eksperti-banner

Ndërsa protesta masive qytetare në Shqipëri kundër projektit ndërtimor të planifikuar në zonën e Zvërnecit dhe lagunën e Nartës hyjnë në ditën e nëntë, narrativa të gjithëfarshme janë ngritur në media dhe rrjete sociale përreth këtyre protestave që kundërshtojnë projektin. Jehona e kësaj proteste paqësore që u shtri brenda dhe jashtë kufijve të vendit e që u transmetuar nga shumë media ndërkombëtare shpreh pakënaqësinë ndaj klasës politike.

Masiviteti i një marshimi spontan të dielën, më 31 maj, u pasua nga një deklaratë e gjatë publike e kryeministrit, Edi Rama më 1 qershor në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.


“Armiqtë e huaj” na kanë në grykë të pushkës

Në këtë fjalim mbi 1 orë të gjatë, u hodh fillimisht narrativa e “forcave të huaja” që nuk duan të zhvillohet Shqipëria dhe po përpiqen të sabotojnë projektin duke manipuluar opinionin publik si tek filmi”Wag the Dog”. (Ironikisht, Wag the Dog është një film i vitit 1987 në të cilin një propagandist i qeverisë amerikane shpik një luftë për të hequr vëmendjen nga një skandal politik)

Greqia fqinje u prezantua nga Rama si një palë e interesuar.

Ai pyeti në mënyrë retorike se pse mediat greke ishin kaq të shqetësuara për mjedisin shqiptar dhe u shpreh i habitur që Ministria e Jashtme greke u shpreh për dhunën e ushtruar ndaj një protestuesi në Zvërnec. Protestuesi i dhunuar kishte dy shtetësi, një shqiptare dhe një greke.

Në një intervistë të 3 qershorit për median ndërkombëtare CNN, Rama foli për “lufte hibride” të drejtuar nga “armiq që i njohim shumë mirë” dhe “konkurrenca shumë e fortë në pjesën tonë të Mesdheut”

Ndërsa kryeministri Rama denonconte “luftën hibride” kundër zhvillimit të Shqipërisë, po ditën kur ai nënkuptoi se Greqia kishte interesa në ndalimin e projektit të Zvërnecit, në media dhe rrjete sociale nisi të qarkullonte një imazh i gjeneruar me inteligjencën artificiale, ku shfaqej një radhë autobusësh pranë një pike kufitare.

Ky imazh u prezantua në ekranet shqiptare shoqëruar me pretendimin se bëhej fjalë për protestues grekë që po hynin në Shqipëri për të marrë pjesë në protestën e Tiranës kundër projektit turistik në Pishë Poro-Nartë. /Faktoje.al/