LAJMI I FUNDIT:

Festim i frikshëm

Festim i frikshëm
Pamje nga Beogradi, nga koncerti i 28 marsit 1999

Ky shkrim është publikuar më 10 shkurt 2007 (në shtojcën analitike “Lajm-Plus” të ditores “Lajm”), pas paralajmërimeve për një koncert në Tiranë të këngëtarit serb Bajaga.

* * *


PARALAJMËRIMET PËR KONCERTIN E BAJAGËS NË TIRANË: “FESTIM I FRIKSHËM”

Derisa “Faith no More” i këndonte vargjet “do të jem me ty, po të ruaj – Prishtinë”, ndërsa Roger Waters shkruan këngën “Çdo qiri i vogël”, që flet për dhembjen e luftës në Kosovë, Bajaga, më 28 mars 1999, këndon: “Në vend të këngës / do t’i shikoj në sy / dhe do t’i gjuaj pa mëshirë”.

Më 28 mars të vitit 1999, kolonat kilometrike të shqiptarëve të deportuar të Kosovës, presin ditë të tëra në kufi me Maqedoninë dhe Shqipërinë, pa ditur nëse do të shpëtojnë dhe nëse do t’i shohin ndonjëherë anëtarët tjerë të familjes.

Ata që kaluan – mbijetuan. E, këtë fat nuk e patën mbi 10 000 shqiptarë të tjerë të vrarë e të masakruar, mijëra nga të cilët ende nuk dihet se ku janë.

Të njëjtën ditë, më 28 mars, yjet e muzikës serbe mbajnë koncert në sheshin kryesor të Beogradit. Aty marrin pjesë edhe Bora Gjorgjeviq (“Ribla Çorba”), “Yu Grupa”, Dejan Cukiq, Nele Karajliq dhe Bajaga; aty këndohet kënga “Samo Sloga Srbina Spashava” (Vetëm uniteti e shpëton serbin), e cila më vonë incizohet edhe në një album të përbashkët.

Ky titull – që është slogani nacional serb, i pranishëm në formën e 4 S-ve në simbolet e tyre kombëtare – është himni i cili i bashkonte serbët në luftërat që një shekull të tërë terrorizonin popujt e Ballkanit.

Në këtë koncert, të sipërpërmendurit këndojnë bashkërisht, ndërsa Bajagës i “takojnë” këto vargje: “Nuk ka tragjedi më të madhe / se të jesh nga Serbia / sot gjithë bota brohorit / të shkatërrohet Jugosllavia / por nuk bënë kështu / le të lëshohen në tokë / atëherë në vend të këngës / do t’i shikoj në sy / dhe do t’i gjuaj pa mëshirë”.

“Festim i frikshëm”. Kështu e cilëson këtë koncert gazeta prestigjioze amerikane, “New York Times”. “Krejt kjo është inskenuar nga Sllobodan Milosheviqi, i cili shton përfitimet e tij – si diktator i Serbisë – edhe me punën shtesë si promotor i rockut”!

Në koncert u shpalosën edhe njëherë mitet nacionale serbe, por edhe një e vërtetë: “Do t’i gjuaj pa mëshirë”. Këto fjalë, që dalin nga goja e Bajagës, ishin e vërteta e tmerrit që forcat serbe ushtronin në Kosovë.

Gati tetë vjet pas këtij koncerti, akoma nuk dihet se ku janë trupat e 2 139 shqiptarëve të vrarë e të masakruar gjatë vitit 1999. Mediave serbe nuk u intereson kjo, por koncerti i paralajmëruar i Bajagës në Tiranë, “që do të mbahet në mars të këtij viti, në Qendrën Memoriale ‘Enver Hoxha’” (sic.). Në pyetjen e ditores “Veçernje Novosti”, nëse do të refuzonte të jetë Qytetar Nderi i Tiranës, ai thotë: “Nuk ma ndien shumë të jem Qytetar Nderi i Tiranës, por megjithatë është budallallëk që ta refuzoj këtë ofertë”.

Ky koncertet i intrigon shumë edhe adhuruesit e tij në Shqipëri. Në forumet e diskutimeve të ueb-faqeve shqiptare, mund të lexohen edhe komentet “nostalgjike”, si “ai është artisti im më i preferuar ballkanik”, “është talent i përmasave botërore”, “kur isha fëmijë, mbaj mend se babai im e adhuronte”, “kënaqeshim duke e dëgjuar fshehurazi….”.

Këto mendime disi ndërlidhen me bendin e njohur amerikan, “Faith No More”, dhe këngën e tyre “Mouth to Mouth” (Gojë më gojë). Billy Gould, basisti dhe udhëheqësi i bendit, këtë këngë e shkruan në Shqipëri. Ai e voziste një veturë të vjetër, “në rrugët e shkatërruara, të shtetit më të izoluar të Evropës”.

“Aty takova ca motoçiklistë, që mbanin veshur xhaketa të lëkurës. Ama, ata nuk dëgjonin heavy-metal, por muzikë tallava (kuazi-orientale)”, thotë ai, duke tërhequr – në një mënyrë – një paralele me konfuzionet e shpeshta të perceptimit të vlerave në Shqipëri, si pasojë e një përparimi të rrejshëm (të cilin publicisti Sydney Harris e quan më të rrezikshëm se ngecja)!

Prandaj, në këtë kontekst është mirë të dihet tamam se kush është Momçilo Bajagiq – Bajaga dhe mësuesi i tij?

Në vitet 1978-1984, ishte anëtar i grupit “Ribla Çorba”. Më 1984 formon bendin “Bajaga i Instruktori”, i cili shpejtë bëhet një nga bendet më të mëdha të rock-skenës së Jugosllavisë së dikurshme. Por, kontaktet me mësuesin e tij, nacionalistin Bora Gjorgjeviq – Çorbën (“shlivovicë-çetniku”, siç e cilëson rock-kritiku serb, Petar Lukoviq), nuk i ndërpret kurrë.

Më 1988, në një koncert, Bora ndalet dhe thotë: “I shihni këta dy telat e hollë të kitarës sime? Këta janë shqiptarët dhe sllovenët”! Më 28 shkurt 1989 merr pjesë në mitingun e Beogradit, “kundër dhunës mbi popullin serb të Kosovës”, i cili pasohet me arrestimin e liderit të komunistëve të Kosovës – Azem Vllasi – nën akuzat për “veprimtari kundërrevolucionare”. Ndërsa, më 28 qershor 1989, bashkë me Sllobodan Milosheviqin feston 600-vjetorin e Betejës së Kosovës.

E, në të gjitha këto manifestime, që forconin bazën e regjimit gjenocidal të Milosheviqit, ishte edhe nxënësi i tij – Bajaga.

Në vitin 1998, në pozitën 41 të albumeve më të shitura në ShBA, gjendej “Album of the year” (Albumi i vitit). Ishte ky, pa planifikim, albumi lamtumirës i një prej bendeve më të njohura dhe më karizmatike të viteve ’90 të shekullit të kaluar – “Faith No More”. Një kritik, përmbajtjen e këngës bartëse të këtij albumi, “Pristina” (Prishtina), e cilëson me një fjalë: vdekja!

“Kur doli kjo këngë, Prishtina ishte një sekret i vogël, i ndyrë, i injoruar në përgjithësi nga mediat. Por, tash nuk mund të injorohet më…”, deklaron më 1998 Billy Gould. Derisa Gould deklamon vargjet: “Në çdo tokë të errët / në çdo vllajë / në çdo shtrat dasme / do të jem me ty / po të ruaj – Prishtinë”, Bajaga shihet në kryeqendrat e Evropës, duke protestuar kundër politikës perëndimore që kërcënonte Serbinë me bombardime, nëse nuk ndalet terrori ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

Ndërsa, derisa Roger Waters (themelues i mega-bendit Pink Floyd), mbyllte koncertet me “Each Small Candle” (Çdo qiri i vogël) – këngë kjo që flet për luftën dhe tmerrin në Kosovë – Bajaga dhe Bora festojnë ardhjen në pushtet të nacionalistit tjetër, Vojislav Koshtunica, me këngën: “Serbi është i çmendur / ata kurrë nuk do ta shkelnin buburrecin / ata kurrë nuk shkelin buburreca / por, ty do të të sakatonin / por, ty do të të vinin koke”! (në këtë koncert, Qytetari i Nderit i Tiranës, Goran Bregoviqi, këndon këngën “Kallashnikov”)!

Frustrimet e shqiptarëve të Kosovës me Bajagën, në Shqipëri me siguri perceptohen në suazat e stereotipeve të gjoja një xhelozie ndaj Shqipërisë dhe kosmopolitanizmit të saj. Por, nuk ka këtu kurrfarë xhelozie. Në Kosovë, rock-bendet formohen që nga viti 1967. Kosova i kishte instrumentistët më të mirë, e edhe disa nga bendet dhe krijuesit më avangardë; kishte rock-skenën e saj, origjinale dhe të barabartë me të tjerat në ish-Jugosllavi, të cilën fatkeqësisht Shqipëria sot nuk është e interesuar ta njohë.

Në një medium të Shqipërisë, Tedi Papavrami thotë se Prishtinën, në fëmijëri, e ka identifikuar me Nju-Jorkun; rockerët e Shqipërisë dëgjojnë fshehurazi Radio Prishtinën për t’u informuar me rrjedhat e rockut nga krijimtaria në Kosovë; Ardit Gjebrea, në një televizion nacional të Kosovës, thotë se pas hapjes së Shqipërisë, këngëtarët e Kosovës kishin ndikim të madh në dukjen dhe në stilin muzikor të tyre …

“Ata janë tash demode”, ndoshta do të ishte përgjigja e sotme. Por, edhe Bajaga është demode, muzika e tij, e sidomos bindjet e tij nacionaliste.

Por, të ndalemi prapë te “Faith no More”. Ata kanë shitur dhjetëra milionë kopje të albumeve. Ndërsa, më 1997-98, në kohët më të rënda për Shqipërinë, planifikojnë të mbajnë një koncert në Tiranë. Në pyetjen e një adhuruesi grek, se pse ka shprehur interes të tillë për Shqipërinë, e jo për Greqinë, Billy Gould përgjigjet: “Shqipëria është një tregim tjetër. Jam munduar ta organizoj një koncert falas në Tiranë. Është dashur punë shumë e madhe për këtë, por sikur të mos shpërbëheshim, mendoj se kjo dëshirë do të realizohej…”!

Ai flet për një dëshirë të parealizuar, e cila nuk është vështirë të përmbushet, e ndoshta të jetë një sensacion “Made in Albania”, që tërheq adhuruesit e tyre nga tërë bota.

Kosova e do këtë grup. Ata nuk e ndryshuan Kosovën, nuk morën pjesë në luftën e Kosovës, nuk i sollën bombat e NATO- s… Por, askush nuk mund të mohojë faktin se ata dëshiruan që Kosova të ndryshojë për të mbarë! Ata ishin me Kosovën, kur ajo ishte e frikësuar, nën terror dhe krejt e vetmuar.

E, për ta Kosova ka nostalgji, e edhe për Pink Floyd dhe kohën kur Waters, Gilmour, Mason dhe Wright ishin bashkë…

Ndërsa, për Bajagën dhe targetin e tij të 28 marsit 1999 – kurrë!

/Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Konstandini i vogël dhe kthimi i Odiseut

Konstandini i vogël dhe kthimi i Odiseut

Analiza
BEHAR

BEHAR

Poezi
AMANTE

AMANTE

Poezi
POPULLIT TIM

POPULLIT TIM

Poezi
S’MUND TA DIMË

S’MUND TA DIMË

Poezi
SISTEMI

SISTEMI

Fjala+
Kalo në kategori