LAJMI I FUNDIT:

Gjigandi i baterive EV LG Energy Solution është optimist në perspektivën e tregut të Amerikës së Veriut

Gjigandi i baterive EV LG Energy Solution është optimist në perspektivën e tregut të Amerikës së Veriut

Prodhuesi i baterive LG Energy Solution (LGES) gjatë ditës së sotme tha se kërkesa për bateritë e veturave elektrike në Amerikën Veriore ka gjasa të qëndrojë e lartë këtë vit, duke rritur fitimet e saj.

Kompania jug-koreane, e cila furnizon Tesla-n, General Motors Co dhe disa kompani të tjera, deklaroi se këtë vit synon një rritje të të ardhurave vjetore prej 25 deri në 30 për qind, duke pasur për qëllim të arrijë deri në 24.8 miliardë euro (27 miliardë dollarë) të ardhura vjetore.


Reuters raporton se fitimi i tremujorit të katërt për LGES u trefishua teksa ata e rritën kapacitetin e prodhimit për t’iu adresuar një ngarkese të madhe të porosive nga prodhuesit e veturave të cilët nxitojnë për të marrë “një kafshatë të madhe” nga tregu në ngritje i veturave elektrike, përcjell Telegrafi.

Ata planifikojnë që këtë vit të rrisin shpenzimet kapitale deri në 50 për qind ose më shumë në krahasim me vitin 2022.

Kompania ofroi një pikëpamje pozitive për tregun e Amerikës Veriore, treg në të cilin e sheh një ngritje të numrit të klientëve të cilët kërkojnë që bateritë e prodhuara në SHBA të kualifikohen për subvencionet federale për veturat elektrike.

LGES, e cila në Amerikën Veriore ka fabrika të përbashkëta me GM, Stellantis NV dhe Honda Motor Co Ltd, bëri të ditur se deri në fund të dhjetorit vlera e porosive të baterive ishte ngritur në 287.38 miliardë euro (313 miliardë dollarë), ose ndryshe mbi 11 herë më e lartë se fitimi i projektuar për vitin 2023.

Zyrtari i lartë financiar i LGES, Lee Chang-sil, shtoi se gjatë tremujorit të katërt, kompania jug-koreane ka siguruar porosi shtesë me vlerë prej afro 15 miliardë eurove (16.2 miliardë dollarë). /Telegrafi/