eksperti-banner

Nga: Roger Waters (albumi “Radio K.A.O.S.”, 1987)
Përktheu: Agron Shala

Mund të jetë Jerusalemi ose mund të jetë Kajroja
Mund të jetë Berlini ose mund të jetë Praga
Mund të jetë Moska, mund të jetë Nju-Jorku
Mund të jetë Llanelli e mund të jetë Uaringtoni
Mund të jetë Varshava e mund të jetë Mus-Xhoi
Mund të jetë Roma
Secili ka një vend që e quan shtëpi


Kur t'i shkelin linjat e mbrojtjes
Një pushtim i vogël i llogaritur si shpenzim
A do të shkosh te salloni i aeroportit?
A do ta pranosh statusin tënd të klasës të dytë
Një komb kamerieresh e kamerierësh?
A do t’ua përziesh martinët?
A do ta ulësh kokën
Apo do t’ia mbathësh maleve?

Mund të jetë baltë e mund të jetë rërë
Mund të jetë shkretëtirë
Mund të jetë një parcelë toke e punueshme
Mund të jetë një shtëpi, mund të jetë bakalli i mëhallës
Mund të jetë një kabinë pranë një kthese të lumit
Mund të jetë diçka që plaku yt ta ka lënë trashëgim
Mund të jetë diçka që e ke ndërtuar vetë
Secili ka diçka që e quan shtëpi

Kur kaubojt dhe arabët drejtojnë armët
Kundër njëri-tjetrit në mesditë
Në ajrin e freskët e të pluhurosur të sallës së korporatave
A do të rrish mënjanë si një spektator pasiv
I diktatorëve të tregut?
A do të tërhiqesh në heshtje
Me veshin ngjitur pas derës së sallës së korporatave?
A do ta dëgjosh luanin që ulërin brenda teje?
Apo do t’ia mbathësh maleve?

Oh, a do ta dëgjosh, a do ta dëgjosh, djalosh?
A do ta dëgjosh?
Oh, kur luani brenda teje të ulërijë?

Mund të jetë babai yt dhe mund të jetë nëna jote
Mund të jetë motra jote, mund të jetë vëllai yt
Mund të jetë zjarrfikës, mund të jetë turk
Mund të jetë dikush që po kërkon punë
Mund të jetë mbret, mund të jetë Aga Kani
Mund të jetë veteran i Vietnamit, pa krahë e pa këmbë
Mund të jetë shenjtor, mund të jetë mëkatar
Mund të jetë humbës ose mund të jetë fitues
Mund të jetë bankier, mund të jetë bukëpjekës
Mund të jetë Lejkers, mund të jetë Karim Abdul-Xhabari
Mund të jetë kor me zëra burrash
Mund të jetë i dashuruar, mund të jetë luftëtar
Mund të jetë boksier i kategorisë së rëndë
Ose mund të jetë diçka më e lehtë
Mund të jetë sakat, mund të jetë i çuditshëm
Mund të jetë italian, aziatik, ekscentrik
Mund të jetë polic, mund të jetë hajdut
Mund të jetë një familje me dhjetë anëtarë që jeton në një dhomë me ndihma sociale
Mund të jenë udhëheqësit tanë në varret e tyre prej betoni
Me ushqimet e konservuara dhe lugët e tyre prej argjendi
Mund të jetë piloti me Zotin në anën e vet
Mund të jetë fëmija në qendër të shënjestrës së bombardimit
Mund të jetë fanatik, mund të jetë terrorist
Mund të jetë dentist, mund të jetë psikiatër
Mund të jetë i përulur, mund të jetë krenar
Mund të jetë një fytyrë në turmë
Mund të jetë ushtari me kravatë të bardhë
Që e rrotullon çelësin pavarësisht faktit
Se ky është fundi i lojës së maces me miun
Që banonte në shtëpinë
Ku jehonte e qeshura dhe derdheshin lotët
Shtëpinë që ndërtoi Xheku
Ku jehonte e qeshura dhe derdheshin lotët
Shtëpia që ndërtoi Xheku
Bang, bang, krisma, krisma
Gishti i madh me dorezë të bardhë - o Zot, u bëftë vullneti Yt
Ishte gjithmonë një djalë i mirë, thoshte e ëma
Kur të rritet, do ta kryejë detyrën e vet, po
Secili ka dikë që e quan shtëpi