në pronë 306 mijë e 865 euro, ose 22,10% më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, ka thënë drejtori i Financave, Maliqi. Ai ka rikujtuar të gjithë borxhlinjtë se 2 shtatori po afrohet, datë kur Ligjit për Faljen e Borxheve i skadon afati dhe se faturat kthehen në gjendjen e mëparshme me të gjitha kamatat dhe ndëshkimet.


Ai po ashtu ka përmendur faktin se bizneset kanë konfirmuar përgjigjen ndaj Komunës me pagesën e tatimit në pronë, para datës së cekur dhe kështu nga mbi 7 milionë euro sa janë borxhe në këtë kategori, 2/3 falen, ose mbi 5 milionë euro, ndërsa mbeten për inkasim mbi 2 milionë euro, duke përfshirë bizneset, por edhe amvisëritë njëkohësisht.

Përndryshe gjatë viteve të kaluara Komuna e Gjilanit është përballur me vështirësi financiare për shkak të borxheve të mëdha që qeverisja aktuale i ka trashëguar nga qeverisja e kaluar. /Telegrafi/