Tom Ford, i lindur më 27 gusht 1961 në Austin të Teksasit, është një nga emrat më të njohur të industrisë së modës, i lidhur me luksin, glamurin dhe stilin provokues.

Edhe pse studioi arkitekturë në Parsons School of Design, ai shumë shpejt iu përkushtua modës dhe në vitin 1990 u transferua në Milano, ku iu bashkua Gucci-t.


Në vitin 1994, Ford u bë drejtor kreativ i Gucci-t, në një kohë kur marka po përballej me vështirësi të mëdha financiare.

Tom Ford

Me një estetikë të guximshme, fushata provokuese dhe dizajne luksoze, ai arriti ta transformojë imazhin e shtëpisë së modës.

Brenda pak vitesh, shitjet u rritën ndjeshëm dhe Gucci u shndërrua në një prej markave më të fuqishme të luksit.

Pas largimit nga Gucci Group në vitin 2004, Ford krijoi markën Tom Ford, e cila u zgjerua në veshje, aksesorë, syze, kozmetikë dhe parfume.

Krijimet e tij u preferuan nga shumë yje botërorë, teksa gjithashtu projektoi kostumet e Daniel Craig për katër filma të serisë “James Bond”.

Tom Ford

Në vitin 2022, Estee Lauder bleu biznesin e bukurisë Tom Ford për 2.8 miliardë dollarë, gjersa Ford u tërhoq nga posti i drejtorit kreativ në vitin 2023.

Përveç modës, ndërtoi edhe një karrierë në kinematografi. Filmi i tij debutues si regjisor, “A Single Man”, u prit mirë dhe i solli Colin Firth nominim për Oscar.

Më vonë, Ford realizoi edhe “Nocturnal Animals”, i cili fitoi Çmimin e Madh të Jurisë në Festivalin e Filmit në Venecia.

Në jetën private, Ford kaloi më shumë se tri dekada me Richard Buckley.

Ata u martuan në vitin 2014 dhe kishin një djalë, të lindur përmes një nëne surrogate.

Buckley ndërroi jetë në vitin 2021 pas një sëmundjeje të gjatë.

Gjatë karrierës së tij, Tom Ford ka fituar çmime të shumta dhe periudha e tij në Gucci konsiderohet një nga transformimet më të rëndësishme në historinë e modës moderne. /Telegrafi/