Garda Revolucionare e Iranit pas sulmit amerikan: Nëse agresioni përsëritet, do të përgjigjemi


Garda Revolucionare Iraniane (IRGC) reagoi pasi Shtetet e Bashkuara kryen sulme ndaj Iranit, duke bërë të ditur se ka goditur pozicionet amerikane në rajon dhe duke paralajmëruar një përgjigje edhe më të gjerë nëse agresioni vazhdon.
"Pas shkeljes së armëpushimit në jug të Libanit nga regjimi sionist, disa orë më vonë edhe regjimi amerikan, i cili rregullisht shkel marrëveshjet, shkeli detyrimet e tij. Duke përdorur pretekste të ndryshme që lidhen me kalimin e një anijeje, e cila kishte shkelur rregullat duke lundruar në një rrugë të paautorizuar në Ngushticën e Hormuzit, ai kreu një sulm ajror ndaj brigjeve të Iranit", thuhet në deklaratën e IRGC-së.
Sipas Gardës Revolucionare, si kundërpërgjigje ndaj këtij agresioni janë sulmuar pozicionet e ushtrisë amerikane në rajon, shkruajnë mediat.
"Në bazë të nenit 5 të Memorandumit të Mirëkuptimit të Islamabadit, mbikëqyrja e lundrimit dhe trafikut nëpër Ngushticën e Hormuzit është përgjegjësi e Republikës Islamike të Iranit. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara, duke nxitur palë të ndryshme, u përpoqën ta shkelin këtë detyrim dhe morën përgjigjen e merituar. Kështu do të veprojmë edhe në të ardhmen. Nëse agresioni përsëritet, përgjigjja jonë do të jetë edhe më e gjerë se kjo", paralajmëroi IRGC.
Forcat e Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) kryen më 26 qershor sulme ndaj Iranit, duke i cilësuar ato si një përgjigje të fortë ndaj sulmit, sipas tyre, mbi një anije tregtare që po kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Avionët amerikanë goditën depo iraniane raketash dhe dronësh, si dhe pozicione bregdetare të radarëve, pasi Irani më 25 qershor goditi me një dron anijen M/V Ever Lovely. /Telegrafi/



































