Fjalët e Ancelottit pasi Brazili dështoi ta fitojë ndeshjen hapëse


Përzgjdhësi i Brazilit, Carlo Ancelotti, nuk e fshehu pakënaqësinë pas barazimit 1-1 ndaj Marokut në ndeshjen e parë të Grupit C të Kupës së Botës 2026.
Tekniku italian pranoi se skuadra e tij hasi vështirësi të mëdha në pjesën e parë, duke humbur duele të rëndësishme dhe duke mos arritur të kontrollonte lojën ndaj një kundërshtari që e vlerësoi shumë.
“Mendoj se nuk e nisëm shumë mirë ndeshjen dhe kjo më shqetëson pak. Humbëm shumë duele dhe posedimin e topit, por u përmirësuam në pjesën e dytë të një ndeshjeje të vështirë, sepse Maroku është një ekip i mirë”, deklaroi Ancelotti pas përfundimit të takimit.

Sipas Ancelottit, problemi kryesor ishte paaftësia e ekipit për të dalë nga presioni i marokenëve gjatë 45 minutave të para.
“Në pjesën e parë patëm vështirësi të dilnim nga presioni i tyre. Duhej të kishim më shumë kontroll mbi lojën”, shtoi ai.
Kur u pyet nëse ishte i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, përgjigjja e Ancelottit ishte e drejtpërdrejtë.
“Jo, jo vërtet. Prisja një fillim më të mirë. Por gjëra të tilla ndodhin në futboll. Tani do të përqendrohem te ndeshja e ardhshme”, përfundoi Ancelotti.

Brazili shpëtoi nga humbja falë golit të Vinicius Junior, pasi Maroku kishte kaluar i pari në epërsi me një supergol të Ismael Saibarit. Ndeshja u mbyll me rezultatin 1-1, duke lënë gjithçka të hapur në Grupin C. /Telegrafi/





































