Ekonomia britanike u tkurr në tremujorin e dytë të vitit, për herë të parë që prej 2012-s, një sinjal negativ ky teksa vendi bëhet gati të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor.

Sipas mediave ndërkombëtare, sterlina ra në nivelin më të ulët të 31 muajve të fundit kundrejt dollarit, pasi të dhënat tregonin se të ardhurat në ekonominë e pestë më të madhe në botë ranë me 0.2 për qind në tre muajt e dytë të vitit, krahashuar me ato të tremujorit të mëparshëm.

Me qeverinë e Boris Johnsonit që është zotuar të largohet nga BE-ja në datën e caktuar, me apo pa një marrëveshje tranzicioni, parashikimi për pjesën tjetër të 2019-s është i pasigurt. Rritja ekonomike ndërkohë ka rënë në 1.2 nga 1.8 për qind që ishte në tremujorin e parë, konfirmoi zyra britanike e statistikave.

Sipas ekspertëve, nuk ka vend për dyshim se ekonomia po hyn në ngërç, pavarësisht se të dhënat nuk janë shumë të qëndrueshme. Në këto rrethana, kanë shtuar ata, ekonomia britanike mbetet në buzë të humnerës sa i takon ecurisë së saj në tremujorin e tretë.

Kjo, nisur nga fakti se rritja ekonomike në qershor ishte më e dobëta që prej gushtit të vitit 2013, vetëm 1 për qind. Situatës së vështirë i shtohet edhe pasiguria e shkaktuar nga lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. /Telegrafi/