Pas viteve ’90, kultura e ryshfetit në Shqipëri u bë një dukuri e zakonshme. Percpetimi ishte që nëse nuk paguan nuk mbaron asnjë punë në administratë, nuk të shërbehet në spitale, apo në institucione të tjera.

Ndonëse vitet e fundit shumë shërbime janë online, të dhënat e fundit të Eurostat treguan se veprat penale të regjistruara për dhënie ryshfeti në Shqipëri për vitin 2024 mbeten të larta në raport me popullsinë.


Sipas Eurostat, në vitin 2024 u regjistruan 261 procedime penale për ryshfet, ose 10.9 procedime për 100 mijë banorë. Me këtë nivel, shqiptarët renditen të dytët në Evropë për dhënie ryshfeti në raport me popullsisë, pas Hungarisë, që ka një rekord prej 39 procedime për 100 mijë banorë.

Hungaria kryeson dukshëm renditjen, me 38.99 procedime për 100 mijë banorë, një nivel shumë më i lartë se të gjitha vendet e tjera. Hungaria është përballur prej vitesh me kritika ndërkombëtare për korrupsionin dhe dobësitë në zbatimin e masave kundër ryshfetit.

OECD ka shprehur shqetësim për nivelin e ulët të zbatimit të ligjit ndaj ryshfetit ndërkombëtar në Hungari dhe për mungesën e progresit në rekomandimet e mëparshme.

Megjithatë, Eurostat thekson se të dhënat për veprat penale të regjistruara nga policia duhet të interpretohen me kujdes, pasi ato ndikohen nga ndryshimet në legjislacion, mënyrat e regjistrimit, praktikat e raportimit dhe intensiteti i zbatimit të ligjit në secilin vend.

Në rastin e Hungarisë, niveli i lartë mund të lidhet edhe me mënyrën se si autoritetet regjistrojnë rastet e ryshfetit dhe me fokusin më të madh të organeve ligjzbatuese te kjo kategori veprash.

Në rastin e Shqipërisë, niveli i lartë i procedimeve për ryshfet lidhet me një kombinim faktorësh: prani të fortë të korrupsionit të vogël në shërbimet publike, kulturë të gjatë informaliteti dhe rritje të fokusit të institucioneve ligjzbatuese te veprat e korrupsionit.

Komisioni Evropian ka theksuar se korrupsioni mbetet një fushë serioze shqetësimi për Shqipërinë, pavarësisht progresit të reformës në drejtësi dhe rolit në rritje të SPAK në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Edhe të dhënat e Transparency International tregojnë se perceptimi për korrupsionin në sektorin publik mbetet problematik.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2024, Shqipëria mori 42 pikë nga 100 dhe u rendit e 80-ta globalisht, çka e vendos ende larg vendeve të Evropës Perëndimore.

Një studim i mëparshëm i UNODC dhe INSTAT për korrupsionin në Shqipëri tregonte se ryshfeti shihej nga shumë qytetarë si praktikë e zakonshme, ndërsa më pak se 1% e atyre që përballeshin me ryshfet e raportonin rastin, shkruan Monitor.

Në Shqipëri, që nga 2016-a kur raportohen të dhënat, numri më i lartë i procedimeve u shënua në vitin 2022 me 495 të tilla.

Në rajon, Shqipëria qëndron ndjeshëm më lart se vendet e tjera. Mali i Zi ka 4.01 procedime për 100 mijë banorë, Kosova 2.24, Serbia 1.83, Maqedonia e Veriut 1.2, ndërsa Bosnjë-Hercegovina nuk shfaqet në këtë grafik për këtë kategori. Diferenca e madhe e Shqipërisë me vendet fqinje tregon se ryshfeti mbetet një fenomen i pranishëm në marrëdhënien mes qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve publike.

Në vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore, procedimet për ryshfet janë shumë më të ulëta në raport me popullsinë. Italia ka 0.52 procedime për 100 mijë banorë, Portugalia 0.48, Zvicra 0.41, Danimarka 0.32 dhe Spanja vetëm 0.18.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se korrupsioni mungon, por tregon se ryshfeti i drejtpërdrejtë në shërbime të përditshme është më pak i përhapur ose më pak i regjistruar si vepër penale.

Në këto vende, korrupsioni shpesh shfaqet në forma më të sofistikuara, si konflikt interesi, ndikim në tendera, lobim i pandershëm apo favorizim në kontrata publike.

Ndërsa në vendet me institucione më të dobëta, ryshfeti mbetet më i prekshëm për qytetarin e zakonshëm, në shërbime administrative, shëndetësi, polici, arsim apo marrëdhënie me pushtetin vendor. /Monitor/