Festivali Ndërkombëtar i Monodramës kthehet me edicionin e 18-të në Kosovë

Prishtina do të jetë sërish qendra e artit skenik ndërkombëtar me nisjen e edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës në Kosovë, MONOAKT 2026. Hapja solemne e festivalit do të mbahet më 7 qershor në Teatrin Dodona, duke filluar nga ora 19:30, ndërsa organizatorët kanë ftuar publikun që të bëhet pjesë e kësaj ngjarjeje të veçantë kulturore dhe artistike.
Festivali, i organizuar nga Shtëpia Teatrore Filmike AKT, sjell edhe këtë vit një program të pasur me monodrama, punëtori teatrore, konferenca ndërkombëtare, ekspozita dhe aktivitete të ndryshme kulturore, duke bashkuar artistë nga vende të ndryshme të botës.
Mbrëmja hapëse do të shënohet me ceremoninë solemne të festivalit, pas së cilës do të shfaqet monodrama “Arka” nga Kosova. Programi i festivalit përfshin gjithashtu ekspozitën teatrore nga Uzbekistani dhe Gjermania, si dhe një konferencë ndërkombëtare kushtuar themelimit të Qendrës së Monodramës.
Gjatë ditëve të festivalit, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë një sërë monodramash nga vende të ndryshme. Në mesin e tyre janë “E madhe është gjëma e mëkatit” nga Shqipëria, “Por una Banana” nga bashkëprodhimi Itali-Kolumbi, “POMO” nga Franca, “First Person Singular” nga Maqedonia e Veriut dhe “Burrnesha”, një projekt artistik nga Ukraina dhe Shqipëria.
Programi përfshin edhe premierën e festivalit MONOAKT+ me shfaqjen “Me gogla, o pagogla...!”, si dhe një shfaqje mysafire me titull “Jo dhe aq pleq...!” nga Kosova. Paralelisht do të organizohen festivali i monoperformansave “MONOSTRIP” dhe festivali “MONOPERFORMANSA”, duke zgjeruar më tej hapësirën artistike për interpretimet individuale.
Një pjesë e rëndësishme e festivalit do të jenë edhe punëtoritë teatrore ndërkombëtare. Artistë dhe profesionistë të teatrit nga Spanja, Moldavia, Gjermania dhe Ukraina do të udhëheqin punëtori të ndryshme, duke trajtuar tema si “Pëlhurat e animuara” dhe “Zhvillimet e monodramës”.
Përveç programit artistik, pjesëmarrësit ndërkombëtarë do të kenë mundësinë të njihen më afër me trashëgiminë kulturore dhe natyrore të Kosovës. Organizatorët kanë paraparë vizita në monumentet historike dhe të trashëgimisë kulturore në Prishtinë, si dhe ekskursione në Bjeshkët e Rugovës, te Ujëvara e Drinit të Bardhë dhe Liqeni i Batllavës.
Festivali do të përmbyllet me ceremoninë solemne të ndarjes së çmimeve dhe mbylljen zyrtare të MONOAKT 2026, duke kurorëzuar edhe një edicion tjetër të një prej ngjarjeve më të rëndësishme teatrore në Kosovë.
Përgjatë 18 viteve të ekzistencës së tij, MONOAKT është shndërruar në një platformë të rëndësishme për promovimin e monodramës dhe shkëmbimin kulturor ndërkombëtar, duke sjellë në Kosovë artistë, regjisorë dhe profesionistë të teatrit nga vende të ndryshme të botës. /Telegrafi/












































