LAJMI I FUNDIT:

Euro 2008: Gjeneva, Zvicër

Euro 2008: Gjeneva, Zvicër

Derisa Kampionati Evropian i futbollit është në prag të fillimit, ndërsa tashmë keni lexuar mjaft mbi ekipet pjesëmarrëse, Telegrafi.com do të sjellë tek ju disa nga tetë qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet e kësaj gare mjaft të pritur nga futbolldashësit.

Qyteti


Pas Cyrihut, Gjeneva është vendi më i banuar në Zvicër dhe është qytet me më së shumti Romanda (pjesë të Zvicrës në të cilat flitet gjuha frënge). Gjeneva është qytet i njohur para së gjithash për shkak të numrit të madh të organizatave ndërkombëtare që gjenden në të, mes të cilave edhe baza kryesore e Kombeve të Bashkuara. Gjeneva është në listën e qyteteve me standard të lartë të jetës, ku kap vendin e dytë.

Pjesa jugperëndimore e liqenit të Gjenevës, ku lidhet me lumin Ron, është pjesa lindore e Zvicrës ku shtrihet edhe vetë qyteti. Rreth tij shtrihen dy vargje malore: Alpet dhe Jura.

Moti dhe natyra

Dimri në këtë qytet më së shpeshti është i ftohtë dhe me borë, ndërsa ndonjëherë edhe i mjegullt. Temperaturat mund të arrijnë edhe në -10 gradë Celsius. Koha e kthjellët është po ashtu karakteristike për Gjenevën, veçanërisht në muajin maj, kur temperatura është e ndryshueshme dhe dita mund të jetë me diell, ndërsa vetëm pas disa minutash mund të ketë shi që nxit edhe tollovi. Vera megjithatë është e ngrohtë me freski dhe sasi të vogla të kohës me shi, por jo me intensitet si në ditët e dimrit.

Gjeneva është po ashtu një prej qyteteve më të gjelbra në botë, falë numrit të madh të parqeve dhe një numri të madh të vendeve për pushim dhe relaksim.

Vendet për t’u vizituar

Në mes shenjave dalluese të këtij qyteti është edhe selia e Kombeve të Bashkuara, që mund të shihet dhe vizitohet në këtë qytet vetëm përmes grupeve turistike, për shkak të sigurisë së numrit të madhe të emrave të njohur ndërkombëtar të cilët punojnë atje.

Liqeni i Gjenevës, vlen po ashtu si një prej simboleve etiketuese të këtij qyteti. Në të gjendet statuja e Jet d’eau, edhe një shenjë dalluese e qytetit, që është 140 metra e lartë dhe në ndonjë mënyrë e tregon fuqinë hidraulike të qytetit.

Flower clock është një kopsht i mrekullueshëm, që rrethohet nga tufa të mëdha lulesh. Është i përbërë nga 6500 lule dhe disa herë në vit bëhet ndryshim i aranzhimit të tyre.

Ishulli i Rusoit është edhe një tipar interesant i qytetit, që është bërë në kujtim të filozofit nga Gjeneva, Jean-Jacques Rousseau, i cili ishull gjendet në lumin Ron dhe ofron një pamje të mrekullueshme kah qyteti, nëse gjendeni në një prej restoranteve të tij.

Popullata

Numrin prej 185 256 banorësh e përbëjnë kryesisht banorë të komunitetit protestant, të cilët më së shumti flasin gjuhën frënge. Qyteti i plotëson nevojat e popullatës me një transport të zhvilluar, që i ka të gjitha llojet e komunikacionit. Në sport më të njohura janë klubet futbollistike dhe ata të hokejit.

Stadiumi

Stadiumi i Gjenevës, i njohur në Evropë si Stade de Geneve, gjendet në pjesën jugore të qytetit. Ka një kapacitet prej 30 084 vendesh, ndërsa ndërtimi i tij kishte përfunduar në vitin 2003, tre vite pas fillimit të ndërtimit.

Stadiumi është fushë e klubit FC Servette, si dhe fushë nikoqire e ekipit kombëtar zviceran. Ai shpesh ka qenë vend i zhvillimit edhe të shumë ndeshjeve ndërkombëtare, siç ka qenë ndeshja mes Argjentinës dhe Anglisë në vitin 2005 (2-3), dhe ajo mes Zelandës së Re dhe Brazilit në vitin 2006 (0-4). Është shfrytëzuar edhe për ndeshje ragbi gjatë Kupës Heinneken të vitit të kaluar, 2006/2007.

Stadiumi i Gjenevës është nikoqir i tre ndeshjeve të grupit A:

Portugalia –Turqia (07 qershor – 20:45)
Çekia – Portugalia (11 qershor – 20:45)
Turqia – Çekia (15 qershor – 20:45)