“Florentino, largohu tani” – pankartat anti-Perez hiqen nga stafi i sigurisë në "Santiago Bernabeu"

Sigurimi brenda stadiumit të Real Madridit i hoqi pankartat kundër Florentino Perezit që disa tifozë arritën t’i fusnin fshehurazi në "Santiago Bernabéu".
Pasi ndeshja kishte nisur, në zona të ndryshme të stadiumit u shpalosën dy pankarta me mbishkrimet “Florentino, largohu tani” dhe “Florentino fajtor”.
Personeli i sigurisë ndërhyri shpejt për t’i hequr ato, pavarësisht rezistencës së tifozëve që i mbanin. Në fund, pankartat u konfiskuan nga stafi i sigurisë, ndërsa situata u menaxhua pa ndonjë incident tjetër të raportuar.

Ndryshe nga ndeshje të mëparshme, Florentino Perez nuk u fishkëllye shumë para fillimit të takimit dhe nuk u dëgjuan në masë thirrjet “Florentino jep dorëheqjen”, siç kishte ndodhur më herët ndaj Levantes.
Megjithatë, atmosfera në stadium mbeti e tensionuar, veçanërisht në raport me lojtarët dhe zonën VIP.

Para nisjes së ndeshjes, Perez përshëndeti tifozët nga vendi i tij dhe u pa duke folur me mbështetësit poshtë tij, me të cilët edhe bëri foto. Sipas asaj që u shfaq në pushimin e pjesës së parë nga DAZN, nuk bëhej fjalë për ndonjë përplasje, por për një moment ku Perez i kërkoi një tifozi të qetësohej që të realizonin fotografinë.

Vëmendje tërhoqi edhe shfaqja e shallëve në tribuna me sloganin “presidenti më i mirë në histori”, të cilët raportohet se shiteshin me çmim 10 euro. /Telegrafi/





















































