Policia amerikane ka publikuar pamjet e kamerave të sigurisë ku shihet një nga sulmet e shumta që kanë ndodhur në periferi të Orange të Kalifornisë, me ç’rast kanë humbur jetën katër persona dhe dy tjerë janë plagosur.

Kujtojmë se 33-vjeçari nga Garden Groove është arrestuar pasi kishte vrarë pjesëtarin e sigurimit në një qendër tregtare, transmeton Telegrafi.

Ndërkaq shefi i policisë lokale në një konferencë për media, ka deklaruar se vrasësi Zackary Castaneda ka plaçkitur një apartament dhe objekte tjera afariste.

I armatosur me thikë e revole, ai kishte plaçkitur një apartament, furrën e bukës, dyqane të ndryshme, pompën e derivate dhe në fund është dorëzuar në polici.

Në videon e publikuar më poshtë shihet sesi 33-vjeçari futet në një lokal me një kapelë në kokë, ku i afrohet punonjëses 53-vjeçe e cila po qëndronte ulur pranë tavolinës. Aty menjëherë ai nxjerr thikat dhe disa herë e godet këtë grua të pafat.

“Punonjësja e lokalit ishte shumë e guximshme. Ka luftuar në mënyrën më të mirë të mundshme, megjithatë ka pësuar lëndime serioze”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë gjatë konferencës për media.

Sulmin e parë e ka filluar dje rreth orës 16 sipas kohë lokale, kur i dyshuari plaçkiti një apartament në një kompleks ku jeton edhe vetë. Më pas ai ka vazhduar me plaçkitjen e një furre të bukës, ku për fat të mirë askush nuk është lënduar.

E sikur kjo të mos i mjaftonte, ai është rikthyer në kompleksin ku jeton, ku edhe kacafytur me dy persona, të cilët më pas i theri me thikë. Ndërkaq me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policia ka hasur në dy meshkuj me plagë në pjesë të ndryshme të trupit, njëri prej tyre ishte në tarracë e tjetri brenda apartamentit. Njëri prej tyre është shpallur i vdekur disa minuta më vonë, kurse tjetri u dërgua me urgjencë në spital për tretman.

E në orën 17:39, policia ka pranuar një telefonatë tjetër për një plaçkitje të armatosur në një kompani të sigurimeve, ku Castaneda ka kërcënuar punonjësen. Aty kishte sulmuar 53-vjeçaren që e kishte therur disa herë me thikë.

Në ora 18:09, policia sërish është telefonuar për një sulm në një pompë të derivateve, ku besohet se një 44-vjeçar që në ato momente po mbushte veturën me benzinë është sulmuar me dy thika nga Castaneda.

Policia lokale rreth orës 18:30 ka gjetur veturën e tij Mercedes, ku pas minuta më vonë është shfaqur me revole në dorë i dyshuari, që besohet se revolen ia kishte marrë pjesëtarit të sigurimit në një qendër tregtare. Raportohet se sigurimi ka mbetur i vdekur në vend nga sulmi i përgjakshëm i Castanedas.

Deri më tani nuk dihen motivet e këtyre sulmeve, por policët kanë njoftuar se ai ishte i mllefosur, dhe se atë ditë kishte lënduar shumë persona. Gjithashtu është bërë e ditur se gjitha viktimat ishin latino-amerikanë.

Castaneda është identifikuar si anëtar i një bande, kurse më herët ishte burgosur për posedim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje. /Telegrafi/