Sekuestrohen 96 kg marijuanë në kufirin greko-shqiptar


Një tjetër ngarkesë e madhe me lëndë narkotike është sekuestruar mëngjesin e sotëm nga policia greke në Igumenicë, pranë kufirit greko-shqiptar.
Siç raporton Top Channel kjo shtë sasia e dytë e kapur në këtë zonë brenda tetë ditëve të fundit.
Konkretisht, gjatë një operacioni të zhvilluar në orët e para të mëngjesit, oficerët e Departamentit të Narkotikëve të Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Igumenicë ndaluan një automjet privat të marrë me qira. Në timon ndodhej një grua greke, 61 vjeçe, me origjinë nga Moschato e Athinës.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dhe sekuestroi 90 pako me gjithsej 96 kilogramë e 74 gramë marijuanë, 5.21 gramë kokainë, një sasi të vogël hashashi të llojit “çokollatë”, 100 euro dhe dy telefona celularë.
Sipas dyshimeve të autoriteteve greke, sasia e sekuestruar mund të jetë trafikuar nga zona e Sarandës, duke kaluar përmes fshatrave të Bashkisë Konispol. Tetë ditë më parë, në Nea Selefkia të Igumenicës, u sekuestruan rreth 110 kilogramë marijuanë, të cilat dyshohet se kishin kaluar nga fshati Çiflik i Konispolit. Në atë rast, policia greke arrestoi një shtetas turk.
Paralelisht, policia greke ka njoftuar edhe homologët shqiptarë për të dyja rastet, konkretisht Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë. Policia Kufitare e Sarandës ka ngritur grupe kontrolli përgjatë kufirit të gjelbër, si dhe në zonat detare, me qëllim identifikimin e autorëve të mundshëm të trafikimit të drogës në të dyja rastet.
Ka dyshime se në Sarandë janë riaktivizuar linjat e trafikimit të drogës, pasi gjatë 10 muajve të fundit në Igumenicë janë regjistruar disa raste të trafikut të marijuanës, ku janë sekuestruar rreth 540 kilogramë lëndë narkotike.
Në një nga rastet, droga u sekuestrua në një skaf që u fundos, ndërsa autoritetet arritën të arrestonin drejtuesin e tij, një shtetas nga Saranda.
Riaktivizim i trafikut të drogës nga Shqipëria është konstatuar edhe në zonat e Janinës, Kosturit dhe Selanikut. Sipas të dhënave të autoriteteve greke, në këto rajone, së bashku me sasinë e kapur në Igumenicë, gjatë 10 muajve të fundit janë sekuestruar rreth 1.2 ton marijuanë.





































