LAJMI I FUNDIT:

Formacioni më i mirë i javës së 20-të në Superligën e Kosovës në futboll

Formacioni më i mirë i javës së 20-të në Superligën e Kosovës në futboll

Edicioni pranveror ka nisur në Superligën e Kosovës dhe asnjëherë deri më tani nuk ka qenë më nxehtë.

Ballkani ka barazuar Dritën me pikë, derisa Prishtina është afruar në vetëm gjashtë pikë pas 20 xhirove.


Befasia më e këndshme këtë javë ka ardhur nga Gjilani, ku kampioni në fuqi i Kosovës është mposhtur 1-2 nga Trepça ’89.

Prishtina fitoi në udhëtim 0-4 te Arbëria, ndërsa Ballkani mposhti minimalisht Feronikelin 1-0.

Llapi ka marrë tri pikë të arta derisa ka mposhtur Gjilanin 3-1, derisa Besa shkaktoi tjetër befasi duke marrë një pikë në udhëtim te Drenica 0-0.

Telegrafi si çdo javë ka zgjedhur edhe për këtë xhiro formacionin më të mirë të javës dhe trajnerin më të mirë.

Portier:

Agron Kolaj ka qenë fantastik për Besën në përballje me Drenicën. Portieri i talentuar pejan ka bërë pritje të shumta, duke ia mohuar golin drenicasëve të cilët ishin favorit të mëdhenj për ta fituar takimin. Me paraqitjet e tij këtë edicion, Kolaj po dëshmon se është një portier me të ardhme të ndritur.

Mbrojtës:

Besnik Krasniqi ishte i mrekullueshëm për Prishtinën në përballje me Arbërinë.  Mbrojtësi i djathtë bllokoi për mrekulli Almir Kryeziun e vendasve, derisa në fund u tregua produktiv edhe në repartin ofensivë duke shënuar golin e katërt.

Fantastik në mbrojtje ishte edhe Elvis Prenci i Llapit në përballje me Gjilanin, por që edhe ky u tregua i zoti në ofensivë duke shënuar golin e parë për ekipin e tij. Prençi arriti për mrekulli t’i ndalë sulmet e shumta të Gjilanit.

Agon Xhaka rikthehet në formacionin e javës, pasi bëri një ndeshje të madhe ndaj Drenicës. Mbrojtësi prishtinas i Besës ishte i pakalueshëm në defensivë, duke qenë më meritori së bashku me portierin Kolaj për pikën e fituar nga skuadra pejane.

Mesfusha:

Mohamed Darwish ka dominuar në mesfushë në ndeshjen mes Dritës dhe Trepçës ’89. Mesfushori ofensivë ishte i jashtëzakonshëm ndaj kampionit duke dhuruar dy asistime në fitoren e skuadrës së tij.

Paraqitje të mrekullueshme këtë javë pati edhe kapiteni i Llapit, Mentor Zhdrella. Për Zhdrellën vlen thënia ‘Sa më i vjetër, aq më i mirë’, pasi mesfushori llapjan tregoi klasin ndaj Gjilanit. Numri shtatë i bardhekaltërve dhuroi një asistim në golin e parë të shënuar nga Prençi dhe shënoi një gol të bukur nga distanca duke qenë lojtari më i dalluar në këtë takim.

Zeki Ademi ka bërë njërën nga ndeshjet më të mira këtë edicion me Trepçën ’89. Anësori këmbëshpejtë shënoi golin e parë ndaj Dritës dhe ishte mjaftë aktiv në krah, duke i shkaktuar telashe të mëdha mbrojtësve të kampionit në fuqi.

Në krahun e majtë vjen Leonit Abazi që ishte i pandalshëm ndaj Arbërisë. Gjilanasi ka shënuar dy gola për Prishtinën dhe bëri ndeshje të madhe për t’i siguruar skuadrës së tij tri pikë të arta nga kjo përballje.

Sulmi:

Leutrim Kryeziu ka bërë një tjetër ndeshje të madhe me Prishtinën, në fitoren 0-4 te Arbëria. Sulmuesi gjilanas shënoi një gol të bukur në këtë takim, por asistoi në një tjetër duke konfirmuar formën e mirë që po kalon.

Vendimtar në një tjetër ndeshje ka qenë Mirlind Daku për Ballkanin. Sulmuesi gjilanas shënoi në 10 minutat e fundit të ndeshjes me kokë për t’i siguruar tri pikë të arta skuadrës nga Suhareka, pikë që e ngritëin në vendin e parë në tabelë.

Por vështirë se do të vinte Daku te goli mos të ishte asistimi fantastik i Ermal Krasniqit. Anësori i talentuar u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë dhe ndryshoi gjithçka, duke ngjallur sulmin e Ballkanit. Krasniqi goditi edhe një shtyllë dhe sa ka merita Daku me golin e shënuar për pikët, aq ka edhe Krasniqi për asistimin fantastik.

Trajneri i javës:

Trepça ’89 mbeti në janar pa dy lojtarët ndër më të mirët në ekip si Milot Avdyli dhe Bismark Sie të cilët vazhduan karrierën në Evropë.

Megjithatë trajneri Shpëtim Idrizi po tregohet shumë i zoti edhe pa këta dy futbollistë, duke bërë ndeshje të mira.

‘Minatorët’ shkaktuan befasinë e javës duke mposhtur kampionin në fuqi Dritën në Gjilan, teksa ndër më meritorët ishte pikërisht trajneri mitrovicas Shpëtim Idrizi, i cili e kishte përgatitur për mrekulli ekipin për këtë takim.

Idrizi është në fillimet e karrierës së tij si trajner, por që ka treguar se e njeh mirë futbollin dhe e pret një e ardhme e ndritur si trajner. /Telegrafi/