LAJMI I FUNDIT:

G7: Pasiguritë globale janë shtuar

G7: Pasiguritë globale janë shtuar

Nëse Mbretëria e Bashkuar do të shkëputej nga BE, pasojat do t’i vuanin jo vetëm vendet e përfshira, por edhe ekonomia globale.  Kjo u paralajmërua nga ministrat e Financave të G7-s në dokumentin e tyre final pas një samiti dyditor në qytetin japonez të Sendait.

Pasiguritë globale janë shtuar, ndërsa konfliktet gjeopolitike, terrorrizmi, fluksi i emigrantëve dhe tronditja për një dalje të mundshme të Britanisë komplikojnë kontekstin ekonomik global, u tha në takimin e ministrave.


Britanikët do të vendosin lidhur me çështjen në një referendum që do të mbahet më datë 23 qershor. Gjatë takimit, ministrat e 7 ekonomive më të zhvilluara të botës diskutuan për një sërë tematikash, nga ekonomia globale tek vlerat e shkëmbimve të huaja dhe pastrimi i parave.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan sërish Japoninë kundër zhvlerësimit të monedhës për arsye konkurruese, çka ekspozoi përçarjen në politikën e kursit të këmbimit.

Ministrat diskutuan gjithashtu për pastrimin e parave, mes zhurmës së shkaktuar nga të ashtuquajturat “Panama Papers”.