LAJMI I FUNDIT:

​Ekspertët e ekonomisë: Qytetarët e bizneset s’përfitojnë nga çmimi tavan i karburanteve

​Ekspertët e ekonomisë: Qytetarët e bizneset s’përfitojnë nga çmimi tavan i karburanteve

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për caktimin e tavanit të çmimeve për karburantet nga dita e hënë, do të jetë i vështirë i zbatueshëm, por edhe me efekte negative sa i përket ambientit biznesor në Kosovë.

Kështu ka vlerësuar ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, derisa ka thënë se me këtë vendim nuk do ketë lehtësi as për qytetarët.

Në anën tjetër, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, nuk janë përgjigjur për KP nga se si do ta mbikëqyrin tregun dhe cili do të ketë efekti i këtij vendimi, raporton KosovaPress.

Ndërsa, disa qytetarë nuk janë kënaqur me këtë vendim, ata kërkojnë zbritje më të madhe të çmimeve të karburanteve.

Qytetari Ermal Ismajli thotë se vendimi i qeverisë reflekton shumë pak në çmimet aktuale të karburanteve.

“Kam dëgjuar. Kjo është jo diçka që reflekton në çmimin aktual 1,85 euro. Është një çmim që thuajse edhe ka qenë. Kështu që nuk e shoh shumë të arsyeshme që ka bërë ndryshim shumë të madh në financat tona”, thekson Ismajli.

Qytetari tjetër Përparim Pacolli ka mirëpritur vendimin për caktimin e çmimeve tavan për derivate, por thotë se ende mbeten këto çmime të larta marrë për bazë pagat e ulëta në vend.

“Tash e pash që ka rënë 1,85 euro dhe u gëzova. Megjithatë, çmimi është shumë i lartë. Kjo po shihet edhe me zvogëlimin e automjeteve në qarkullim, pasi që çmimi është i papërballueshëm. Duhet zbritur edhe më shumë, sepse nuk kemi standarde, pagat janë shumë të vogla krahasuar me Evropë”, tha ai.

Për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve, eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu ka kërkuar nga Qeveria heqjen e akcizës dhe uljen e TVSH-së për një kohë të caktuar.

“Në këtë drejtim rekomandimet e ekspertëve kanë qenë shumë të qarta, për të marrë module dhe shembuj nga vendet e rajonit dhe ato evropiane që të ndikohet në ulje të çmimit të naftës. Për fat të keq një gjë e tillë ka hasur në vesh të shurdhër. Vendet dhe praktikat e avancuara, janë në rend të parë ngrirja e akcizës për një periudhë kohore tre mujore, 5-mujore apo 6. Në rend të dytë është lëvizja me TVSH, por për fat të keq të gjitha këto, kanë hasur në vesh të shurdhër. Dhe është sjell një vendim, i cili do të jetë i vështirë për t’u zbatuar, por edhe në qoftë se zbatohet, do të ketë efekte negative sa i përket ambientit biznesor në Kosovë. Në rend të parë do të rritet informaliteti, në rend të dytë do të ketë mundësi të reduktimit të të punësuarve dhe në rend të tretë, në qoftë se sot në Porto Romano një litër naftë është 1.78 euro dhe paguan 12 centë për pakicë dhe dy centë për shumicë, çmimi final do të vijë në 1.91 euro. Atëherë lind pyetja, çka fiton qytetari dhe kush kujdeset sot për qytetarin dhe bizneset”, tha ai.

Eksperti i ekonomisë po kërkon të analizohet vendimi i fundit i qeverisë, sepse sipas vlerësimeve të tij, në këtë kohë Qeveria ka një fitim nga akciza dhe TVSH-ja e naftës.

“Nëse kemi këtë fitim të qeverisë nga akciza dhe TVSH-ja për më tepër se 64 për qind, zgjidhja më e duhur do të ishte të kemi lëvizje në këtë drejtim, të rritet inspektimi, të kemi një avancim të komunikimit mes ATK-së, Doganës dhe Ministrisë së Tregtisë, që inspektorati ta thotë fjalën e vet, sepse kam drojë që përveç shumë efekteve tjera negative, do të kemi edhe efekte negative sa i përket kualitetit. Prandaj, duhet të analizohet një vendim i tillë dhe kam drojë që është një vendim i përshpejtuar, i cili do ta rrezikojë më tepër këtë sektor të fuqishëm të ekonomisë kosovare… Shumë më tepër sot shfrytëzohet kjo krizë aktuale për të rritur buxhetin qeveritar se sa për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset, andaj nëse vërtet mendohen të krijohen politika ekonomike afirmative, duhet të mendohet më tepër për qytetarët dhe bizneset, sepse me këtë që është duke dominuar, nuk ka lehtësi për qytetarë dhe bizneset. Ka vetëm rritje të fitimit të qeverisë në emër të kontrollit dhe ngritjes së çmimit të derivateve të naftës”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani vendimi i qeverisë duhet të respektohet dhe është duke u respektua, sipas tij, vendimi ka gabime ne kalkulim te çmimit.

“Vendimi i qeverisë duhet të respektohet dhe është duke u respektuar, por vendimi ka gabime në kalkulim të çmimit. Shpresojmë se në ditët në vijim do të përmirësohet”, tha Berjani në një përgjigje me shkrim.

Në Prishtinë, operatorët e naftës shihet se janë duke respektuar vendimin. Ndërsa, në disa qytete të vendit tonë, sipas fotove të dërguara nga qytetarët në KosovaPress, disa biznese nuk kishin ulur çmimet.

Ministria e Industrisë ka njoftuar sot para orës 10:00 për 24 orët e ardhshme çmimin maksimal të lejuar të produktit, dizel është 1,85 euro për litër, derisa çmimi maksimal i lejuar i produktit benzinë është 1,74 euro. Ndërkaq, çmimi maksimal i lejuar i produktit gaz është 0,78 euro për litër.KP/Telegrafi