LAJMI I FUNDIT:

Gëte, Bajroni dhe shqiptarët

Gëte, Bajroni dhe shqiptarët

Nga: Dorian Koçi

Përvjetori i lindjes së Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe, 28 gusht 1749 – 22 mars 1832), këtij vigani të mendimit evropian është gjithmonë një përvjetor që të shtyn të kërkosh lidhjet e krijimtarisë së tij me kulturën e vendit apo të rajonit. Kjo gjë në fakt është kurthi që bien të gjithë studiuesit pasi kur përpiqen të nxjerrin në pah të veçantat, ata gjejnë universalitetin e dijeve të tij.


Gëte ishte shumë i apasionuar nga kultura e lashtë dhe e re e Ballkanit, por simbolizonte edhe shpirtin racional gjerman. “Im Anfang war die Tat” (“Në fillim ishte vepra”), një përkthim i lirë versës së parë të ungjillit sipas Gjonit (1: 1) “në fillim ishte fjala” që Gëte e vendos në gojën e Faustit, u kthye në moto të filozofisë që shkundi Gjermaninë e shekullit XVIII dhe gjithë Evropën.

Gëte i njohu tërthorazi shqiptarët nëpërmjet krijimtarisë së Lord Bajronit (Byron), të cilin ai e admironte dhe kishte korrespodenca të rregullt më të. Gëte e konsidideronte Bajronin si një nga poetët që do t’i mbijetonte gjithmonë kohëve.

Gëte i kish përpirë të gjitha veprat e Bajronit dhe në bisedë me sekretarin e vet Ekerman, pranonte se përshkrimet poetike të tij ishin shumë afër realitetit.

– Edhe tek Bajroni – thashë unë – gjej shpesh pjesë krejtësisht të drejtpërdrejta, të cilat na japin vetëm pasqyrimin e sendit dhe na zgjojnë ndjenjat e brendshme sikundër bën pikërisht dhe vizatimi i një piktori të mirë, veçanërisht i pasur me pjesë të tilla është “Don Zhuani”.

– Po – pranoi Gëtja – atje Bajroni është me të vërtetë i madh, herë-herë jeta reale jepet prej tij me një lehtësi që të duket si improvizim. Tek “Don Zhuani” këto pjesë nuk më kujtohen, por tek poemat e tjera ato kanë mbetur në mend, veçanërisht skenat detare, ku kohë më kohë një valë vezullon tej. Aq mirë është bërë kjo, sa të duket se po nuhat edhe ti ajrin e detit.

Një nga poemat e tjera ku ka skena të mrekullueshme të përshkrimit të detit është dhe “Shtegtimi i Çajlld Harolldit “, poema që e bëri të famshëm Bajronin. Sigurisht, përveçse pjesëve të përshkrimeve detare, Gëte kish lexuar edhe 160 vargjet e Kantos II, ku përmes një ligjërimi orientalist flitet për shqiptarët. Adhurimi i tij për Bajronin ishte një adhurim intelektual dhe pa komplekse, ndaj do të shprehej. “M’u desh një përfaqësues i kohëve të reja poetike… dhe kush mund të ishte tjetër veç tij që pa dyshim duhet parë si talenti më i madh i shekullit. Për më tepër, Bajroni nuk është as ithtar i antikitetit, as i romantizmit, ai është mishërimi i kohës sonë. Një i tillë m’u desh dhe, për synimin tim artistik, më shkonte si jo më mirë natyra e tij gjithmonë e pakënaqur dhe karakteri i tij luftarak, që edhe e çoi të vdesë në Mesolongji. Të shkruash një monografi për Bajronin nuk është aspak një punë e volitshme dhe e këshillueshme; por, ta nderosh në ndonjë rast dhe të tregosh meritat e tij të shumta, kjo është një gjë që unë do të vazhdoj ta bëj gjithmonë”.

Vet Gëte shquhej për një modesti në trajtimin e hierarkive kulturore në Evropë, duke dëshmuar që mbi të gjitha ishte një intelektual kozmopolit dhe qytetar i “polisit” të mendimit. Ja si shprehej për kulturën gjermanike të kohës së vet dhe vendin në lidhje me kulturën antike. “Ne [d.m.th., gjermanët] me të vërtetë kemi arritur në thuajse këto njëqind vjetët e fundit të lëvrojmë siç duhet kulturën tonë; e megjithatë, duhen edhe nja dy tre shekuj që kultura jonë kaq shumë e lëvruar të arrijë të bëhet kulturë e të gjithëve; deri përpara këtij çasti, të gjithë do të jenë thjesht barbarë”.

Gëte ishte mendjehapur edhe ndaj kulturës lindore dhe formave të ndryshme poetike të lëvrimit të kësaj kulture. Njihte mirë Rumiun, Sadiun, Hafizin dhe vet nën ndikimin e poezisë orientale shkroi një Divan perëndimoro-oriental (1819-1827). Gëte e admironte shumë Hafizin, i cili ishte edhe një simbol i shpeshtë humanizmi në poezinë e tij. Në poezinë “Ribashkimi”, për Hafizin shkruan:

‘Hafiz, me ty të jem kam mall,
Në garë! Gaz e dhimbje mal
Të shkulen, ne u bëjmë ballë!
Të dua e të pi ngaherë
Si ti, se ç’krenari e rrallë.”

Në këtë mënyrë ai ishte bashkëkohës në mendim me Bajronin që shkroi “Tregimet orientale” më 1816 dhe Pushkinin që shkroi për “Baçevasarajin” në Krime më 1821-1823. Orientalizmi si rrymë e mendimit në Evropë fillon ndoshta që në kohën e kryqëzatave dhe romancave mesjetare. Në periudha të ndryshme ka patur interesa dhe qëndrime të ndryshme ndaj Orientit dhe orientalizmit, por ai u bë i njohur gjatë romanticismit, sepse Orienti ishte formë sublime e tij.

Shkrimtari egjiptian Taha Husein, disa herë kandidat për çmimin Nobel në letërsi, thotë: “Divani nuk është thjeshtë një ngjarje e rëndësishme në historinë letrare të Gëtes së madh; ajo është një ngjarje me rëndësi në historinë e letërsisë evropiane”. Përcaktimi i Huseinit është nga më të saktit përreth lidhjeve të Gëtes me qytetërimin lindor. Për këtë çështje është debatuar shumë ku admirimit të Gëtes për letërsinë lindore i është veshur dhe dëshira e tij për të njohur me detaje Islamin. Në fakt, kjo dëshirë shkonte deri në kufijtë e njohjes dhe subjektet e tij orientaliste ishin më tepër në frymën e relativizmit kulturor që mbizotëronte si diskurs në krahasimet Lindje-Perëndim në Evropën e asaj kohe. Prej esesë së njohur nga Michel de Montaigne, “Kanibalët”, në Evropë ishte krijuar një diskurs që admironte qytetërimet tjera jashtë kontinentit duke kritikuar vet qytetërimin evropian si shkatërrues dhe të mbizotëruar nga lufta. Kështu p.sh edhe Volteri ka shkruar për qytetërimin kinez me fjalët më të mira, duke vlerësuar strukturën sociale, arritjet e hershme në teknologji dhe përkushtimin e tyre ndaj filozofëve.

Gëte nuk ishte nënvlerësues ndaj traditës. Një nga shkrimtarët që ai adhuronte ishte Shekspiri. Në bashkëbisedimin me sekretarin e tij Ekerman do të shprehej: “’Makbethi’ është për mendimin tim pjesa më e mirë e Shekspirit në kuptimin e plotësimit të kërkesave të skenës. Por, nëse doni të njihni shpirtin e tij të lirë merrni e lexoni “Troilin dhe Kresidën”, ku ai ka trajtuar sipas mënyrës së vet subjektin e ‘Iliadës’”. Një moment tjetër Gëte do të shprehej për veprën e Shekspirit, se ai na shërben mollë të arta me tabaka argjendi. Duke studiuar veprat e tij edhe ne bëhemi me tabaka të argjendta, por e keqja është se mund të vëmë në të vetëm patate. Kjo modesti për veprën e vet letrare, në fakt është e tepruar sepse ai na ka dhuruar vepra-mollë që mund të rrinë shumë mirë në tabakatë e argjendta të Shekspirit.

Vitin që vjen do të jetë 270-vjetori i lindjes së Gëtes, një përvjetor që do të shënohet në gjithë botën. Influenca e Gëtes në mendimin shqiptar ka qenë e pamatë, pasi me veprën e tij janë marrë një sërë figura të shquara të kulturës sonë, si: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, Sejfulla Malëshova, Krist Maloki, Lazër Shantoja, Zef Simoni, Vangjel Koça, Branko Merxhani, Shevki Selenica, Aleks Buda, Hasan Mekuli, Klara Kodra, Shpëtim Çuçka, Pertef Kruja, Fatos Arapi, Petraq Kolevica, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Petro Zheji, Bujar Doko, Robert Shvarc, Perikli Jorgoni, Aristidh Ristani, Visar Zhiti, Vehbi Bala, Jorgo Bllaci, Anila Omari etj. Kohët e fundit në Prishtinë është botuar një libër i studiueses dhe pedagoges së gjermanistikës në Universitetin e Prishtinës Albuelena Blakaj, “Gëte dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare. Sipas saj, ky libër e ka zanafillën nga eseja që titull fillestar kishte “Gëte shqiptar”. “Ky titull shprehte dëshirën time të përvetësimit të plotë letrar e kulturor, por jo edhe realitetin. Megjithatë, duhet të jemi të gëzuar që shkrimtari i madh, universal, shkrimtari i Njeriut të emancipuar, është edhe i shqiptarëve, ashtu siç është i tërë botës së civilizuar, i kulturave që e kanë kapërcyer gardhin e ngushtë nacional dhe janë bërë pasuri e të gjithëve”. Ky konstatim i shkon më tepër për shtat krijimtarisë dhe personalitetit të Gëtes, pasi asnjë më tepër se Gëte nuk e plotëson figurën intelektualit kozmopolit të përbotshëm që mbizotëroi me krijimtarinë e vet në mendimin evropian në fund të shekullit të XVIII dhe në fillim të shekullit të XIX në Evropë.