Galatasaray synon yllin e Arsenalit nëse nuk arrihet marrëveshja për transferimin e Leaos

Sipas gazetarit të njohur Gianluca Di Marzio, Galatasaray ka përfshirë në listën e objektivave të saj sulmuesin anësor të Arsenalit, Gabriel Martinelli, ndërsa klubi turk po kërkon të përforcojë krahët e sulmit gjatë kësaj vere.
Objektivi kryesor i kampionëve turq aktualisht mbetet ylli i Milanit, Rafael Leao, për të cilin kanë nisur bisedimet. Megjithatë, negociatat nuk kanë avancuar, pasi Milani ende nuk ka pranuar ofertën e Galatasarayt, ndërsa vetë futbollisti portugez nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse dëshiron të largohet nga "San Siro".
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit nga Stambolli kanë nisur të shqyrtojnë alternativa dhe një nga emrat që ka dalë në skenë është Gabriel Martinelli.
Braziliani shihet si një profil që përshtatet me kërkesat e Galatasarayt, falë shpejtësisë, aftësisë në duele një kundër një dhe eksperiencës së fituar në Ligën Premier.
Martinelli ka qenë një nga lojtarët e rëndësishëm të Arsenalit në vitet e fundit, por situata e tij mund të ndryshojë nëse klubi londinez vendos të sjellë një përforcim të nivelit më të lartë në krahun e majtë.
Arsenali nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga 25-vjeçari, por një largim nuk përjashtohet nëse "Topçinjtë" arrijnë të sigurojnë një alternativë më të fortë për atë pozicion.

Në këtë aspekt, londinezët kanë marrë një goditje në planet e tyre, pasi transferimi i mundshëm i Vinicius Junior nga Real Madridi po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Braziliani raportohet se është afër rinovimit të kontratës me klubin spanjoll, duke i detyruar klubet e interesuara të shikojnë alternativa të tjera.
Martinelli iu bashkua Arsenalit në vitin 2019 nga Ituano dhe gradualisht u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së Mikel Artetës.
Ai ka luajtur mbi 200 ndeshje për klubin londinez dhe ka kontribuar me gola e asistime në garat vendore dhe evropiane./Telegrafi/













































