LAJMI I FUNDIT:

Gërvalla: Në disa tema s’pajtohemi 100 për qind me SHBA-në

Gërvalla: Në disa tema s’pajtohemi 100 për qind me SHBA-në

Teksa diplomatët amerikanë janë shprehur se mungesa e bashkërendimit për çështjen e përdorimit të dinarit ka dëmtuar partneritetin me qeverinë e Kosovës me ShBA-të, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se ka disa tema ku nuk pajtohen 100 për qind në aspektin teknik.

Ajo theksoi se vënia në pikëpyetje e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk ka ndodhur asnjëherë.


Sipas kryediplomates kosovare, marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të mira.

“Unë mendoj se ka shumë keqkuptime dhe shumë keqinterpretime lidhur me një rregullore të re të Bankës Qendrore të Kosovës që është një institucion i pavarur, në punët e së cilës qeveria e Republikës së Kosovës nuk përzihet. Mirëpo, çfarë jemi duke diskutuar është çështje e implementimit të asaj rregulloreje, ku e kemi pranuar në ndërkohë, se bashku me partnerët tanë që mund të jetë nevojë aty-këtu për ndonjë fazë më të gjatë ose më të zgjatur për implementimin e saj. Mund t’ju them që marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të mira. Dhe janë shumë të mira sepse në të gjitha temat që trajtojmë në rajonin tonë, kemi të njëjtin qëndrim dhe kemi të njëjtat synime”, ka thënë Gërvalla, në një interviste për “Zëri i Amerikës”.

Gërvalla ka komentuar edhe takimet e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështjen e dinarit.

“Ndërkohë që duhet konstatuar që nuk asnjë dyshim që euro është e vetmja monedhë që vlen në Kosovë, sipas parimit të të gjitha shteteve demokratike ku vlen ‘një shtet – një valutë’, kemi konstatuar që mund të ketë ndonjë problem aty-këtu për ndonjërin nga qytetarët tanë që duhet të kërkoj zgjidhje. Mirëpo, mos të harrojmë se kemi që nga viti 2011 që diskutojmë me Serbinë në Bruksel rreth institucioneve ilegale edhe rreth shpërbërjes së tyre, që ka qenë një premtim i qeverisë së atëhershme serbe në vitin 2013. Një shpërbërje e tillë e tërësishme nuk ka ndodhur deri tani, prandaj edhe ende jemi duke diskutuar tema të vjetra.

Ne me Serbinë jemi marrë vesh në Bruksel duke pranuar të dyja palët atë që në fillim quhej propozimi franko-gjerman e më pas u bë propozimi i BE-së, i cili rezultoi në marrëveshjen e 27 shkurtit të vitit të kaluar. Në si Kosovë kemi qenë e gatshme ta nënshkruajmë menjëherë në Bruksel. Serbia ka refuzuar. Sot, fatkeqësisht nuk jemi në gjendje të themi kemi apo nuk kemi marrëveshje ligjërisht të obligueshme për të dyja palët, për shkak se kemi mbetur e vetmja palë, pra Kosova, që lufton për implementimin e plotë të asaj marrëveshjeje. Nëse çdo gjë që bëjmë në Bruksel nën ndërmjetësimin e partnerëve tanë evropianë, por edhe me ndihmën e partnerëve tjerë, dhe atyre të Shteteve të Bashkuara, kohën e skadencës e ka vetëm disa javë, derisa Serbia të tërhiqet nga ago vendime, atëherë duhet vetes t’ia shtrojmë pyetjen sa ja vlen që shpenzojmë kaq shumë kohë në Bruksel për marrëveshje që në fund edhe ashtu, nuk e obligojnë Serbinë t’u përmbahet”, ka thënë Gërvalla.