eksperti-banner

Egjipti e nisi rrugëtimin e tij në Kupën e Botës 2026 me një barazim 1-1 ndaj Belgjikës në Grupin G. Përveç yjeve si Mohamed Salah dhe Omar Marmoush, skuadra afrikane ka tërhequr vëmendje edhe për disa emra të pazakontë në listën e saj.

Në kombëtaren egjiptiane gjenden lojtarë me emrat Trezeguet, Dunga dhe Zico. Në shikim të parë, këta emra të kujtojnë legjenda të futbollit francez dhe brazilian, por në realitet bëhet fjalë për futbollistë egjiptianë që mbajnë nofka të veçanta.


Trezeguet quhet Mahmoud Ahmed Ibrahim Hassan, Dunga është Nabil Emad, ndërsa Zico quhet Mostafa Mohamed Zaki Abdelraouf.

Në Egjipt, nofkat janë pjesë e kulturës së futbollit dhe shpesh bëhen më të njohura se vetë emrat e lojtarëve. Ato përdoren jo vetëm në fanella, por edhe në profilet zyrtare, në mediat sportive dhe madje edhe në listat e FIFA-s.

Si lindi “Trezeguet”?

Mahmoud Hassan mori nofkën “Trezeguet” kur ishte vetëm nëntë vjeç në akademinë e Al Ahlyt në Kajro.

Trajneri i tij, Badr Ragab, mendonte se ai i ngjante legjendës franceze David Trezeguet, jo vetëm për modelin e flokëve, por edhe për instinktin e tij të jashtëzakonshëm për të shënuar gola.

“Që kur iu bashkua ekipit tonë, ai gjithmonë shënonte më shumë se të tjerët. Ngjante shumë me Trezeguet dhe ishte i shkëlqyer në lojën në ajër”, ka kujtuar trajneri i tij.

Më vonë, Trezeguet ndërtoi një karrierë të suksesshme në Evropë, veçanërisht në Turqi me Kasimpasan dhe Trabzonsporin. Ai provoi gjithashtu futbollin në Liga Premier me Aston Villan.

Sot ai konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të kombëtares së Egjiptit dhe është zëvendëskapiten pas Mohamed Salahut.

Dunga i Egjiptit

Mesfushori Nabil Emad njihet prej vitesh me nofkën “Dunga”.

Emri iu vendos nga ish-drejtori sportiv i Pyramids FC, Wael Habib, i cili ishte një admirues i madh i legjendës braziliane Dunga dhe mendonte se stili i lojës së Emadit i ngjante atij.

Si mesfushor mbrojtës luftarak dhe me shumë energji, ai fitoi shpejt nofkën që e shoqëron edhe sot.

Dunga ka zhvilluar mbi 150 ndeshje me Pyramids dhe më pas mbi 120 me Zamalekun, duke u bërë një nga mesfushorët më të njohur në futbollin egjiptian.

Historia prekëse e Zicos

Nofka “Zico” ka një histori krejt tjetër.

Babai i Mostafa Mohamed Zaki Abdelraouf ishte një tifoz i madh i futbollit brazilian dhe përdorte emrat e futbollistëve të famshëm për djemtë e tij.

Fillimisht nofkën e mbante vëllai i madh, por më vonë Mostafa u bë i njohur si “Zico i vogël”.

“Si fëmijë shikonim videot e Zicos dhe përpiqeshim ta imitonim. Më pas nofka mbeti përgjithmonë”, ka treguar futbollisti.

Sot, në moshën 29-vjeçare, ai po përjeton momentin më të madh të karrierës, pasi është pjesë e skuadrës së Egjiptit në Kupën e Botës 2026.

Beckham, Nedved dhe madje Obama

Lista e nofkave të pazakonta në futbollin egjiptian nuk përfundon me kaq.

Karim Walid njihet si “Nedved”, ndërsa Ahmed Ramadan mban nofkën “Beckham”, edhe pse luan si mbrojtës qendror. Arsyeja është se si fëmijë ai ishte specialist i goditjeve standarde dhe trajnerët e krahasuan me David Beckhamin.

Një tjetër rast interesant është Youssef Ibrahim, i njohur gjerësisht si “Obama”. Nofka iu vendos gjatë futbollit të të rinjve për shkak të ngjashmërisë fizike me ish-presidentin amerikan Barack Obama.

Po Zidane?

Shumë tifozë kujtojnë edhe Mohamed Zidanin, ish-sulmuesin e Borussia Dortmundit, Mainzit dhe Hamburgut.

Megjithatë, ndryshe nga rastet e tjera, mbiemri i tij nuk ishte nofkë. Emri i tij i plotë ishte Mohamed Abdallah Zidan dhe fjala “Zidan” është një emër i zakonshëm arab, pa lidhje me legjendën franceze Zinedine Zidane.

Pavarësisht kësaj, vetë futbollisti ka pranuar se si fëmijë shikonte videot e Zidane dhe përpiqej të imitonte lëvizjet e njërit prej futbollistëve më të mëdhenj në histori.

Kështu, përveç emrave të mëdhenj si Salah dhe Marmoush, kombëtarja e Egjiptit sjell në Kupën e Botës 2026 edhe një koleksion unik nofkash që e bëjnë futbollin egjiptian një nga më interesantët dhe më të veçantët në botë. /Telegrafi/

telegrafi sport app