LAJMI I FUNDIT:

Filmi mikro-buxhetor që përgjithmonë ndryshoi fantashkencën

Filmi mikro-buxhetor që përgjithmonë ndryshoi fantashkencën
Skenë nga filmi “Dark Star” (1974)

Nga: Natasha Tripney / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

I realizuar me 60 mijë dollarë nga studentët e shkollës së Filmit, Ylli i Zi [Dark Star] – debutimi regjisorial i maestros së horrorit, John Carpenter, – sot konsiderohet si klasik i fantashkencës. Kur sapo mbushi 50 vjet, është krejt ndryshe nga fantashkenca e mëparshme dhe e pastajme, as odise hapësinore dhe as opera hapësinore, më tepër një portret i zymtë, pesimist dhe shpeshherë absurd për një grup të njerëzve të bërë bashkë në një konservë ndëryjore që funksionon si mos më keq. Ndoshta skena e saj më e famshme përbëhet nga debati ekzistencialist midis një astronauti dhe bombës që ka ndjenja.

Ylli i Zi është bashkëpunim midis Carpenterit, i cili e bëri regjinë dhe skenarin e filmit, si dhe Dan O’Bannonit i cili përveçse bashkautor i skenarit, ishte montazher, skenograf dhe mbikëqyrës i efekteve vizuale – ndërkohë që luajti rolin e paranojakut të paqëndrueshëm, të rreshterit Pinback. U takuan si regjisorë të rinj në Universitetin e Kalifornisë Jugore [USC]. “Derisa [Carpenter dhe O’Bannon] nuk mund të ishin më të ndryshëm në personalitet, të dy ishin plot energji dhe të fokusuar”, thotë Daniel Griffiths, regjisor i dokumentarit që ka të bëjë me këtë film, Le të bëhet drita: Odiseja e Yllit të Zi [Let There Be Light: The Odyssey of Dark Star, 2010].


Në ngjarjen e vendosur në vitin 2250, filmi përshkruan hulumtimet e anijes hapësinore që mban titullin e filmit, teksa lëviz rreth galaktikës duke hedhur në erë planetët “e paqëndrueshëm”. Ekuipazhi leshatuk prej pesë personave, për 20 vjet mbeti i mbërthyer në anije, ndërsa janë të lodhur nga mendja dhe të ngopur me njëri-tjetrin. I kalojnë ditët e veta duke u grindur dhe duke e rregulluar anijen e cila në një farë mënyre vazhdimisht i zhgënjen – përfshirë edhe humbjen e furnizimit me letra tualeti. Nuk ka shumë gjëra në linjën e narracionit. Me raste, filmi ka cilësi pothuajse sfiduese anti-dramatike, me fokusin në zymtësinë e udhëtimit të gjatë në hapësirë. “O’Bannon besonte se udhëtimi në hapësirë do të ishte përvojë e lodhshme, e mbushur me ditët që duken të pafundme, me mirëmbajtje dhe reflektim”, thotë Griffiths. Carpenter e quajti si “Duke pritur Godonë në hapësirë”.

Përveç Pinbackut, anëtarët e tjerë të ekuipazhit përbëhen nga një grup i çuditshëm i njerëzve me flokë të gjata (qëndrimi në hapësirë, pa dyshim ka kontribuar në tjetërsimin e tyre). Togeri Doolittle, oficeri i lartë, është ish-surfist; rreshteri Talby është vetmitar që i pëlqen të rrijë në kupolën e vëzhgimit, në majë të anijes; ndërsa, ekuipazhi plotësohet nga rreshteri Boiler i cili e kalon kohën duke goditur me një teh thike mes gishtave të vet (ashtu siç do të bënte androidi Bishop te Jashtëtokësorët/Aliens). Komandanti fatkeq i anijes, Powelli, mbahet në gjendje të jetës së pezulluar, i ngrirë në një bllok akulli në rezervuarin e anijes.

Filmat e fantashkencës së kësaj periudhe, prireshin të jenë të zymtë dhe distopikë, shpjegon John Kenneth Muir, autor i Filmat e Xhon Karpenterit [The Films of John Carpenter] – filmat si Vrapi i heshtur [Silent Running, 1972], në të cilin e gjithë jeta bimore në Tokë është zhdukur, ose filmi i George Lucasit i vitit 1971, filmi debutues THX-1138, në të cilin emocionet njerëzore janë të ndrydhura. “Ylli i Errët mbërriti në këtë botë të imagjinatave të errëta dhe të mungesës së shpresës, por errësirën e çoi një hap më tej drejt nihilizmit absurd”.

Carpenteri dhe O’Bannoni u përcaktuan të bëjnë një si përsëritje “përfundimtare të filmit të Stanley Kubrickut, 2001: Odiseja hapësinore [2001: A Space Odyssey]”, thotë Griffiths. Derisa filmi i Kubrickut i vitit 1968, shpjegon Muir, ishte film “në të cilin shikuesit kërkonin kuptimin tek yjet, përkitazi për natyrën e njerëzimit, jeta në Yllin e Zi nuk ka kuptim”. Përkundrazi, thotë Muir, e parodizon 2001-shin “me ndjenjën e parëndësisë së njeriut në skemën e gjërave”. Aty ku Kubricku në film e përdor muzikën klasike, Ylli i Zi hapet me një këngë kantri – me këngën Benson Arizona. (Një rrugë në qytetin e vërtetë Benson, mban emrin që nderon filmin). Madje, filmi u publikua me etiketën “odiseja jashtëhapësinore”.

Ylli i Zi mbërthen disponimin e kohës në të cilën u krijua, thotë Muir – atmosferën e Amerikës së [Richard] Nixonit. “Vitet 1960 kishin të bënin me ëndrrat utopike dhe me sjelljen e ndryshimit nga kundërkultura në Amerikës. Vitet 1970 e përfaqësojnë atë që shkrimtari Johnny Byrne e quajti ‘Zgjimi nga ëndrra e hipikëve’, duke pasur parasysh faktin se sa më shumë gjërat ndryshojnë, aq më shumë mbesin të njëjta”.

Le të bëhet drita paraqet udhëtimin e Yllit të Zi nga një projekt diplome e deri te premiera e filmit. Tregon zgjuarsinë e ekipit krijues, duke ndërtuar skenografinë nga kutitë e akullit dhe sendet e përdorura në dyqanet e 99 centëve. Buxheti i kufizuar i shtyri të jenë tepër krijues, duke përdorur metodat “bëje vet” për të krijuar efektet speciale të filmit, megjithëse disa prej tyre ishin më efektive sesa të tjerat. Nuk menduan se si duhej të merrnin frymë aktorët në kostumet hapësinore, gjë që i bëri skenat e ecjes hapësinore – të Brian Narelleit si Doolittle – më të vështira për t’u filmuar, meqë mund të jepte vetëm një fjalë në kohën përpara se të mbaronte ajri. Për skenën e njësisë së ftohjes kriogjenike, në të cilën Doolittle viziton Powellin në akull, e mjegulluan ajrin me kerozinë për ta bërë që të duket më i ftohtë.

Procesi i realizimit u zhvillua mes viteve 1970-2, me boshllëqe të gjata midis xhirimeve, meqë i grumbullonin paratë e duhura për film. Siç tregon Le të bëhet drita, ishte proces mjaft i ngarkuar, por ishin të vendosur që ta tejkalojnë. Meqenëse filmi u realizua duke i përdorur pajisjet e USC-së, universiteti mund kërkonte pronësinë intelektuale të filmit që do të realizohet, kështu që Carpenteri dhe O’Bannoni ishin të shqetësuar nëse USC-ja do të mund t’i padiste për përpjekjen për ta distribuuar, por fatmirësisht gjërat nuk arritën deri aty. E gjetën distributorin Jack Harris, producentin e njohur në atë kohë për filmin Masa gllabëruese [The Blob, 1958]. Vërejti se filmi ka potencial, por, siç thotë Griffiths, “O’Bannon nuk shkonte mirë me Harrisin dhe Carpenteri shpeshherë ishte mes të tyre”.

Filmi vetëm një orë i gjatë ishte shumë e shkurtër për shfaqje kinematografike. Skenat duhej të shtoheshin për ta plotësuar kohën për gjatësinë e kërkuar. Këto skena shtesë përfshijnë sekuencën e gjatë në të cilën Pinbacku lufton me një jashtëtokësor në formën e topit me shputat me kthetra. “Duke pasur parasysh personalitetet e tyre të fuqishme, [Carpenter dhe O’Bannon] bashkëpunuan shumë mirë gjatë realizimit”, thotë Griffiths. “Por, shpeshherë nuk pajtoheshin me regjinë e materialit ‘të shtuar’”. Këta dy burra nuk do të bashkëpunojnë më pas Yllit të Zi.

Kur u dha premiera e Yllit të Zi në ekspozitën FILMEX në vitin 1974, reagimi i audiencës ishte kryesisht pozitiv. “E njohën humorin absurd dhe i çmuan rrënjët e filmit studentor”, thotë Griffiths.

Pati distribuim të kufizuar në kinema në vitin 1975, por nuk ishte sukses komercial. “Filmi u ndesh me komentet negative nga kritikët dhe nga mosinteresimi i përgjithshëm i audiencës”, thotë Muir. “Si Carpenteri ashtu dhe O’Bannoni e kuptuan se të gjitha mundimet që duruan për ta bërë filmin, nuk kishin fare rëndësi për audiencën, meqë ata kujdeseshin vetëm për produktin përfundimtar. Mendoj se ishin të dekurajuar”, thotë Griffiths.

Megjithatë, rritja e tregut të kasetave VHS, e ndihmoi të gjente audiencën dhe e shtyu drejt statusit të kultit. Ndikimi i tij mund të ndihet ende, ndoshta më drejtpërdrejt në filmin Jashtëtokësori [Alien] të Ridley Scottit, për të cilin O’Bannon – i cili vdiq në 2009 – e shkroi skenarin. Të dy filmat kanë të njëjtën ADN. Jashtëtokësori gjithashtu zhvillohet në një anije me një ekuipazh grindavec, vetëm se këtë herë jashtëtokësori nuk është qesharak.

Po ashtu, mund ta shihni ndikimin e Yllit të Zi te filmat e mëvonshëm të Carpenterit. “Ka një brez të thellë antiautoritarizmi në pjesën më të madhe të kanunit filmik të Carpenterit, siç ka te Ylli i Zi“, thotë Muir, i cili thekson se mund të shihni të njëjtat cilësi te shumë protagonistë të filmave të tij të mëvonshëm, si Snake Plissken te Ikja nga Nju-Jorku [Escape from New York] dhe MacReady te Gjëja [The Thing] – një tjetër film për burrat e mbërthyer së bashku, duke u bërë gjithnjë e më paranojakë dhe mosbesues ndaj njëri-tjetrit.

Autori Doug Naylor, bashkëkrijuesi i sitkomit hapësinor të BBC-së, Shkurtabiqi i Kuq [Red Dwarf], kujton shikimin në video të Yllit të Zi, bashkë me partnerin e tij në skenar, Rob Grant. “Ishte më i vrazhdë. Një lloj tjetër i fantashkencës, jo si ato që ishim mësuar të shohim”. Të dy u pajtuan se skenari ka bazë për një sitkom, thotë ai, “pastaj për disa vjet nuk bëmë asgjë”.

Më në fund iu kthyen idesë. Ai dhe Granti fillimisht e hulumtuan këtë temë në një skeç radiofonik, Dejv Hollinsi: Kadeti hapësinor [Dave Hollins: Space Cadet], “për të mbijetuarin e vetëm të një aksidenti hapësinor, i cili dalëngadalë çmendet”, përpara se të shkruanin Shkurtabiqin e Kuq në të cilin riparuesi i makinave të pijeve, Dave Lister, e sheh veten si njeriun e fundit të mbetur i gjallë, që është i bllokuar në një anije minerare tre milionë vjet në të ardhmen, bashkë me hologramin e një njeriu të cilin e përçmonte dhe një krijesë që evoluoi nga macja e tij manare. Mund të shihni elementët e Yllit të Zi në grindjet dhe agresionin pasiv që karakterizoi seritë e hershme, me skenografinë me dërrasa, humorin e zymtë ekzistencial – por, edhe në aspektin e zakonshëm që përshkonte shfaqjen, pavarësisht faktit se ishte vendosur në hapësirë.

“Bëhej fjalë për djem të zakonshëm që ia prishnin nervat njëri-tjetrit dhe kjo ishte ajo që menduam se ishte kaq qesharake”, thotë Naylor. Shfaqja mund të vendosej tre milionë vjet në të ardhmen, por në thelb kishte të bënte me punë e detyrueshme, “dhe unë dhe Robi kishim punë të tillë, kështu që mund ta shkruanim”. Shkurtabiqi i Kuq vazhdoi për mbi 30 vjet, ndaj është pretendent për një nga shfaqjet më të gjata që ka ende të njëjtën trupë të aktorëve. “Fara e kësaj ishte Ylli i Errët“, thotë Naylor.

Ende mund t’i gjeni gjurmën e Yllit të Zi në filmat e shekullit XXI, si filmi fantastiko-shkencor Rrezet e Diellit [Sunshine] nga Alex Garland dhe Danny Boyle më 2007 dhe, me siguri, te seritë e Marvel-it, Gardianët e Galaktikës [Guardians of the Galaxy]. Pavarësisht fillimit me mikro-buxhet dhe rekuizitave të bëra nga pjesët e vjetra të fshesave me korrent, Ylli i Zi ka mbijetuar. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Kodet e shqiptarëve dhe cigarja e ndezur

Kodet e shqiptarëve dhe cigarja e ndezur

Trimi shqiptar të cilit analfabetizmi i kushtoi me jetë

Trimi shqiptar të cilit analfabetizmi i kushtoi me jetë

Kulture
Letrat e mjekut arbëresh (1916-1919): Burrat shqiptarë janë përtacë, gratë trajtohen si mushkat!

Letrat e mjekut arbëresh (1916-1919): Burrat shqiptarë janë përtacë, gratë trajtohen si mushkat!

Kulture
POEZIA

POEZIA

Poligloti Petro Zheji

Poligloti Petro Zheji

LETËR BASHKËSHORTES

LETËR BASHKËSHORTES

Kalo në kategori