Festivali që pushton Kosovën - gjithçka gati për edicionin e radhës të Sunny Hill

Prishtina po bëhet gati për një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të vitit, pasi nga e premtja nis edicioni i radhës i “Sunny Hill Festival”.
Festivali pritet të sjellë në kryeqytet mijëra adhurues të muzikës nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës, duke krijuar sërish atmosferën unike që e ka karakterizuar këtë ngjarje.
Organizatorët kanë bërë të ditur se përgatitjet janë në fazën përfundimtare dhe se gjithçka po ecën sipas planit.

Në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, njëri prej organizatorëve të festivalit, Fat Gjakova, tha se ekipet janë duke përfunduar punët e fundit për skenat dhe produksionin.
“Gjithçka po shkon sipas planit. Këto ditë po përfundojnë të gjitha skenat, ndërsa produksioni ka filluar që një ose dy javë më herët. Jemi shumë afër dhe mezi po presim të bëhet e premte”, u shpreh Gjakova.
- YouTube www.youtube.com
Ai bëri të ditur se nga sot pritet të nisë edhe ardhja e artistëve në Kosovë, teksa deri nesër pritet që të gjithë performuesit të jenë të pranishëm në Prishtinë për përgatitjet para nisjes së festivalit.
“Sunny Hill Festival” është kthyer tashmë në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe muzikore në rajon, duke tërhequr emra të njohur të skenës ndërkombëtare dhe duke e vendosur Kosovën në qendër të vëmendjes së adhuruesve të muzikës.
Përveç performancave muzikore, festivali pritet të sjellë edhe një atmosferë të veçantë në qytet, me vizitorë të shumtë, aktivitete dhe një energji që shoqëron çdo edicion të tij. /Telegrafi/















































