George Clooney muajin e ardhshëm mbush 65 vjeç dhe duket se po hyn në një fazë të jetës ku setet e xhirimit nuk janë më prioriteti i vetëm. Aktori ka zbuluar se dëshiron të ngadalësojë ritmin dhe t’i kushtojë më shumë kohë filantropisë, pra projekteve humanitare dhe shoqërisht të dobishme që synojnë të ndihmojnë të tjerët – veçanërisht ato që i udhëheq së bashku me bashkëshorten e tij, Amal Clooney, shkruan Page Six.

Clooney tha të hënën, në mbrëmjen gala të 51-të të ndarjes së Çmimit Chaplin në Lincoln Center, se në të ardhmen do të përqendrohet më shumë në punën e Clooney Foundation for Justice, fondacionin që e ka themeluar me Amal. Ky fondacion angazhohet për drejtësi dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.


Ai po ashtu dëshiron të investojë më shumë kohë edhe në bashkëpunimin me Roybal School of Film and Television në Los Angeles – një shkollë që synon t’u krijojë të rinjve nga komunitetet më pak të përfaqësuara një rrugë më të përballueshme dhe më gjithëpërfshirëse drejt karrierës në industrinë e filmit dhe televizionit.

Amal dhe George Clooney (Foto: EPA)

“Do të bëj gjëra që më përmbushin më shumë, sepse nuk po vrapoj më pas karrierës”, u shpreh Clooney. “Kjo në fakt është gjë e mirë, sepse merr më shumë kohë për atë që ka rëndësi për ty… dhe pikërisht kjo është ajo ku jam i fokusuar tani.”

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se aktori po i thotë lamtumirë Hollivudit. Nëse do të shfaqet një rol që e intereson mjaftueshëm, thotë ai, do ta pranojë me kënaqësi. “E dini, nëse vjen një rol i mirë, do ta marr”, shtoi ai.

Në mbrëmjen gala, Clooney mbërriti në shoqërinë e Amal, ndërsa Lincoln Center e nderoi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin kinematografik. Edhe pse bëhet fjalë për një nga vlerësimet më prestigjioze në botën e filmit, aktori pranoi se nuk ndihet plotësisht rehat kur vendoset në qendër të vëmendjes.

George Clooney (Foto: EPA)

“Mendoj se kushdo që ka sadopak integritet do të ndihej paksa në siklet kur dikush del para publikut dhe e lavdëron. Mua gjithmonë më duket pak e pakëndshme”, tha ai.

Fituesi i Oscar-it u ndal edhe te rrugëtimi i tij profesional, i cili edhe sot i duket pothuajse i pabesueshëm. Nga rolet e hershme televizive – mes tyre edhe ai në serialin The Facts of Life – e deri te statusi si i ftuar nderi në Lincoln Center, Clooney thotë se suksesi i tij ende e surprizon.

“Vetë fakti që, pas disa serialeve që kam bërë, arrita të ndërtoj një karrierë, është mjaft tronditës, e dini?”, u shpreh ai me modesti.

Kujtojmë se George Clooney për vite me radhë u përpoq nëpër sitcom-e dhe pilotë serialesh që nuk patën sukses, përpara se seriali “ER” (Hitna služba) t’i sillte famën e madhe. Më pas ai kaloi me sukses edhe në kinematografi, ku ndërtoi statusin e një prej yjeve më të mëdhenj të Hollivudit. /Telegrafi/