Ellie Goulding akuzon ish-menaxherët për konflikt interesi

Këngëtarja britanike, Ellie Goulding, ka ngritur padi ndaj ish-menaxherëve të saj, Ben Mawson dhe Ed Millett, duke pretenduar se një konflikt i mundshëm interesi mund ta ketë privuar nga marrëveshje më fitimprurëse për turne, produkte promocionale dhe projekte filmike.
Mawson dhe Millett, bashkëthemelues të kompanisë TaP Management, e menaxhuan Goulding nga viti 2018 deri në 2025 dhe, sipas padisë, merrnin 20 për qind komision.
Gjatë kësaj periudhe, këngëtarja nënshkroi marrëveshje për turne, produkte promocionale dhe një dokumentar me kompani të grupit Live Nation.

Goulding pretendon se nuk ishte informuar se kompania mëmë e TaP, HNOE, fillimisht ishte pjesërisht dhe më pas tërësisht në pronësi të Live Nation.
Sipas padisë, kjo krijonte një konflikt interesi, pasi ish-menaxherët e saj kishin detyrime kontraktuale që mund t’i pengonin të rekomandonin kompani rivale ose të këshillonin artistët të reduktonin bashkëpunimin me Live Nation.

Këngëtarja kërkon kompensim dhe/ose dëmshpërblim, por shuma nuk është bërë publike.
TaP Management është themeluar në vitin 2010 nga Mawson dhe Millett dhe ka përfaqësuar artistë të njohur si Dua Lipa dhe Lana Del Rey.

Goulding tashmë është rikthyer te menaxherja Sarah Stennett dhe ka nënshkruar me WME për përfaqësim ndërkombëtar.
Padia vjen pak javë para publikimit të albumit të saj të gjashtë në studio, “I Know Too Much”, i cili pritet të lansohet më 4 shtator. /Telegrafi/












































