LAJMI I FUNDIT:

FMN: Fragmentimi i tregtisë mund t’i kushtojë deri në 7 për qind të ekonomisë botërore

FMN: Fragmentimi i tregtisë mund t’i kushtojë deri në 7 për qind të ekonomisë botërore

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se fragmentimi i tregtisë mund t’i kushtojë ekonomisë botërore deri në 7 për qind.

Kostoja afatgjate e fragmentimit të tregtisë botërore ndryshon nga 0.2 për qind në pothuajse 7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), që është afërsisht prodhimi vjetor i kombinuar i Gjermanisë dhe Japonisë.

Në varësi të përkufizimit të “fragmentimit”, disa parashikime nga FMN-ja janë edhe më të zymta. Vlerësimet që përfshijnë “shkëputjen” teknologjike midis rajoneve sugjerojnë se vendet mund të humbasin deri në 12 për qind të PBB-së.

FMN rendit një numër faktorësh që kontribuojnë në rritjen e fragmentimit, duke përfshirë pushtimin ushtarak të Ukrainës nga Rusia dhe pandeminë COVID-19. Të dyja situatat kanë shkaktuar ndërprerje ndërkombëtare në furnizimet financiare, ushqimore dhe energjetike, me kufizime shtesë tregtare që shtojnë mosmarrëveshjen midis rajoneve.

“Rreziku është që ndërhyrjet e politikave të miratuara në emër të sigurisë ekonomike ose kombëtare mund të kenë pasoja të paqëllimshme ose ato mund të përdoren qëllimisht për përfitime ekonomike në kurriz të të tjerëve”, thekson FMN-ja.

Ky institucion nuk pret që të gjitha vendet të ndjejnë ndikimet e fragmentimit në mënyrë të barabartë.

Njerëzit me të ardhura më të ulëta nuk do të kenë më qasje në mallra më të lira, duke i bërë të cenueshme ekonomitë e vogla.

Ekonomitë në zhvillim do të pushojnë së përfituari nga “zgjerimi i teknologjisë” nga ekonomitë më të përparuara, të cilat në të kaluarën kanë ndihmuar në rritjen e standardit të jetesës.

Në fund, FMN-ja rekomandon tre qasje për të trajtuar fragmentimin: forcimin e sistemit të tregtisë ndërkombëtare, ndihma e vendeve të cenueshme për t’u marrë me borxhin dhe rritjen e veprimeve ndaj ndryshimeve klimatike. /Telegrafi/