LAJMI I FUNDIT:

Emigrimi nga Shqipëria, mbi 50 për qind e lejeve të qëndrimit në BE gjatë 2020-së u dhanë për të rinjtë nën moshën 19 vjeç

Emigrimi nga Shqipëria, mbi 50 për qind e lejeve të qëndrimit në BE gjatë 2020-së u dhanë për të rinjtë nën moshën 19 vjeç

Të rinjtë shqiptarë të moshës nën 19-vjeç po marrin pjesën më të madhe të lejeve të qëndrimit që po jepen nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për shtetasit jashtë bllokut, ku rekordin po e mbajnë fëmijët nën 4 vjeç.

Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2020 u dhanë gjithsej 19.5 mijë leje qëndrimi për arsye familjare për shtetasit shqiptarë, në një nga vendet e BE-së. Nga këta, 52 për qind ishin të moshës nën 19 vjeç nga 48 për qind që ishte kjo peshë vitin e mëparshëm.


Gati 30 për qind e totalit të lejeve të dhëna ishin për fëmijët nën 4 vjeç, një tregues ky që po largohen kryesisht familjet e reja. Vitin e kaluar kjo peshë ishte 24 për qind.

Rreth 10 për qind e lejeve të qëndrimit për arsye familjare u dhanë për fëmijët nga 5-9 vjeç, 7.2 për qind për grupmoshat nga 10-14 vjeç. Për të rinjtë nga 15-19 vjeç u dhanë rreth 5 për qind e totalit.

Italia, Greqia dhe Gjermania po japin pjesën më të madhe të lejeve për fëmijët nën 4 vjeç. Ndërsa Italia dhe Greqia kanë qenë destinacione tradicionale të emigrantëve, Gjermania po rritet vitet e fundit, kryesisht për shkak të personave që po ikin me leje pune në shtetin me ekonominë më të madhe në Evropë.

E dyta në Evropë për peshën e lartë të fëmijëve nën 15 vjeç që morën leje qëndrimi

Sipas hartës së Eurostat, Shqipëria është e dyta në Evropë për peshën e lartë të fëmijëve nën 15 vjeç që morën leje qëndrimi nga shtetet jo të BE-së me 18 për qind, shumë afër me Ukrainën që ishte e para me 19 për qind. E treta është Kosova me 11 për qind, e ndjekur nga Rusia me 11 për qind dhe Bosnja e Hercegovina me 10 për qind.

Eurostat thotë se në vitin 2020, në total 211 mijë fëmijëve (të moshës më pak se 15 vjeç) që nuk ishin shtetas të BE-së, iu dha leja e parë e qëndrimit në BE për arsye që lidhen me krijimin dhe ribashkimin e familjes, që përfaqëson 68 për qind të të gjitha lejeve të para të dhëna për fëmijët në BE. 96 mijë leje të tjera të para iu dhanë fëmijëve për arsye të tjera, duke përfshirë mbrojtjen ndërkombëtare, ndërsa rreth 4,000 u dhanë për arsye të lidhura me arsimin.

Numri i lejeve të para të qëndrimit të dhëna fëmijëve për arsye familjare korrespondon me një raport prej 386 për 100 mijë banorë së fëmijëve të BE-së nën 15 vjeç. Midis këtyre fëmijëve, 61 për qind ishin të moshës më pak se 5 vjeç.

Shtetet anëtare që dhanë numrin më të madh të lejeve të tilla ishin Gjermania me 44,400 leje ose 21 për qind, e ndjekur nga Spanja me 43,400 leje ose 21 për qind, Italia me 31,500 leje ose 15 për qind dhe Suedia me 20,800 ose 10 për qind.

Në terma relativë, raporti i lejeve të tilla të lëshuara për 100 mijë fëmijë ishte më i lartë në Suedi me 1,136 për 100 mijë fëmijë nën 15 vjeç, Slloveni me 1,109, Luksemburg me 943 dhe Portugali me 893. Në të kundërt, raporti më i ulët i lejeve për herë të parë të qëndrimit për 100 mijë fëmijë ishte në Irlandë me 17.

Sipas flukseve dypalëshe midis Shteteve Anëtare dhe vendeve të treta në vitin 2020, tre flukset kryesore të fëmijëve të moshës më pak se 15 vjeç që iu është lëshuar një leje familjare ishin midis Marokut dhe Spanjës me 20,900 fëmijë, Brazilit dhe Portugalisë me 7,300 dhe Siria dhe Gjermania me 6,500.

Që nga viti 2021 janë rreth 283 mijë shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi për arsye familjare në një nga vendet e Bashkimit Evropian.

Në vitin 2019 u shënua numri më i lartë i lejeve totale të qëndrimit, që nga 2010-ta, me rreth 35 mijë, duke reflektuar valën e re të emigracionit që nisi pas 2016-së.

Në 2020-në, lejet kanë me 445 si rrjedhojë e situatës dhe kufizimeve të krijuara nga pandemia. /Monitor/