Mesazhet e Hashim Thaçit nga Haga

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Adresa” me Arben Ahmetin në Kanal10, ku ka rrëfyer emocionet nga vizita e shkurtër e tij në Kosovë pas vdekjes së babait.
Nga qendra e paraburgimit në Hagë, ai flet për izolimin, procesin gjyqësor, raportet e Kosovës me Perëndimin dhe sfidat politike që, sipas tij, po e përcjellin shtetin.
Mes tjerash, Thaçi ka përmendur ish-zyrtarin evropian Thorbjørn Jagland, duke e kritikuar për mënyrën se si ishte trajtuar raporti i Dick Marty për pretendimet mbi trafikimin e organeve.
Thaçi tha se kishte paralajmëruar për qasje të gabuar ndaj Kosovës dhe pretendoi se disa figura evropiane kishin vepruar në favor të narrativave që, sipas tij, i kanë shërbyer interesave të Beogradit dhe Moskës. “Ndërsa Thorbjørn Jagland si udhëheqës i Këshillit të Evropës për një dekadë e vlerësonte raportin e Dick Martyt gjoja për trafikim organesh sikur të ishin germa fjalë dhe fjali të nxjerra nga BIBLA.
I kam thënë në zyrën e tij në Strasburg: “Vështrimi juaj është krejtësisht i gabuar”. M’u përgjigj: “Të dëgjova, por jam në kontakt mirëbesimi me liderë të tjerë kosovarë”. Ai vazhdonte në të tijën, (nuk u befasova nga përfshirja e tyre në dosjen Epstein- ku qartë u zbardhen lidhjet e tyre të vjetra dhe të reja me rusët). Atë kohë unë nuk i dija, saktësisht këto lidhje, por veprimet e tyre në raport me Kosovën me kishin bindur se ata qonin ujë në mullirin e Moskës dhe Beogradit”, ka thënë Thaçi.
Intervista e plotë
Kanal l0: President, ngushëllime për ndarjen nga jeta të babait tuaj. Një numër i madh qytetarësh u solidarizuan me dhimbjen tuaj. Keni një mesazh për ta?
Hashim Thaçi: Fillimisht më lejo Arben, të falënderoj të gjithë qytetarët dhe juve personalisht për ngushëllimin dhe solidarizimin me familjen time. Me lejen e DHSK-së, para rreth një viti udhëtova nga Haga për në Prishtinë. E dija, brenga e izolimit tim mund t’ia ketë përshpejtuar keqësimin e gjendjes së babait, e cila i kushtoi me jetë.
Prindërit kanë pasur jetë jo të lehtë deri në fillimin e viteve ’80-ta, derisa katër vëllezërit dhe motra e madhe (fëmija më i madh) filluan të punonin në Perëndim. Kjo rrethanë me krijoj mundësinë, që kah mesi i asaj dekade, si nxënës e më vonë edhe si student fillestar, gjatë qëndrimit në Vjenë dhe Paris fillova të mësoj për pluralizmin, mediat e lira, shoqërinë civile, të drejtën e protestës, sindikatat, ekonominë e lirë dhe kriteret e tjera demokratike.
Në Vjenë, në muzeun “Belvedere”, e pashë nga afër shpatën e Skënderbeut; m’u duk shumë e vogël për heroizmat e mëdha të tij, për pak m’u thye miti për kryeheroin kombëtar. Në Paris, me motrën Miradije vizitova “Luvrin”, shëtita edhe përgjatë lumit Sena. Qëndrova një pasdite edhe në Versajë. Pak më tepër se një dekadë më vonë, jo larg nga Versaja, në Rambuje do të kaloja momentet më dramatike të jetës kur vendosej për Kosovën – të jetojë apo të zhduket. Këto udhëtime drejt Evropës shënojnë për mua edhe vëzhgimet dhe përjetimet e para të hapësirave të ish-Jugosllavisë.
Zagrebin, Lubjanën por edhe Beogradin… kujdes shikuesit apo lexuesit – prisni pak mos u rrëmbeni me akuzë para se ta përfundoj rrëfimin… Treni dhe autobusët kalonin përgjatë këtyre hapësirave – pikëndalesa për të shkuar në Perëndim. Atë që vëreja nga dritaret, Beogradi nuk më inspiroi. Vetëm sa më provokoi reagim në botën time të brendshme. Herën e radhës i nxitur nga entuziazmi rinor (nxënës i shkollës së mesme) desha të shkoja në Beograd, pritej të luhej ndeshja e futbollit mes Cërvena Zvezdës dhe Prishtinës. Një vendas i imi, shofer autobusi në linjën Mitrovicë-Beograd, kishte siguruar disa vende të lira në autobus dhe disa bileta për ndeshje. Informova babain se me disa shokë të shkollës doja të shkoja të përcjell ndeshjen, u befasua… ma preu shkurt, në Beograd nuk ka siguri – nuk do të shkosh. Disa prej shokëve shkuan. U zemërova paksa.
Ndeshjen e përcolla përmes valëve të Radio Prishtinës. Prishtina fitoi. U festua në qendër të fshatit, gëzimi ishte më shumë politik sesa sportiv. Babai kishte pasur të drejtë.
Unë e humba vajtjen në Beograd, por fitova lejen e prindërve të shkoja në Prishtinë, t’i përcjell ndeshjet kur të doja. Gjë që nganjëherë edhe e bëja.
Edhe dy ditët e procesit të rekrutimit ushtarak në Nish nuk mund të mos i kujtoj, natyrisht jo për të mirë. Si gjeneratë e nxënësve v. 1984-85 na hipën në disa autobusë, nga Skenderaj na dërguan në Serbi. Krejt atë që kisha dëgjuar për atë qytet, ishte se atje në një burg mbaheshin të burgosur politikë shqiptarë. Na vendosën në një kazermë-spital, u ballafaquam më shumë me eksperimente sesa analiza mjekësore. Isha ende i ri, nuk paraqisja njeriun e politikës. Por, e memorizoja gjithë atë çka shihja dhe përjetoja nëpër Serbi. Vlimet politike në ish-Jugosllavi ishin tektonike, nuk “arrita” të vesh uniformën e ushtarit jugosllav. Nuk më mbeti merak.
Si shumica e prindërve anekënd Kosovës, edhe prindërit e mi me lot në sy kishin përcjellë katër djemtë më të mëdhenj për shërbim të detyrueshëm në uniformën e armatës jugosllave, mbulesa e së cilës përfshinte hapësirën nga Trigllavi në Vardar. Thyerja e këtij rregulli ndodhi me gjeneratën time. Dihet fati të jep dhe të merr. Por, kjo ndodhi sikur mua më dha – më ngarkoi me përgjegjësi jetësore, të jem në mesin e të rinjve të parë, që do ta ndiejnë domosdoshmërinë se populli i Kosovës, si të gjithë popujt e tjerë liridashës, duhet të kenë USHTARIN dhe UNIFORMËN e vetë. Tanimë kisha kuptuar qartë tri gjëra: Si vend dhe popull ishim të pushtuar, e dyta se duam të jemi të lirë, dhe e treta se duhet bërë diçka më shumë për ta fituar lirinë.
Sa më shpesh dhe më gjatë qëndroja jashtë vendit, aq më shpejt nxitoja të kthehesha në vendlindje. Nuk arratisesha nga Evropa, por doja shumë që edhe Kosova të jetë pjesë normale e kontinentit. Ata që e kanë përjetuar e dinë, mërgimi të gëlltit prej çasti në çast, e nga dita në ditë krejt pahetueshëm, as që e merr vesh. Nuk u tundova nga mundësitë për punë në Vjenë dhe Francë. Në perëndim, shumëçka më pëlqente, shumë pak më plotësonte. Në metropolet evropiane kuptoja edhe më mirë, sesa mbrapa dhe e pazhvilluar ishte Kosova. Hapësira më e varfër në Evropë. Realiteti perëndimor dhe kosovar dallonin si dita me natën, NE nuk ishim të LIRË, e fjala “DEMOKRACI” ishte ende tabu për qarqet intelektuale dhe mjedisin qytetar.
Në Kosovë ende kishte njerëz të cilët shpresonin se mund të rehatoheshim në një vazhdimësi Jugosllave të “reformuar”.
Të besoje në Jugosllavinë e re, ishte e njëjta gjë sikurse në fillim të shekullit 20, kur edhe vetë Stambolli e dinte se Perandoria Osmane po shërbehej, derisa një numër jo i vogël i shqiptarëve ende shpresonin në hava.
Apo në kohën e rrëzimit të Murit të Berlinit-vjeshtë-dimër 1989, grupe të margjinalizuara shqiptarësh protestonin bashkë me grupe kurdësh përballë portës së Brandenburgut në Berlin-kundër bashkimit të dy Gjermanive. Të parët po shfaqnin nostalgji të ekzagjeruar, të dytët po tregoheshin injorantë të vërtetë.
I njihja disa prej “integralistëve” kosovarë. Por kisha takuar edhe disa prej “anarkistëve” të diasporës. Të dy këto rryma dogmatike i`u pështjellën nëpër këmbë lëvizjes për pavarësi deri pas çlirimit të Kosovës. Me instalimin e standardeve të demokracisë – konkurrencës së lirë, qytetarët me votën e tyre i hodhën jashtë skenës politike.
Duke u rikthyer në përgjigje më direkte pyetjes suaj, Arben: Kisha dëgjuar e lexuar për përjetimet e të burgosurve politikë shqiptarë në kohën e ish-Jugosllavisë, kur të izoluar nëpër qeli u ndodhte të informoheshun (dhe atë me vonesë) nga autoritet për vdekjën e familjarëve të tyre. Ata nuk lejoheshin të merrnin pjesë në varrim. Pjesëmarrja eventuale e njerëzve të tillë në ndonjë ceremoni publike morti, larg qoftë pjesëmarrja në ndonjë event gëzimi, sipas autoriteteve paraqiste “rrezik” dhe helmim për ambientin dhe edukimin e njeriut dhe rendit socialist-jugosllav”.
Qëkurse isha nxënës kisha lexuar një intervistë që e kishte zhvilluar shkrimtari dhe publicist nga Buroja, Nebil Duraku me Adem Demaçin ende pa lindur unë, në fillim të viteve gjashtëdhjeta në njërën nga revistat në gjuhën shqipe të asaj kohe. Në trevën ku u linda dhe u rrita, kjo bisedë e Demaçit bartej prej gjenerate në gjeneratë. Opinione thumbuese për sistemin monist. Më vonë kuptova edhe më qartë se si Demaçi i dha kuptim idesë politike për Republikën e Kosovës – e transfomoi atë në vullnet dhe kërkesë gjithëpopullore.
Ai ishte shndërruar jo vetë simbol vuajtjeje kombëtare, por edhe ide dhe kauzë LIRIE për shqiptarët e ish-Jugosllavisë. Përpos rrethanave dhe faktorëve të tjerë, izolimi i tij fizik ndikoi në legalizimin e flamurit kombëtar, autonominë e v. 1974, hapjen e universitetit dhe institucioneve të tjera të rëndësishme lokale. Emri i tij e ruajti dashurinë kosovare për Shqipërinë, i distancoi shqiptarët nga Jugosllavia, e filloi internacionalizmin e emrit të Kosovës dhe shkeljes së të drejtave të njeriut. Ai foli dhe shkroi hapur atë që mendonte për idenë politike për Kosovën jashtë Jugosllavisë, madje edhe përballë gjykatësve: Kështu Demaçi hodhi farat e para – është ati i pluralizmit politik dhe mendimit të hapur në Kosovë.
Me erdhi keq, kur në fillim të v. 2011, Demaci si njëri nga kandidatët më potencial për tu zgjedhur president, pasi siguroi mbështetje të mjaftueshme, në fund u refuzua nga ata që përbetoheshin se ishin “studentët” e tij politikë.
U zhgënjye, jo pse nuk u zgjedhë, por nga keqpërdorimi i emrit të tij dhe mashtrimi që ia kishin bërë. 16 shkurt 2008. Në mbrëmje pasi që me ekipin tim kisha përmbyllur të gjitha përgatitjet për seancën e nesërme kur në parlamentin e Kosovës do të shpallej pavarësia, ndjeja se diçka nuk po shkonte, diçka shpirtërisht më mungonte. Doja ta takoja Demacin. E kisha informuar se atë fundjavë duhej të rrinte në Prishtinë. Por zemra më tha “ kjo nuk mjafton”, ai nuk ishte njeri që bënte yrysh pas ftesave të pushtetarëve, në veçanti në zyrat e tyre. Doja ta vizitoja në shtëpi, por ai vendosi të vinte në zyrën time. Në një atmosferë shumë miqësore më tha: “Boll kemi ecë në këmbë e krye si popull, por mirë na doli në fund, mos dëgjo shumë në të majtë e në të djathtë, poshtë e lartë por kryje këtë punë – nesër do të jem aty”.
E informova se shteti i Kosovës do të këtë edhe flamurin, himnin dhe simbolet e veta, m’u drejtua: “Bacë, po bëhet shteti, mos humb kohë pas ngjyrave e tingujve të muzikës, sot nuk janë punët tuaja këto”.
E lexoi edhe përmbajtjen e tekstit të deklaratës e cila do t’u ofrohej deputetëve për votimin dhe nënshkrimin. Pas konsultimit më këtë njeri të letrave dhe humanist u ndjeva i lehtësuar dhe më i shtrënguar për ditën e bekuar që po vinte për popullin e Kosovës – pas 2000 vitesh përpjekje dhe sakrifice.
Duke vazhduar rrëfimin e filluar në rreshtat e mëpershëm, në Shkurt 1989 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, si student isha pjesëmarrës aktiv i grevës së urisë në solidarizim me minatorët e Stari-Tërgut. Në mesin e profesorëve që qëndronin ulur me studentët ishte prof. Hajrullah Gorani, një nga bisedat që zhvillonte me ne, papritmas po dëgjoja atë që askush deri atëherë nuk kishte thënë kaq hapur në mjedise publike: “Tani qe minatorëve po ju vijnë telegrame solidarizimi nga Sllovenia dhe nga sindikatat e vendeve perëndimore, e ju studentëve nga lëvizje rinore të Evropës, duhet të veprohet që edhe punëtorët kosovarë të kenë sindikatat e pavarura, pastaj shoqatën tuaj të studentëve. Në Prishtinë duhet të kemi edhe organizatat për të drejtat e njeriut. TVP-ja dhe Rilindja janë hapur pak, por duhet të kemi edhe gazeta dhe televizione tjera, e pse jo edhe sistemin me shumë-parti…krejt këto iniciativa të jenë jashtë sistemit të partisë (shënim i imi – LKJ-së)” dhe në fund tha: “Besoj edhe Demaçi do të lirohet shpejt nga burgu, nuk mund ta mbajnë më tutje”. U befasova nga guximi, por edhe u inkurajova shumë prej fjalëve që po dëgjoja.
Vetëm pak ditë pas grevës, nga autoritetet serbe qendra e studentëve u mbyll.
Pak kohë para së të mbahej manifestimi i 600 vjetorit të betejës së Kosovës në Gazimestan – qershor 1989 kur pritej të vinte S. Millosheviqi, siç edhe e bëri. Disa studentë mendonim se duhej të organizonim demonstrata, u takuam me Prof. Fehmi Aganin: “Ju nuk duhet të bëheni mish për top, kështu si po ecin gjërat, për pak kohë, edhe ne do t’i bëjmë partitë, gazetat dhe shoqatat…prandaj mos bini në grackën e ngritur prej Millosheviqit”. U tërhoqëm nga iniciativa e protestës në rrugët e Prishtinës. Me siguri serbët do të përgjigjeshin me dhunë. Në fund të të njëjtit vit filluan të ndodhin gjërat për të cilat kishin paralajmëruar profesorët Gorani dhe Agani…themelimi dhe regjistrimi i partive politike shqiptare me lejen e autoriteteve zyrtare të atëhershme, ndërsa Demaçi u lirua në Prill 1990.
Atë kohë vec kishte filluar të shpërndahej revista “Alternativa”, gazeta e parë e pavarur në gjuhën shqipe në Kosovë e regjistruar në Slloveni. Pati ndikim të jashtëzakonshëm tek studentët dhe në tërësi opinionin pubik kosovarë.
Si përfundim: duke u kthyer në Prishtinë, për t’i thënë lamtumir babait nuk mund të imagjinoja së një gjë e tillë mund të ndodhte në shek. XXI, në kontinentin evropian, ku e drejta bazë njerëzore po trajtohej si çështje konspirative, paragjykuese apo teknike.
Fenomene të tilla kisha memorizuar edhe nga kujtimet e përvojave të nobelistit A. Solzhenitsyn (ish BRSS), si dhe jetën sfiduese të N. Mandela i izoluar në ishullin Robben në përballjen e tij me politikën e aparteidit në Afrikën e Jugut. Ndarja nga jeta e babait më forcoi kuptimin edhe më tepër se jeta është art, të cilës duhet t’i japësh sa më shumë kuptim, karakter, dinamizëm dhe ngjyra. Çdo frymëmarrje dhe përjetim të atyre ditëve e kam të gdhendur në memorie, e kam episodik në nënvetëdije. Pra, të shndërrohesh në përjetësim, apo rikthim në botën jofizike krejt pahetueshëm. Babai i dha familjes dhe botës që jetoi dhe rrethonte atë që mund t’i jepte. Lamtumira e tij ishte e qetë dhe e përndritur.
Kanal l0:. Çfarë patët mundësi të shihni ato ditë në Kosovë? Qytetarët ju përshëndetën si në QKUK ashtu edhe gjatë homazheve – si e përjetuat këtë?
Hashim Thaçi: Jam i ndalur- viti i gjashtë po ecën. Kur aterrova në Kosovë, shpirti m’u freskua për pak orë. (isha nën mbikëqyrjen e DHSK-së). Në QKUK spontanisht kisha mundësinë, jo fizikisht por nga distanca, të përshëndetesha me qytetarë. Ishte përjetim i rrallë. Çdoherë do ta ndiej peshën dhe energjinë e atyre shikimeve ngushëlluese dhe inkurajuese. Në izolim, pas verifikimit nga administratorët e qendrës së paraburgimit, kam pranuat letra mbështetëse dhe solidarizimi. E vlerësoj pamasë, edhe pse në pamundësi për t’u takuar fizikisht, atë të cilën po e ndieni, nuk po denjoni ta hidhni në letër. Është dëshmi e përjetshme sagës . Kësaj radhe, për shikuasit tuaj kam përzgjedhur pjesë të tri prej tyre, në të cilat thuhet:
Kongresmeni Tony Hall (letër e bërë edhe publike): “Ishte dëshira ime e zjarrte të takohesha me ju personalisht… Pavarësisht se nuk mund t’ju takoj, nuk jam i dekurajuar të vij tek ju, vetëm disa metra larg jush, këtu jashtë mureve të burgut ku ju po mbaheni. Kështu, së bashku me ju, do të ndajmë të njëjtën tokë dhe të njëjtin ajër…Prandaj mos u dekurajoni nga fakti se nuk mund të ulem sot së bashku më ju, pikërisht jashtë këtyre mureve! Vij edhe me miq të tjerë që doja t’jua prezantoja; shoqëria jonë po rritet, pavarësisht kufizimeve qe kanë vënë ca njerëz! Kjo është nga pikat e forta të besimit tonë, prandaj mbahuni të fortë dhe të guximshëm…Mos harroni se edhe pse jeni të mbyllur atje, forca juaj e vërtetë është Zoti. Kur mendoj për situatën tuaj, më kujtohet forca që unë dhe miqtë e mi përjetuam kur punuam për pajtim në Tokën e Shenjtë… Ju jeni në mendjet dhe lutjet e shumë miqve gjithandej. Andaj, edhe pse jeni të burgosur, kjo nuk ju pengon të vazhdoni të bëni mirë. Ju miqtë e mi, keni ende shumë për të bërë dhe mund të bëni gjëra të mëdha për familjet dhe vendin tuaj… Mbahuni të fortë dhe të guximshëm; keni ende shumë për të bërë…”
Laurita Krasniqi, student nga Gjakova, me studime jashtë vendit: “… E vërteta do të triumfojë… Edhe pse jam e re, ndiej përgjëgjsi të madhe për të shprehur mirënjohjen dhe respektin tim… Nësë do të kisha mundësinë të ndryshoja të kaluarën do të doja të isha unë ajo që qëndron në gjykatë si dëshmitare, për t’i treguar botës se çfarë do të thotë liria për popullin tonë, për luftën e drejtë të Kosovës dhe për vlerat që ju dhe gjenerata juaj keni përfaqësuar dhe mbrojtur gjithmonë… Doja t’ju takoja… është një ëndërr që lidhet me mirënjohje, respekt dhe frymëzim… Duam t’ju shohim të fortë ashtu siç jemi mësuar t’ju shohim gjithmonë!”
Tutje, Erza Munishi njëra nga nxënëset e shkollës “Faik Konica” në Prishtinë ishte shumë prekëse në letrën e saj: “Kam lindur në vitin 2008; i takoj brezit të artë – të pavarësisë. Të lindesha në vendin tim ka qenë mirë, por të rritem në vendin tim është gjë edhe më e mirë… Kosova ka përparuar, por për të ardhur deri këtu kemi pasur shumë vështirësi: LUFTËN. Përdërisa lufta është çnjerëzore dhe gjëja më e largët nga e mira… sot jetoj në një shoqëri ku lëndimi është i thellë, por dashuria gjithnjë mbizotëron… Kam mësuar se lufta është e ligë, por njerëzit nuk janë. Ju rezistuat që ne të arrijmë këtu; ju sakrifikuat për njerëzit dhe vendin tonë… për fëmijët si unë… Kam besim te njerëzimi… Ju na keni treguar se ne mund t’ju besojmë!”.
Daniel Serwer më vizitoi kohë më parë në hapësirën e paraburgimit. Rreth këtij takimi, ai është shprehur publikisht. Disa herë kam qenë folës në Institutin për Paqe në Washington, të cilin ai e udhëhoqi për shumë vite.
Serwer bashkoi në Lansdowne të SHBA-ve lidershipin, OJQ-të dhe mediat shqiptare menjëherë pas lufte për të nxjerrë deklaratën e zotimeve për të ardhmen demokratike të Kosovës. Për të vazhduar në Airlie House po në SHBA, në takimin gjithëpërfshirës kosovar pak para zgjedhjeve të vitit 2001. Dokumentet që u nxorën nga këto dy konferenca u bënë udhërrëfyese, më vonë edhe për deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Serwer si dhe unë (nëse veç duhet theksuar) ishim mbështetës të themelimit të DHSK-së nga vetë Kosova, në asnjë mënyrë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, (ku do të involvoheshin Kina dhe Rusia). Në analizën e tij lexova dilemat që kishin ngritur rreth këtij procesi. “Nuk e kisha besuar kurrë që “Dhomat Speciale” do të bënin atë që bëjnë”, sipas tij “mashtrim me pretekst… askush në të ardhmen nuk ka shumë gjëra që nuk shkojnë në një Tribunal të tillë” për të vazhduar “Ky proces jep përshtypjen se po kriminalizohet vetë revolta kundër shtypjes serbe… Sigurisht UÇK-ja ishte e paligjshme sipas ligjeve serbe, ashtu si revolucioni amerikan ishte i paligjshëm sipas ligjeve britanike. Por SHBA dhe NATO e mbështetën UÇK-në sepse besonin se kauza ishte e drejtë”… dhe përfundon: “shpresoj që vendimi të mos ndikohet… në këmbim të qindra milionave euro që janë investuar në këtë proces”.
EDHE UNE DUA TE BESOJ
Kanal l0: A po arrini t’i ndiqni zhvillimet në Kosovë? Si i komentoni ato?
Hashim Thaçi: Lexoj dhe dëgjoj për zhvillimet e përgjithshme. Nuk dua të komentoj gjërat e përditësuara. Jemi të ndryshëm dhe mendojmë ndryshe. Për çështjet madhore do të duhej të tregojmë unitet shtetëror. Fatkeqësisht shoqëria dhe shteti po privohen në kohë dhe mundësi. Si në jetë po ashtu në sferën politike, faktori kohë nuk paraqet vetëm lëvizje të akrepave, stinëve, viteve apo dekadave – faktori kohë në vendimmarrje është kritik, vendimtar, shumë i vlefshëm dhe më i shtrenjti. Imagjinoni për një moment sikur të mos kishte ndodhur intervenimi i NATO-s në Kosovë para 11 Shtatorit 2001, dhe ndërhyrjeve amerikane dhe shteteve të tjera perëndimore në Afganistan dhe Irak, neutraliteti, heshtja apo indiferenca në përballjen mes persekutuesit dhe viktimës do ishte plandosëse për Kosovën.
Kanal l0: A ndieni se kohët kanë ndryshuar? A vëreni një polarizim të madh në shoqëri?
Hashim Thaçi: Sot, demokracia në Kosovë, jo rrallë, po lejohet të cenohet nga politika; dominon heshtja. Dua të theksoj, jo rrallë mosdeklarimi për veprimin e gabuar, kuptohet dhe interpretohet si DEKLARIM, mosveprimi si TOLERIM nëse jo edhe PAJTIM. Heshtja dhe indiferenca është karakteri dhe fytyra e së keqes. Në situata të ndryshme mund të duket si ilaç, por me kohë mund të shndërrohet në helm.
…
Kosova nga brenda e ndarë si shoqëri dhe nga jashtë e izoluar nga Perëndimi. Nuk është ajo që duam ta shohim. “Do të jeni shembull për studim” më tha kohë më parë një miku im diplomat ndërkombëtar, në mjediset e vizitorëve në qendrën e paraburgimit: i cili vazhdoi të më pyeste. Si është e mundur që qytetarët kosovarë të jenë më pro-amerikanët në botë dhe më pro-evropianët në Evropë, ndërsa shteti i tyre të jetë i sanksionuar nga SHBA-të dhe BE-ja? Duke u ndarë me humor ai konstatoi se “një fenomen i tillë nuk i ka ndodhur asnjë shteti dhe shoqërie evropiane, së paku në këto rreth 80 vitet e fundit”. Ato çaste rikujtova bisedën që kisha zhvilluar me ambasadorin R. Holbrooke në verën e vitit 1999 në Prishtinë, pas takimeve që kishte zhvilluar me segmente të ndryshme të shoqërisë kosovare, çuditshëm m’u drejtua: “Hashim, më trego pse njerëzit po shfaqen, apo po më duken aq të befasuar, të papërgatitur dhe të hutuar me lirinë e fituar?” Bashkëbiseduesit të parë i mbeta borxh… nuk mund t’ia jepja përgjigjen që e mendoja, ndjeja dhe realisht e besoja për shkak të rrethanave ku zhvillonim bisedën… Përgjigja ime për Holbrooke-un: “arsye prej më kryesoreve është se kurrë si popull nuk kemi jetuar të lirë… po mësohemi, LIRIA ka qenë e huaj, e paprekshme, e përjetuar krejt imagjinare – kemi jetuar me frikë, të pushtuar, por duke protestuar… për emocionet pozitive dhe besimin në të ardhmen na duhet ende kohë… e kemi arritur çlirimin fizik, por jo lirinë psikologjike… po jetojmë ditët e çlirimit dhe lirisë së befasishme… por më e rëndësishmja është nuk do të ketë kthim prapa… pesë shekuj shpirt robi”. Kjo është vetëm copëz e bisedës. Këndvështrimi besoja se i përgjigjej realitetit politikë, socio-ekonomik dhe fizik v. 1990-2000.
Natyrshëm kanë ndryshuar kohërat dhe njerëzit; me rëndësi nga objektivat strategjike nuk duhet të shmangemi. Sepse, pavarësisht polarizimeve, edhe pas 1999-s, kemi ditur të bashkohemi. Duke filluar nga zgjedhjet e para parlamentare, ka dominuar kultura apo një lloj kodi i marrëveshjes, produkt i së cilës dolën institucionet – bashkëqeverisëse v. 2001-2004. Ishte koha kur filluam të punonim në procesin “Standardet para Statusit”, si bazament demokratik para shpalljes së pavarësisë. Në vitet vijuese 2004-2007 u ruajt uniteti shtetformues pozitë-opozitë, shoqëri civile dhe media përmes Ekipit të Unitetit.
Në fund të v. 2007 krijuam shumicë absolute qeverisëse; duke bashkëpunuar efektivisht me opozitën, arritëm pikën pivotele të historisë – shpalljen e pavarësisë. I tillë ishte edhe rasti i zgjedhjes konsensuale për President (v. 2011). Në verë të v. 2014 filloi padrejtësisht dhe befasisht logjika e “linçimeve” dhe frymës joperëndimore, ngërç me pasoja të shumanshme. U godit rëndë legjitimiteti qytetar, por përsëri u arrit zgjidhja. Në vitin 2016 zgjedhja e Presidentit kaloi lehtësisht, edhe pse me zhurmë. Në vitet e mëvonshme niveli i marrëveshjeve politike ra për tokë.
Saktësisht, sot 05/03/26 po konfirmohet se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja elektorale. Kjo është e tepërt për demokracinë e re dhe qytetarët e lodhur kosovar.
Sot, përsëri, do të duhej të dominojë interesi shtetëror përtej orientimit të ngushtë partiak. Dikush mund të thotë Thaçi nuk është vetë në skenë politike e tash po e bën moralizuesin. Kjo nuk qëndron absolutisht. Përkundrazi gjithë jetën kam qenë dhe jam ambicioz, i madh bile. Por, edhe kam punuar shumë për realizimin e qëllimeve: të lirisë dhe pavarësisë, ka mbetur edhe integrimi në NATO dhe BE. Ata që duan të futen në politikë, shkencë, media, sport, biznes apo aktivitete tjera kultivuese apo garuese madje edhe nëse ia mësyjnë për Hoxhë apo Prift, nëse nuk kanë ambicie mos të futen fare, sepse veç bëhen barrë për të tjerët. Pa ambicie nuk realizohet asnjë synim. Politika për mua kurrë nuk ka qenë llotari, por as guidë e zbrazët. Janë jo të paktë ata që e barazvlerësojnë ambicien dhe karrierizmin. JO. Janë dy kategori mendimi, sjelljeje dhe veprimi shumë të dallueshme. Nuk i ndan fija perit, por vlera dhe deri ku antivlera.
Ambiciozi ëndërron, por edhe realizon gjëra që për disa mund të jenë të paimagjinueshme.
Ne, ëndërruam lirinë, e fituam. Ëndërruam pavarësinë, e shpallëm. Ëndërrojmë NATO-n dhe BE-në, jam i sigurt do ta arrijmë. Për standardin tim, ambicia dhe përgjegjësia duhet të ecin paralelisht. Personalisht, kam hapur rrugë tri herë: më 2001 dhe më 2014, kur – edhe pse kisha fituar zgjedhjet bindshëm për mandatin e tretë dhe isha njeriu më i votuar në vend – si fitues u tërhoqa nga zyra e kryeministrit. Në prag të sjelljes sime në Hagë nëntor 2020, kisha të drejtën kushtetuese edhe ligjore të ngrija postin e presidentit, dhashë dorëheqje të parevokueshme. E dija, dhe u tregua, se nuk u përmbys bota. E kundërta. Në politikë, jo rrallë një hap prapa të hap shtigje të reja, por mund edhe të të fundos. Varet si e menaxhon tërheqjen për çfarë motivi apo për çfarë kauze ndërton për rikthim. Por, mbi të gjitha duhet që gjërat të merren shtruar, me durim, të mundet egoja, inati dhe interesi i ngushtë. Jo edhe aq e lehtë, veçanërisht për mentalitetin tonë politik arrogant… të jesh apo të mos jesh… shpesh edhe arkaik në Ballkan.
Kanal l0: A mendoni se kompromisi dhe mirëkuptimi, veçanërisht në raport me bashkëjetesën shumetnike, po cenohen?
Hashim Thaçi: Sa më të përfaqësuara të jenë komunitetet, aq më efektiv do të jetë shteti. Nuk ka integrim në Perëndim pa respektimin dhe integrimin të tyre. Institucionet të vlerësojnë vendimet dhe hapat – çfarë është mirë dhe racionale për vendin – përballë të keqes dhe jo-racionales. Për të drejtat e qytetarëve nuk ka rrugë të ndërmjetme. Shteti nuk duhet të ngjallë dilema apo të ndërtojë narrative konspirative negative për asnjë segment të shoqërisë. Pengimi i integrimit të serbëve kosovarë në institucione do të ketë efekt negativ; paraqet gabim. Vazhdimi i lëndimit të raporteve të bashkëjetesës shumetnike është cenim i shtetit. Por, përballë ligjit nuk duhet të jetë askush imun, pavarësisht përkatësisë etnike. Sa më mirë të jenë minoritarët, Kosova do të jetë dhe do të duket edhe më mirë.
Kanal l0: Çfarë ju mungon më së shumti në këtë kohë izolimi?
Hashim Thaçi: FAMILJA DHE LIRIA. DRITA DHE NGROHTËSIA E ATDHEUT. Si dhe mundësia, për të ndihmuar për rikthimin e dashurisë, respektit dhe krenarisë së qytetarëve për Atdheun dhe Shtetin.
Kanal l0: Shtatëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, si e vlerësoni zhvillimin e Kosovës dhe veçanërisht konsolidimin e saj ndërkombëtar? Ka pasur ngecje?
Hashim Thaçi: Po mbushen 28 vite të lirisë dhe gati dy dhjetëvjeçarë shtet. Nuk është e lehtë të fillosh nga themeli ndërtimin e shoqërisë demokratike dhe shtetit. Kosova ka harmoni dhe diversitet specifik politik, gjeografik, etnik, kulturor, fetar, gjuhësor, ka edhe potencial ekonomik – në veçanti sektori i ndërmarrësisë private etj. Tani, është me interes të ndodhë qartësi, e bazuar në racionalitet. Historia e krijimit të Kosovës është e qartë, nuk është stisur apo gjëegjëzë, sikurse e ardhmja nuk duhet bazuar në RRËFIME FALLI APO LEXIME HOROSKOPI. Kosova duhet të dëshmohet se ka alternativë… të mos mbetet në infinit. …
Kosova është pikë shumë e vogël në hartën e madhe të botës. Por arritjet deri para pak vitesh ishin të mëdha. Sanksionet ende në fuqi nga ShBA-të dhe BE-ja, paraqesin cenim të thelbit dhe zemrës së shtetit. Izolimi nga perëndimi është vetëvrasje kombëtare dhe shtetërore. Përderisa janë në fuqi sanksionet nga bota perëndimore – nuk mund të ketë DITË TË BARDHË për popullin e Kosovës.
Nuk jam skeptik – larg qoftë të ndjell frymë skepticizmi apo frikë: Sepse, askush nuk do të na cenojë fizikisht, do të kemi ushqim dhe pije me bollëk dhe popullzim sa të duam, do të dëgjojmë me zë buçitës këngë patriotike apo për nostalgjikët edhe këngët rapsodike të “KRAHINËS” apo “ZAGREBIT” etj. Lirshëm do të këndojmë e thurim vargje fushave, përrenjve, kreshtave, maleve me lisa, kodrinave të bukura, madje edhe lumenjve me pak ujë të rrjedhshëm e shumë arave djerrinë të Kosovës. Askush nuk do të marrë guximin të na ndalojë flamurin kuq e zi me përkrenaren e SKËNDERBEUT, nga disa (sorrën e zezë) apo flamurin shtetëror — “LARA-LARA” të THAÇIT. Pakkush në botë do të zemërohet nëse edhe më tutje përçahemi dhe ndahemi mes veti. Askush në perëndim nuk do të mërzitet nëse me mijëra qytetarë në vit e braktisin vendin – e ne i listojmë si ulje papunësie.
Por, diçka që mund të na mungojë-është përkrahja PERËNDIMORE. Ky drejtim është i gabuar nuk është taktikë, strategji, interes nacional, vlerë e as vizion. Kjo qasje është pa stil, pa formë dhe pa përmbajtje. Janë sjellje dhe veprime instinktive negative-me përshtypjen e të frikësuarit. Edhe pse vëmendja perëndimore për Kosovën është më e ulëta në tri dekadat e fundit, interesimi ynë për SHBA, BE dhe NATO – duhet të jetë shumë i madh – duhet të jetë sa vetë jeta jonë.
Tani slogani i Njohjes “de fakto” u zhduk. Pranimi DE FAKTO pa njohjen DE JURE është mashtrim publik dhe politik pa asnjë vlerë juridike. Dialogu me “njohjen në qendër” u zhbë. Sot, madje nuk ekziston as në kokë, as në bel, e as në bisht. Çka më tutje? Jam optimist dhe besoj tek zgjuarsia qytetare.
Kanal l0: Si e parashikoni të ardhmen e rajonit të Ballkanit? A ka gjasa që Kosova dhe Serbia të arrijnë ndonjëherë një paqe të qëndrueshme?
Hashim Thaçi: Serbia dhe Maqedonia, më herët dukej se ishin në rrugë të mbarë, sot nga gabimet e tyre kanë ngecur jo pak. Bosnja dhe Hercegovina është rast më i komplikuar për shkak të ndarjeve etnike, dhe cenimit të marrëveshjes së Dejtonit. Mali i Zi ka avancuar shumë.
Shqipëria: qartësisht është kampione, brenda pak viteve do të jetë pjesë e BE-së. Rezultatet janë të dukshme dhe të prekshme. Edi siç po duket, ka vendosur ta bëjë Shqipërinë dhe shqiptarët pjesë të plotë të familjes perëndimore… me hir a me pahir.
Suksesi i Shqipërisë do të duhej të shndërrohej në mundësi dhe fuqi edhe për Kosovën. Nuk jemi edhe aq patriotë siç e glorifikojmë veten… por edhe nuk jemi aq qyqarë sa na paraqesin mohuesit… ngjajmë me popujt e tjerë me të mirat dhe vlerat, por edhe të metat dhe dobësitë.
…
PO: Kosova dhe Serbia mund dhe duhet të arrijnë paqe të qëndrueshme. Hendeku i urrejtjes serbo–shqiptare është i thellë. Urrejtja ngjall vetëm hakmarrje; askënd nuk e ka çuar drejt mirëqenies e zhvillimit. Dëgjoj zëra lokalë dhe faktorë ndërkombëtarë madje edhe me ndikim që po sugjerojnë se ky proces duhet të ndodhë hap pas hapi – nga perspektiva e tyre komode akademike apo diplomatike edhe mund të kenë të drejtë – por unë mendoj se do të duhej të ndodhnin veprime të vendosura për zbatimin e marrëveshjeve.
…
Imagjinoni kur të arrijë koha e vënies së demarkacionit mes Kosovës dhe Serbisë. Uroj që kjo ditë të vijë shpejt. Sepse nënkupton njohjen formale të Kosovës. Përderisa Kosova do ta prezantojë të drejtën e vet, po ashtu Serbia pretendon se i ka vijat e veta; në anën tjetër, KFOR (NATO) — të mos befasohemi — mund të nxjerrë hartat, mbi bazën e të cilave është dislokuar dhe vepron nga viti 1999, sipas Rezolutës 1244. Mund të ngrihen pikëpyetje. Mund të ndodhin “kokëdhimbje”.
Temperatura është ngritur lart; nuk ulet me disponime ditore apo me “prekje butoni”. Nuk jemi të parët në histori që kemi qenë në konflikt me njëri-tjetrin:
• SHBA–Japoni, nga Pearl Harbor deri në Hiroshima e Nagasaki – secila më e tmerrshme se tjetra – por në fund të luftës dominoi arsyeja dhe interesi për ndërtimin e një partneriteti strategjik prej më të suksesshmëve në botën e demokracisë pas vitit 1945.
• Gjermani–Francë: nga mosmarrëveshje e urrejtje historike, pas Luftës së Dytë Botërore, transformuan interesat dhe vlerat e tyre në shërbim të paqes e zhvillimit – tutje si bërthamë për Bashkimin Evropian.
• Veçanërisht Gjermani–Poloni apo Çeki-Gjermani: nga gjërat e rënda që u kanë ndodhur, sot janë partnerët më të ngushtë evropianë, edhe pse ende me çështje të hapura në veçanti atë të reparacioneve të luftës dhe shpagës për viktimat.
E di se nuk mund t’i transformojmë shqiptarët në francezë, polakë apo çekë – as që duhet të bëjmë përpjekje… e as serbët në gjermanë. Gjithashtu jam i vetëdijshëm se ne nuk i kemi dhënë Perëndimit trashëgimi të dijeve dhe kulturës së amfiteatrove të Krakovës apo Pragës, apo mrekullinë e shkëlqimit të ideve të Balzakut dhe Gëtes. Por, nuk duhet të ndihemi dhe sillemi inferiorë siç bëjmë jo rrallë.
Ne i kemi dhënë botës mbrojtësin e Evropës SKËNDERBEUN, pastaj NËNË TEREZËN simbolin e urtësisë, shërbesës, shpresës dhe dritës mes njerëzve pa dallim etnie, gjuhe apo ngjyre. I kemi dhënë njerëzimit edhe gjeniun e letrave I. KADARE. Prandaj botës t’i afrohemi me vlera dhe vlerësimin që na bëhet. Gjeografia e globit është tabloja e plotë e historisë së lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Gjenerata e re është me fat, që po i jeton dhe gëzon përparësitë që solli liria, shteti dhe demokracia.
…
Për zhvillimet e reja në Serbi, më duket i papjekur entuziazmi në disa mjedise mediale apo politike në Prishtinë e Tiranë. Historikisht asnjë regjim i Serbisë nuk është sjellë korrekt me shqiptarët. Në Beograd mund të ndryshojnë emrat e zyrtarëve, toni dhe taktika, por jo qëllimi. As nga opozita serbe nuk shoh ndonjë zotim për sjellje evropiane në relacion me Kosovën.
Në Serbi, sipas matjeve të fundit publike, besimi për BE-në ka rënë në nivel shumë të ulët; për SHBA-të edhe më i ulët; për NATO-n, disponimi vazhdon të jetë shumë armiqësor – dëshmi se tek të rinjtë serbë ende po rritet nacionalizmi. Suksesi apo mossuksesi i Kosovës ka një adresë: Prishtinën. Qartësisht, për liderët e Beogradit njohja e shtetit të Kosovës paraqet edhe sot vijë të kuqe. Me gjasë kjo mund të vazhdojë së paku derisa në Moskë sundon Putini…
Mund të ndodhë vetëm ndonjë mrekulli, marrëveshje Uashington–Moskë, për çka ende jam skeptik. Diçka të tillë ma kishte thënë Presidenti Clinton gjatë një takimi në New York në v. 2011: “Ju (Kosova) nuk keni mundësinë ta bindni Serbinë as Rusinë që ta njohë Kosovën; këtë punë mund ta bëjë vetëm Uashingtoni.” Ishte pikërisht kjo strategji e Clintonit që e detyroi Millosheviqin të kapitullonte në qershor 1999, përballë diplomacisë së treshes Ahtisaari–Talbott–Chernomyrdin. Pak pas kësaj bisede me Clintonin, shpërthyen revoltat e Pranverës Arabe v. 2011 (në Tunizi, Egjipt, Libi, Siri, etj).
Bota u ngatërrua shumë; Rusia mori rol aktiv për të keq; ndodhi sulmi ndaj diplomatëve amerikanë në Bengazi; rritja e ISIS-it dhe grupeve të tjera terroriste; fuqizimi i grupeve “proxy” të Iranit në Lindjen e Mesme; pushtimi rus në Krime, marrëveshja e gabuar e Minskut, tërheqja e Obamës pas kërcënimit për sulm në Siri. Vëmendja dhe angazhimi për Kosovën u zbeh dhe u zhvendos.
Rusia nuk ka pasur ndonjë shtysë për njohjen e Kosovës. Këtë e vërtetova edhe gjatë takimit me Putinin në nëntor 2018. Në bisedën e shkurtër, të lehtësuar nga partnerët, në Paris në pikë të ditës në pallatin presidencial Elysee në prezencë të Presidentit Trump, zj. Merkel, nikoqirit Macron dhe liderëve të tjerë botërorë, në pyetjen time të drejtpërdrejtë se cila është mundësia që Rusia ta njohë pavarësinë e Kosovës, Putini u përgjigj shkurt: “Arrini marrëveshje mes veti (Kosovë–Serbi); Rusia atëherë lëviz. Deri atëherë, Moska mban qëndrimin e tanishëm.” Serbia, në raport me Kosovën, ende lëviz për aq sa e toleron Putini. Por, në të ardhmen e afërt Serbia mund të lëvizë për aq sa e shtrëngon Trump.
Mundësia që normalizimin ta arrijë Brukseli më duket e vagullt. Me gjithë vlerësimin personal për të ngarkuarin e ri të BE-së për çështjen e dialogut z. Sorensen. Për rolin negativ që do të luanin për Kosovën M. Lajçak dhe Borrell i kisha paralajmëruar liderët aktualë të Kosovës, qysh në ditët e para të ngjitjes së tyre në majë të pushtetit (fillim të v. 2020). U desh të kalonin katër vite për t’u kuptuar roli jo ndihmues i tyre. Ndërsa Thorbjørn Jagland si udhëheqës i Këshillit të Evropës për nje dekadë e vlërsonte raportin e Dick Martyt gjoja për trafikim organesh sikur të ishin germa fjalë dhe fjali të nxjerra nga BIBLA.
I kam thënë në zyrën e tij në Strasburg: “Vështrimi juaj është krejtësisht i gabuar”. M’u përgjigj: “Të dëgjova, por jam në kontakt mirëbesimi me liderë të tjerë kosovarë”. Ai vazhdonte në të tijën, (nuk u befasova nga përfshirja e tyre në dosjen Epstein- ku qartë u zbardhen lidhjet e tyre të vjetra dhe të reja me rusët). Atë kohë unë nuk i dija, saktësisht këto lidhje, por veprimet e tyre në raport me Kosovën me kishin bindur se ata qonin ujë në mullirin e Moskës dhe Beogradit.
Qëndrimi i Presidentit Trump, se “njohja e ndërsjellë duhet të jetë element thelbësor i normalizimit afatgjatë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë” shërben si kundërpërgjigjes. Trump dhe administrata e tij, na mbështeti për krijimin e ushtrisë, v. 2018. Nga ai dhe njerëzit e tij, si president i Kosovës mora pëlqimin për themelimin e Ushtrisë së Kosovës: “jeni vend sovran, ju takon e drejta për ushtri”. Kaq mjaftoi që të ndërmerren hapat e tjerë procedural për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Pastaj, ndodhi përkrahja unike nga Këshilli i NATO-s. Ftesa për pjesëmarrjen e Kosovës në “BORDIN E PAQES” ishte mundësi për rikthim në botën ku mungoi për pesë vite. Duhet tu jemi mirënjohës miqve në DC që mundësuan të ndodhë kjo. Ishte respekt për popullin e Kosovës, e jo vlerësim për atë apo këtë lider.
Tash kur jemi në ditën e tetë të konfliktit të gjerë në lindjen e mesme (sulmi mbi Iranin dhe kundërpërgjigjet), dhe zgjedhjet midterm në SHBA, mbetet të shohim si do të vazhdoj funksionimi i këtij Bordi. U dëshmua se mallkimet e mëhershme të disa liderëve kosovar ndaj Trump ishin më tepër se gabim politik. I kisha paralajmëruar mos të flasin me frymë në fyt. Sot, për aq sa më vjen mirë, po aq më bën të qeshë më zë kur shoh garën bërrylash mes tyre dhe turrë e vrapin për foto me Trumpin dhe njerëzit e tij. Por, e zeza mbi të bardhë mbetet.
Pas ngjarjeve në Venezuelë, sikur jemi vonuar që nuk kërkuam njohjen, nga liderja e re-në detyrë Delcy Rodriguez e cila po tregohet e zellshme t’i kryejë detyrat e shtëpisë… ajo tani nuk ka kohë, e as që e lejojnë rrethanat e reja të mendojë shumë se cili do të jetë reagimi i Rusisë apo Kinës, për Serbi apo Kubë as që bëhet fjalë.
Ndikimi i Moskës dhe Pekinit në Karakas është thyer. Mendoj me një diplomaci më të mprehtë nga liderët kosovarë në raport me Uashingtonin ky synim mund të arrihej… por nuk është vonë…
Evropa pas L2B nuk është përballur kurrë me kërcënime kaq serioze të sigurisë dhe rendit demokratik, nga Rusia, pastaj prej lëvizjeve apo veprimeve vetëngulfatëse, të partive apo qeverive me veprime autoritare. Neglizhencës, shterjes apo oportunizmit të partive tradicionale etj.
BE-ja sikur është margjinalizuar. Vazhdon të shfaqen shumë zëra. Nuk po trajtohen seriozisht nga SHBA-të, as nga Kina dhe madje as nga Rusia. Pothuajse në të gjitha proceset globale po lajmërohen të vonuar. Ky realitet me duket i dhimbshëm dhe shqetësues edhe për neve në Ballkanin perëndimor.
Ne rastin e Kosovës, ata mund të ndihmojnë. Por janë të zënë me vetveten.
SOT VETËM TRUMP MUND TA BËJË MARRËVESHJEN PËRFUNDIMTARE KOSOVË-SERBI.
Kanal l0: Ka përfunduar paraqitja e provave nga Prokuroria. Çfarë mund të thoni pas këtij procesi?
Hashim Thaçi: Jam plotësisht i pafajshëm.
Verdikti përfundimtar duhet të respektojë, detyrimisht, parimin e unitetit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe Konventat Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Të respektohet baza ligjore mbi të cilën Parlamenti i Kosovës themeloi DHSK-të. Populli i Kosovës, në emër të të cilit nxirren vendime në DHSK, duhet ta dijë, kuptojë dhe besojë atë çka ka ndodh në sallën e gjyqit. Sot për sot qytetari i Kosovës nuk e di, ose di pak – dhe ajo që di është e mjegullt…
Pse rezistuam si popull? Sepse gjendja ishte bërë e padurueshme. Ne bëmë atë që duhej bërë. Si fëmijë nuk e kuptonim edhe aq, por duke u rritur prangat e robërisë na u shtrënguan gjithnjë e më tepër. Millosheviqi nga aparteidi po kalonte në fazën e spastrimit etnik, vazhdoi me gjenocid; nuk mund të vazhdonim vetëm duke ia kthyer – shtrirë – faqen tjetër.
Pa pushtimin nga Serbia nuk do të kishte gjenocid në Kosovë; pa rezistencë e UÇK-së nuk do të kishte fare Kosovë. Ne mbrojtëm popullin tonë.
Sikur të mos bëja atë që kam bërë për lirinë dhe shtetbërjen e Kosovës, do të ndihesha njeri i fyer, i poshtëruar e përbuzur përballë kombit, nga vetvetja, fëmija im, e nesër edhe nga mbesat e nipat.
Drejtësia është gurthemel i demokracisë. Barometri duhet të anojë kah e drejta dhe e vërteta. Jo pak ngjarje dhe procese gjatë historisë kanë filluar keq, por kanë pasur përfundim të mirë.
Jam optimist. Por, jo iluzionist.
Kanal l0: 10. Pas përfundimit të kësaj sfide, a do t’i ktheheni politikës?
Hashim Thaçi: Në politikën garuese për poste pushteti- JO. A do të luaj rolin e disidentit të heshtur apo të zhurmshëm? JO. Edhe pse viktimë, a do të luaj atë rol? JO. A do të jem kritikues për hir të kritikës? JO. A do të pretendoj të jem njeriu me “pushtet” të heshtur? JO. A do të bëj gjëra që më thotë bota e brendshme? PO. A do t’i hedh në letër gjithë përjetimet jetësore? Sigurisht që PO. A do të përcjell, a do të jap opinione edhe për të ardhmen? Patjetër se PO.
Kjo sa i përket planeve dhe vendimit tim. Nuk jam nga ata që i dorëzohet fatit të shkruar nga të tjerët. Por se cilat janë planet e ZOTIT, këtë unë nuk mund ta di…as që e mendoj.
Hashim Thaçi
Hagë: 05/03/2026




















































