LAJMI I FUNDIT:

Ekspozita kinologjike do të mbahet në Prishtinë me datën 25 dhe 26 nëntor

Ekspozita kinologjike do të mbahet në Prishtinë me datën 25 dhe 26 nëntor

Gjatë këtyre ekspozitave, adhuruesit dhe mbarështuesit e qenve vizitojnë Kosovën së bashku me qentë e tyre.

Ata udhëtojnë me mijëra kilometra që të marrin pjesë në ekspozitat e organizuara nga Federata Kinologjike e Kosovës.

Në këto ekspozita mund të marrin pjesë të gjithë ata qen që janë të racave të pastra dhe të pranuara nga FCI (Federation Cynologique International), në të cilën Federata e Kosovës është anëtare.

Kriter tjetër për pjesëmarrje është posedimi i gjeanologjisë apo pedigresë së qenit.

Këto ekspozita mund të kenë karakter kombëtar dhe quhen CAC (Certificat d’Aptitude au Championnat) apo karakter kombëtar dhe quhen CACIB  (Certificat d’Aptitude au Championnat International de Beauté de la FCI).

Ekzistojnë edhe specialet e racave të ndryshme apo grupeve të ndryshme sipas FCI.

Së paku 1 herë në vit FKK organizon speciale të racës sonë autoktone, Deltari Ilir dhe Qen T’bani shqiptar.

Ekspozitat e kanë stafin organizativ, gjyqtarët kinologjikë, udhëheqësit e ringjeve dhe sekretarët e ringjeve.

Gjithashtu ekziston komisioni vëzhgues.

Para ekspozitave mbahen mbledhje të federatës ku trajnohet secili që ta kryejë detyrën e vet në mënyrë sa më precize.

I gjithë stafi organizativ është njohës i kinologjise dhe rregullores së ekspozitave, që e përcakton FCI.

Gjyqtarët rinologjikë luajnë rol të rëndësishëm sepse janë ata që me dijeninë e vet do t’i zgjedhin qentë më të mirë apo ata qen që i afrohen më së shumti ideales së racës – gjithmonë sipas standardit të racës së vet.

Gjyqtarët kinologë vijnë nga Kosova apo edhe nga vende tjera të botës.

Si pjese më atraktive e garës është programi “Best in Show”, ku garojnë qentë më të mirë të kategorive të ndryshme varësisht prej moshës. Gjate programit, qentë fitues shpërblehen me rozeta, ndërsa 3 qentë më të mirë të kategorisë Junior dhe 3 qentë më të mirë të kategorisë së të rriturve shpërblehen me pehar.

Federata Kinologjike e Kosovës organizon deri në 12 shfaqje në vit, në Pejë, Rugovë, Gjilan dhe Prishtinë. Këto gara janë gara të bukurisë.

Nga viti 2020, FKK do të filloj me organizimin e garave për qen pune dhe qen të gjuetisë.

Regjistrimi bëhet online duke klikuar KËTU dhe është i hapur deri më datën 25 nëntor. /Telegrafi/