Superndeshje në Ferizaj, Kastrioti i afrohet titullit

Yassine Henahen shënoi dy herë në minutat vendimtare, fillimisht në të 59-tën për 23:22 dhe më pas në minutën e 60-të për 24:22, ndërsa në anën tjetër portieri Wadi Chebbi bëri pritje vendimtare.
Kështu, Kastrioti e bëri hapin e madh drejt titullit të kampionit, duke e mposhtur Rahovecin me rezultat 25:23 të mërkurën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, para më shumë se 2000 shikuesve që krijuan atmosferë të jashtëzakonshme në një superndeshje me ritëm të lartë dhe dramë deri në sekondat e fundit.
Me këtë fitore, Kastrioti kaloi në epërsi 2:1 në serinë finale të play-offit dhe tashmë i duhet edhe një fitore për ta fituar titullin. Ndeshja e radhës zhvillohet të shtunën në Rahovec, ndërsa nëse do të ketë nevojë për ndeshje të pestë, ajo pritet të luhet pas një jave në Ferizaj.

Ndeshja nisi me dominim të vendasve. Kastrioti shpejt krijoi epërsi 6:1 dhe më pas 8:3, duke lënë përshtypjen se mund të kontrollonte lehtësisht takimin. Por “vreshtarët” nuk u dorëzuan, u kthyen gradualisht në lojë dhe ngushtuan rezultatin, ndërsa pjesa e parë u mbyll 14:11 në të mirë të Kastriotit.
Në pjesën e dytë u zhvillua luftë e madhe. Mali Luzha shënoi në minutën e 42-të për barazimin 18:18, ndërsa Rahoveci për herë të parë kaloi në epërsi pas golit të Egzon Gjukës për 19:18 dhe më pas me një tjetër gol të Luzhës për 20:18. Pas barazimit 20:20, Rahoveci sërish kaloi përpara 21:20 dhe e mbajti epërsinë edhe në 22:21, duke e shtyrë ndeshjen drejt një përfundimi dramatik.
Në minutën e 58-të Gentrit Brahimi barazoi në 22:22, për ta hapur rrugën për momentet vendimtare të Kastriotit: Henahen realizoi nga penalltia për 23:22 dhe më pas shënoi edhe për 24:22, duke e afruar skuadrën e tij pranë fitores.

Rahoveci nuk u dorëzua as në fund. Vetëm 20 sekonda para përfundimit, Granit Kadiri ngushtoi në 24:23, por në aksionin e fundit Jeton Bislimi e vulosi rezultatin 25:23, duke i dhënë Kastriotit fitoren e madhe.
Henahen ishte më efikasi te Kastrioti me plot 11 gola. Nga katër gola i shënuan Gentrit Brahimi dhe Felippe Teixeira. Megjithatë, një rol të madh në këtë fitore e pati edhe portieri Chebbi, i cili sërish u dallua me pritje të shumta dhe vendimtare në momentet kur ndeshja po vendosej.
Te Rahoveci u veçua portieri Arti Luzha me disa pritje të rëndësishme, por paraqitja e tij mbeti pa u shpërblyer. Egzon Gjuka ishte më i dalluari në sulm me gjashtë gola, ndërsa Jon Muqolli dhe Mali Luzha shënuan nga katër.

Finalja e plejofit po bëhet gjithnjë e më interesante dhe spektakli i radhës i hendbollit pritet të shtunën në Rahovec.








































