Shërbimet amerikane të inteligjencës po hetojnë nëse Rusia e ka ndihmuar Teheranin në kryerjen e sulmeve ndaj objekteve të CIA-s, kanë bërë të ditur për agjencinë e lajmeve Reuters katër burime amerikane.

Të paktën dy objekte të CIA-s në Lindjen e Mesme u goditën nga sulme me dronë iranianë në muajin mars.


Sipas burimeve, të cilat folën në kushte anonimiteti, zyrtarët amerikanë ende nuk kanë arritur në përfundime përfundimtare lidhur me përfshirjen e mundshme të Rusisë.

Megjithatë, efikasiteti dhe saktësia e sulmeve mund të jenë tregues se Irani ka marrë nga Rusia të dhëna për shënjestrimin ose teknologji të avancuar për dronë.

Sipas raportimeve, një stacion i CIA-s i vendosur në ambasadën amerikane në Riad të Arabisë Saudite, si dhe një objekt tjetër në lindje të Irakut, u goditën gjatë këtyre sulmeve.

Disa nga burimet i thanë Reuters se janë goditur edhe objekte të tjera të CIA-s, por nuk dhanë detaje të mëtejshme.

Duke dëshmuar dje para një komisioni të Senatit amerikan në Uashington, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, la të kuptohet se Rusia po ndihmon operacionet ushtarake të Iranit.

I pyetur nëse Rusia dhe Kina po e ndihmojnë Iranin, Hegseth u përgjigj: “Ka mënyra në të cilat të dyja këto vende, në nivele të ndryshme, po mundësojnë atë që Irani po bën, po”. /Telegrafi/