Dita e 70-të e protestës në Tiranë, thirrje kundër Edi Ramës dhe Sali Berishës

Për të 70-ën ditë, një grup qytetarësh u mblodhën në Tiranë për të protestuar kundër projektit të investimit turistik të parashikuar në zonën e Zvërnecit.
Protesta nisi në sheshin “Skënderbej”, prej nga ku pjesëmarrësit vijuan marshimin në drejtim të Kryeministrisë, duke shpalosur pankarta dhe flamuj kombëtarë dhe duke bërë thirrje për ndryshime në disa prej politikave që lidhen me territorin, mjedisin dhe sistemin zgjedhor.
Kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec ishte një prej çështjeve kryesore të tubimit, ndërsa protestuesit kërkuan gjithashtu rishikimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Në protestë u ngritën edhe çështje të tjera politike, përfshirë kërkesën për ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe kundërshtimin e hartës së re territoriale të propozuar nga Partia Socialiste, e cila parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Gjatë marshimit pati thirrje politike kundër kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Sali Berisha.
Pjesëmarrësit deklaruan se do të vijojnë protestat, duke kërkuar që qëndrimet e tyre të merren në konsideratë për projektet që prekin zonat e mbrojtura dhe politikat territoriale, raporton ATSH.
Tubimi u monitorua nga shërbimet e Policisë së Shtetit, ndërsa protesta vijoi në bulevardin përpara Kryeministrisë. /KP/




































