LAJMI I FUNDIT:

Engel në takim me Xhaferin: Shoh ndryshime pozitive

Engel në takim me Xhaferin: Shoh ndryshime pozitive

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi sot e pranoi Eliot Engel, kryetarin e Komisionit për Politikë të Jashtme të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të SHBA.

Siç njoftojnë nga kabineti i kryetarit kryetarit të Kuvendit, Xhaferi uroi për marrjen e funksionit të kryesuesit të Komisionit për Politikë të Jashtme të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të SHBA dhe shprehu falënderim ndaj kongresistit  për rolin e tij të rëndësishëm, duke pasur parasysh se me prezencën dhe angazhimin e tij, ka dhënë kontribut të rëndësishëm në prosperitetin e rajonit dhe suksesin tonë në integrimin në NATO, njofton Telegrafi Maqedoni.


Kryetari Xhaferi i falënderoi edhe për letrën me të cilën ai dhe kongresisti Michael Mekol i janë drejtuar Sekretarit shtetëror të SHBA-ve Mike Pompeo për mbështetjen e vendi tonë në procesin e eurointegrimeve.

Vendi ynë, nënvizoi Xhaferi, deri tani dhe në të ardhme, në SHBA sheh partnerin strategjik më të rëndësishëm i cili në vazhdimësi na mbështet në çdo plan, jo vetëm ne por gjithë rajonin.

Engel në anën e vet, e theksoi rolin e trupave ligjvënës në zhvillimin e vendeve të veta. Gjithashtu, e përsëriti mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve për anëtarësimin në NATO të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me ç’rast uroi për përcaktimin e shtetit tonë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe për guximin e demonstruar gjatë marrjes së vendimeve të vërteta në drejtim të zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura.

Lëvizjet pozitive që i shoh, vazhdoi Engel, sugjerojnë se Republika e Maqedonisë së Veriut lëviz në kahun e duhur.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve janë në nivelin më të lartë prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe në vazhdimësi e përcjellin vijën përpjetë./Telegrafi/