Fizioterapisti Valon Maloku: Nuk mjafton terapia, duhet të bësh vetë diçka për trupin tënd

Fizioterapisti Valon Maloku ka ngritur një mesazh të qartë për pacientët: shërimi nuk vjen vetëm nga trajtimi, por nga angazhimi personal dhe ndryshimi i stilit të jetës.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, ai thekson se në shumë raste pacientët presin që dikush tjetër t’ua zgjidhë problemin, pa bërë vetë përpjekje konkrete.
Sipas tij, kjo është një nga arsyet kryesore pse trajtimet shpesh nuk japin rezultat afatgjatë.
“Trupi ka mekanizmat e vet të shërimit, por duhet ndihmuar përmes lëvizjes dhe ushtrimeve”, shpjegon Maloku, duke shtuar se përgjegjësia kryesore bie mbi vetë pacientin.
Ai thekson se ushtrimet fizike, forca muskulore dhe ndryshimi i rutinës janë elementet kyçe që ndikojnë në përmirësimin real të gjendjes, ndërsa trajtimet pasive shpesh japin vetëm lehtësim të përkohshëm.
Në vijim, Maloku 'rrëzon' edhe një nga mitet më të përhapura: lidhjen direkte mes mënyrës së uljes dhe dhimbjes së shpinës.
Sipas tij, problemi nuk është domosdoshmërish pozicioni i uljes, por faktorë të tjerë si stresi, mungesa e lëvizjes dhe mënyra e jetesës.
Ai thekson se edhe njerëzit që qëndrojnë gjatë ulur nuk zhvillojnë domosdoshmërish probleme, nëse nuk ka faktorë të tjerë që ndikojnë.
“Nuk është çështja si ulesh, por si jeton në përgjithësi”, shprehet ai.
Maloku shton se trupi ka nevojë për lëvizje të vazhdueshme dhe ndryshim pozicionesh, ndërsa qëndrimi i gjatë në një pozicion – sidomos nën stres – mund të përkeqësojë gjendjen.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":
- YouTube www.youtube.com
/Telegrafi/



















































