LAJMI I FUNDIT:

I FSHIVA SYTË ME VARGJET E TUA

I FSHIVA SYTË ME VARGJET E TUA
Xhevdet dhe Vjollca Bajraj (Rahovec, 2021)

Nga: Vjollca Bajraj

***


Sot vesha pallton tënde
nuk me bëri përshtypje
që më binte e madhe
i futa duart në xhepa
kërkoja ngrohtësinë
e dorës tënde
gjeta ca sálveta
me ca vargje të shkëputura
syzet e tua i vura në sytë e mi
oh Zot …. fillova ta shoh botën me sytë e tu
sa e mjerë dukej gjithçka
pastaj mu mjegullua pamja
i fshiva sytë me vargjet e tua

***

Qyshkur shkove ti
fillova të plakem
edhe pse flokët nuk mu zbardhen kurrë
mu plakën ëndrrat
dëshirat
mu plakën sytë
duke i mbajt mbyllur
mos ndoshta
në errësire diku më shfaqesh
e më thua
se më pret si dikur
tek stacioni i autobusëve

***

Dikur kur ndihesha e vetmuar
Numëroja orët, ditët, javët, muajt
Të prisja se e dija se do të vije
Tash kur ndjehem e vetmuar
S’më ka mbetur të pres asgjë tjetër
Pos vdekjes
Se veç ajo do të më bashkojë
Me ty