Përmes një postimi në Instagram, organizatorët njoftuan se dyshja nga kolektivi Keinemusik do të jetë pjesë e edicionit të sivjetmë, që mbahet më 31 korrik dhe 1–2 gusht 2026.

Festivali Sunny Hill ka nisur zyrtarisht zbulimin e emrave për edicionin e sivjetmë, duke prezantuar artistin e parë kryesor (headliner) që do të ngjitet në skenën e festivalit në Prishtinë.


Përmes një postimi në Instagram, Sunny Hill njoftoi se në edicionin e këtij viti do të performojnë Adam Port dhe Rampa, emra të njohur të skenës elektronike dhe pjesë e kolektivit Keinemusik.


“FIRST HEADLINER ANNOUNCED”, thuhet në postim, ku organizatorët shprehen të entuziazmuar për mirëseardhjen e tyre në skenë, duke theksuar se Keinemusik ka një ndjekje të madhe globale dhe se festivali është gati të tregojë se “Sunny Hill është vendi ku duhet të jesh”.

Në posterin e publikuar bëhet e ditur se Sunny Hill Festival 2026 do të mbahet në Sunny Hill Festival Park, në Prishtinë, më 31 korrik dhe 1–2 gusht 2026.

Organizatorët kanë ftuar interesuarit që biletat t’i sigurojnë përmes linkut në bio në Instagram, ndërsa pritet që ditëve në vijim të publikohen edhe emra të tjerë nga line-up-i i festivalit. /Telegrafi/