Gjiganti evropian i kërkon durim Fisnik Asllanit, do t'i shes dy sulmues për ta transferuar yllin dardan


Fisnik Asllani vazhdon të jetë një nga emrat më të kërkuar në tregun gjerman të transferimeve. Sulmuesi i Hoffenheimit mbetet një objektiv konkret i Borussia Dortmundit, megjithëse kalimi i tij në "Signal Iduna Park" varet nga zhvillimet brenda skuadrës verdhezi.
Sipas raportimeve të "Bild", së fundmi ka pasur kontakte mes drejtuesve të Dortmundit dhe përfaqësuesve të sulmuesit kosovar. Klubi gjerman ka konfirmuar interesimin e tij për 23-vjeçarin, por njëkohësisht ka kërkuar durim, pasi aktualisht prioritet mbetet menaxhimi i përbërjes së skuadrës.
Raportohet se transferimi i Asllanit do të bëhej shumë më i mundshëm në rast se Borussia Dortmund vendos të shesë njërin prej yjeve ofensivë, Serhou Guirassy ose Karim Adeyemi, gjatë afatit kalimtar veror.
Nga ana tjetër, vetë Asllani shihet pozitivisht ndaj mundësisë për t'iu bashkuar njërit prej klubeve më të mëdha në Gjermani. Sulmuesi i lindur në Berlin thuhet se do ta mirëpriste një transferim te Dortmundi, i cili mund t'i ofronte mundësinë për të luajtur në nivelet më të larta të futbollit evropian.

Interesimi për reprezentuesin e Kosovës nuk mungon as nga klubet e tjera. RB Leipzig vazhdon ta monitorojë situatën e tij, ndërsa disa skuadra të tjera gjermane kanë shfaqur interes për shërbimet e tij.
Asllani mund të largohet nga Hoffenheimi përmes një klauzole lirimi të përcaktuar në kontratën e tij. Klubet që kanë marrë pjesë në Ligën e Kampionëve gjatë tre sezoneve të fundit duhet të paguajnë 30 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa për klubet e tjera shuma zbret në 25 milionë euro.
Me interesimin që po rritet vazhdimisht dhe pas paraqitjeve të shkëlqyera në sezonin e fundit, vera e vitit 2026 mund të jetë momenti kur Fisnik Asllani do të bëjë hapin më të madh të karrierës së tij. /Telegrafi/




































