LAJMI I FUNDIT:

Ferizaj fiton ndaj Prishtinës dhe kualifikohet në finalen e ‘play-offit’ në Superligën e hendbollit

Ferizaj fiton ndaj Prishtinës dhe kualifikohet në finalen e ‘play-offit’ në Superligën e hendbollit
(Foto: kosovahandball.info)

Një ndeshje shumë të fortë e dramatike kanë zhvilluar të mërkurën mbrëma hendbollistet e Prishtinës dhe ato të Ferizajt. Në fund fitore shënoi Ferizaj me një gol dallim, 30-29, për të bërë vend në finalen e ‘play-offit’ të Superligës së Kosovës.

Ferizaj u kualifikua në finale pas dy fitoreve ndaj Prishtinës. Prishtina e kishte fituar ndeshjen e parë në kryeqytet, ndërsa Ferizaj kishte fituar në shtëpi për të barazuar rezultatin në 1-1. Ndeshja e tretë dhe përcaktuese e gjysmëfinales u luajt të mërkurën mbrëma dhe ishte shumë interesante.


Ferizaj e nisi më mirë ndeshjen dhe ishte në epërsi të lehtë deri në minutën e dhjetë. Më pas Prishtina kaloi para dhe krijoi epërsi deri në pesë gola, 13-8. Pjesa e parë përfundoi 15-13 në të mirë të Prishtinës. Ferizaj ktheu epërsinë në minutën e 36-të, 17-16. Më pas u luajt lojë shumë e fortë dhe e barabartë.

Asnjëra skuadër nuk ia doli të shkëputet më shumë se një gol deri në minutën e 56-të kur Ferizaj doli dy gola para, 28-26. Më pas Ferizaj kishte epërsi edhe prej 29-27, por Alma Nivokazi shënoi dy gola për 29-29. Golin e fundit e realizoi nga penalltia. Ferizaj e kishte aksionin e fundit, ndërsa fitoi faul kur koha e rregullt përfundoi. Gjuajtjen e fundit e ekzekutoi braziliania Ligia Da Silva, që ia doli të shënoi për festën e madhe të ferizajaseve.

Laticia Da Silva ishte më efikasja te Ferizaj me 13 gola. Gjashtë i kishte Albulena Basha, ndërsa nga katër i shënuan Mimoza Sefedini e Ligia Da Silva.

Te Prishtina më efikasja ishte Alma Nivokazi me tetë gola, sa i realizoi edhe Melike Ipçi. Pesë herë realizoi Ivana Bojoviq, ndërsa katër gola i shënoi Aida Stagova. Te të dy skuadrat janë dalluar edhe portieret me numër të madh të pritjeve.

Ferizaj në finale të ‘play-offit’ takohet me Istogun. Ndeshja e parë është të shtunën në Istog.