Ferran Torres shpëton PSG-në nga humbja në startin e Ligue 1

PSG-ja e nisi me vështirësi sezonin e ri në Ligue 1, duke barazuar 2-2 në transfertë ndaj Rennesit, në një ndeshje ku kampionët francezë rrezikuan seriozisht të largoheshin pa pikë.
Rennes bëri një paraqitje të fortë dhe kaloi në epërsi që në minutën e 9-të, kur Sebastian Szymański realizoi me një goditje të bukur që u përplas në shtyllën e majtë para se të përfundonte në rrjetë.
Vendasit e dyfishuan epërsinë në minutën e 38-të përmes Esteban Lepaul, pas asistimit të Przemyslaw Frankowskit.
PSG-ja pati vështirësi për të reaguar në pjesën e parë, ndërsa një gol i Désiré Doué në minutën e 21-të u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozicion jashtë loje.
⏱️ 60’ I Dernière demi-heure à jouer. 💪#SRFCPSG 2️⃣-0️⃣ I #Ligue1 pic.twitter.com/vCfA41qKWq
— Paris Saint-Germain (@PSG_inside) August 23, 2026
Në pjesën e dytë, trajneri Luis Enrique bëri ndryshime dhe një prej tyre rezultoi vendimtar. Ferran Torres, i futur në lojë në fillim të pjesës së dytë, u shndërrua në heroin e PSG-së.
Sulmuesi spanjoll fillimisht ngushtoi diferencën në minutën e 71-të, duke shfrytëzuar një asistim perfekt të Fabian Ruizit dhe duke realizuar për 2-1.
Vetëm 11 minuta më vonë, Torres goditi sërish. Pas një tjetër aksioni të rrezikshëm të PSG-së, Fabian Ruiz dërgoi topin në zonë dhe Ferran Torres shënoi me kokë nga afërsia, duke vendosur rezultatin përfundimtar 2-2.

Kështu, PSG-ja e nis kampionatin me vetëm një pikë, ndërsa Ferran Torres ishte padyshim lojtari që i shpëtoi kampionët nga një humbje e papritur në xhiron e parë. /Telegrafi/












































