Një javë e pasur ishte për futbollistët shqiptarë që po luajnë nëpër ligat e njohura botërore.

Këtë javë Telegrafi vjen me një formacion më ofensivë për arsyeje se futbollistët tanë ishin në formë të jashtëzakonshme dhe 12 prej tyre kanë shënuara gola, ndërsa disa tjerë kanë asistuar.

Në portë është super Etrit Berisha, ndërsa mbrojtja përbëhet me tre futbollistë, ku Mërgim Mavrajt iu është bashkuar Florent Hadergjonaj që asistoi në debutim dhe Elseid Hysaj që bëri një paraqitje të mirë në fitoren e Napolit.

Etrit Berisha – Është duke kaluar momente fantastike në karrierën e tij. Në javën e kaluar ishte fenomenal ndaj Fiorentinës, ndërsa kësaj radhe ndali shumë gjuajtje të futbollistëve të Interit. Ndër më meritorët për fitoren e Atalantës 2-1.

Florent Hadergjonaj – E priti rastin e tij në Ingolstadt dhe në momentin që i erdhi e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Hadergjonaj debutoi në Bundesliga përballë Dortmundit në barazim 3-3. Asistoi për mrekulli tek goli i tretë, mirëpo ishte vendimtar në këtë barazim pasi largoi topin nga vija e portës duke shpëtuar gol të sigurtë.

Mërgim Mavraj – Koln i tij humbi në udhëtim tek Hertha Berlin, por Mavraj ishte më i miri në fushë tek skuadra e tij. Mërgimi po kalon momentet më të mira në karrierën e tij. Edhe pse u mposhtën, paraqitja e tij u vlerësua lartë në Gjermani.

Të gjitha lajmet nga Shqiptarët nëpër botë Të gjitha lajmet nga Shqiptarët nëpër botë

Elseid Hysaj – Shkodrani rikthehet në formacionin bazë të Napolit dhe rigjejnë fitoren. Hysaj u dallua shumë në këtë takim që Napoli arriti t’i marrë tri pikë me vështirësi tek Crotone 2-1.

Xherdan Shaqiri – Fjalët janë të pakta për ta përshkruar ‘xhuxhin magjik’ pas paraqitjes së tij këtë javë. Vendimtar me dy golat e tij në fitoren 2-0 të Stoke Cityt tek Hull. Shaqiri përveç që shënoi dy super gola në këtë përballje ka marrë lëvdata nga të gjithë analistët në Angli. Shkëlqimi i tij i dikurshëm është duke ardhur. Tani është koha e Shaqirit.

Hekuran Kryeziu – Kishte pësuar një lëndim të lehtë dhe nuk u paraqit një javë më parë, ndërsa me tu kthyer në formacionin bazë Luzerni i tij iu kthye fitoreve 3-0 ndaj ST Gallen. 23-vjeçari në fund të ndeshjes u shpall më i miri në fushë. Mëkat që nuk luan me Kosovën ndaj Turqisë për arsyeje të kartonëve, pasi po kalon në formë të mrekullueshme.

Valon Berisha – Ashtu si Kryeziu edhe Valon Berisha u rikthye këtë javë në formacionin bazë për të shkëlqyer. Reprezentuesi i Kosovës luajti 90 minuta në fitoren e Red Bull Salzburg 5-1 në udhëtim tek St. Polten. Berisha asistoi tek goli i dytë i skuadrës së tij dhe ishte pjesëmarrës edhe tek goli i parë dhe tek goli i katërt në ndeshje. Forma e tij më e mira është duke ardhur.

Shkëlqeu me dy super gola, kjo është nota e lartë e Shaqirit (Foto) Shkëlqeu me dy super gola, kjo është nota e lartë e Shaqirit (Foto)

Bersant Celina – Kosova është me fat që e ka një talent të tillë si Celina. Djaloshi kosovar ka shënuar edhe një gol me Twenten në fitoren 0-2 tek Go Ahead Eagles. Paraqitja e mirë në këtë takim bëri që prizrenasi të futet në formacionin e javës në Holandë. Katër gola dhe një asistim në gjashtë ndeshje, statistika mbresëlënëse nga 19-vjeçari.

Azdren Llullaku – Djaloshi nga Istogu po çmend të gjithë në Rumani me formën e tij të mrekullueshme. Anëtari i Kombëtares së Shqipërisë shënoi dy gola të tjerë në barazimin e Gaz Metan 2-2 ndaj CS U Craiova. Padyshim që ishte lojtar i ndeshjes, por Llullaku vazhdon të mbetet i vetmuar në krye të listës së golashënuesve në Rumani me 10 gola deri më tani pas 13 ndeshjeve të zhvilluara.

Bekim Balaj – Goli ndaj Maqedonisë me fanellën e Shqipërisë e ka bekuar si duket Balajn. Shkodrani është futur në seri të golave dhe këtë javë ka realizuar një tjetër në fitoren e skuadrës së tij Terek Grozni 3-1 ndaj Rubin Kazan. Falë lojës së tij fantastike këtë takim, Terek arriti një fitore të vlefshme. Katër gola deri më tani për 25-vjeçarin.

Shani Tarashaj – Javën e kaluar ishte afër golit ndaj Bayernit por fati ia ktheu shpinën. Ndeshja e parë si titullar në Bundesliga dhe erdhi goli. Tarashaj po tregon se është një ‘vrasës’ para portës dhe ishte vendimtar në fitoren 3-0 të Eintracht Frankfurtit në udhëtim tek Hamburg. Gjithsesi djaloshit nga Prizreni iu mohua një penallti e pastër, ndërsa duhet cekur që u shpall futbollisti më i mirë i ndeshjes.

Duhet theksuar se kjo javë ishte fantastike pothuajse për gjithë futbollistët shqiptarë në ofensivë. Përpos lojtarëve që janë përfshirë në formacion, gola kanë shënuar edhe Bernard Berisha, Shkëlzen Gashi, Besart Berisha, Vedat Muriqi, Arianit Ferati, Ezgjan Alioski dhe Odise Roshi. /Telegrafi/

Formacioni më i mirë i javës i futbollistëve shqiptarë nëpër botë