General Motors pezullon zhvillimin e disa veturave elektrike

Gjiganti i automobilave General Motors ka vendosur të ndalojë zhvillimin e disa veturave të reja elektrike. Në vend të kësaj, grupi do të përqendrohet më shumë në zhvillimin e automjeteve me benzinë. Sipas raportimeve, kjo pritet të sigurojë fitim më të lartë.
Ky vendim nënkupton që gjenerata e ardhshme e versioneve elektrike të Chevrolet Silverado, GMC Sierra, Hummer dhe Cadillac Escalade IQ është vënë në pritje. Plani fillestar ishte që versionet e reja të SUV-ëve dhe “pick-up” të prezantoheshin në vitin 2028.
Drejtori ekzekutiv i GM-së, Kenneth Morris, i ka thënë Autonews se tregu është i vështirë për t’u parashikuar dhe se është e vështirë të parashikohet e ardhmja.
Gjiganti automobilistik ka refuzuar të shpjegojë në detaje arsyet e sakta të këtij vendimi, por ai mund të lidhet me heqjen e fundit të standardeve të rrepta të konsumit të karburantit në SHBA.
Si pasojë, SUV-të elektrike kanë zhgënjyer në shitje: që nga fillimi i vitit, GM ka shitur vetëm 1400 njësi të Silverado-s elektrike dhe 1300 të Sierra-s elektrike.
As modelet më të shtrenjta si Hummer dhe Cadillac Escalade IQ nuk kanë pasur kërkesë të madhe, me rreth 1600 dhe 2000 njësi të shitura përkatësisht.
Ndryshimi i prioriteteve po ndikon veçanërisht te punonjësit në fabrikën Factory Zero në Detroit, ku prodhimi është pezulluar dy herë në tre muajt e fundit. Po ashtu, numri i turneve është ulur nga dy në vetëm një, një shenjë e qartë se kërkesa për automjete të mëdha elektrike ka rënë ndjeshëm.
Edhe pse GM tani po investon më shumë në motorët me djegie të brendshme, kompania në plan afatgjatë nuk synon të heqë dorë plotësisht nga automjetet elektrike. Kenneth Morris vazhdon të besojë se makinat elektrike janë e ardhmja e industrisë. Por të mendosh dhe të besosh është diçka krejt tjetër nga ajo që po ndodh në realitet. /Telegrafi/




















































