eksperti-banner

Ndeshja e fundit e raundit të dytë në Grupin G të Kupës së Botës solli një moment historik për Egjiptin. Përfaqësuesja afrikane përmbysi rezultatin ndaj Zelandës së Re dhe triumfoi me shifrat 3-1, duke regjistruar fitoren e parë në historinë e saj në Kupën e Botës.

Me këtë sukses, Egjipti mori kryesimin e grupit me katër pikë, përpara Iranit dhe Belgjikës, ndërsa Zelanda e Re mbetet e fundit.


Takimi nisi me ritëm të lartë dhe ishte Zelanda e Re ajo që u tregua më e rrezikshme në minutat e para. Singh provoi në minutën e shtatë, ndërsa në të 14-ën Just pati një rast të shkëlqyer, por portieri egjiptian reagoi në mënyrë vendimtare.

Epërsia erdhi një minutë më vonë, kur Surman shfrytëzoi një goditje nga këndi dhe dërgoi topin me kokë në rrjetë për 1-0.

Egjipti reagoi gradualisht dhe u përpoq të rrezikonte kryesisht përmes Mohamed Salah. Sulmuesi i Liverpoolit pa një goditje t’i bllokohej, ndërsa më vonë provoi edhe nga një goditje dënimi, por pa sukses. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Zelandës së Re.

Në fraksionin e dytë, egjiptianët ndryshuan fytyrë dhe morën kontrollin e lojës. Në minutën e 59-të, Ziko barazoi shifrat me një goditje me kokë pas një aksioni nga krahu i djathtë. Vetëm nëntë minuta më vonë erdhi përmbysja. Këtë herë Ziko shërbeu si asistues, ndërsa Mohamed Salah kontrolloi topin në zonë dhe me një goditje të saktë me të majtën realizoi për 2-1.

Fitorja historike e Egjiptit u vulos në minutën e 82-të nga Mahmoud Trezeguet. Sulmuesi që kishte hyrë nga stoli mbeti i lirë pas një harkimi nga këndi i Mohamed Salah dhe me kokë dërgoi topin në rrjetë për rezultatin përfundimtar 3-1, duke siguruar një triumf që do të mbetet përgjithmonë në historinë e futbollit egjiptian. /Telegrafi/

telegrafi sport app