Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mohuar se transferet e parave nga Kosova drejt Mbretërisë së Bashkuar përbëjnë ndonjë parregullsi, duke deklaruar se bëhet fjalë për transaksione ndërmjet llogarive të tij bankare.

Rama është pyetur për këtë çështje një ditë pasi asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë kanë dorëzuar materiale në hetuesi, të cilat, sipas tyre, ua ka përcjellë një sinjalizues anonim.


Sipas pretendimeve të asamblistëve të LVV-së, në materialet e dorëzuara përmenden transfere të shumave të konsiderueshme të parave nga një llogari bankare në Kosovë drejt një llogarie në Britani të Madhe.

Ata kanë pretenduar gjithashtu se lidhur me këto transfere kanë nisur hetime nga autoritetet e Kosovës dhe ato britanike.

I pyetur lidhur me pretendimet, Rama ka thënë se ka llogari bankare në të dyja shtetet dhe se transaksionet janë bërë ndërmjet llogarive të tij.

“Unë kam banka edhe këtu edhe atje, d.m.th. transferet bankare janë totalisht legjitime dhe nuk ka asnjë problem. Janë prej kontos time në konton time”, ka deklaruar Rama.

Pretendimet për transferet janë bërë publike nga drejtuesi i grupit të asamblistëve të LVV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla, i cili një ditë më parë tha se në Prokurori kanë dorëzuar materiale të pranuara nga një person që prezantohet si punëtor i Komunës së Prishtinës.

Sveçla tha se materiali lidhet kryesisht me pretendime për legalizime të paligjshme në Komunën e Prishtinës, ndërsa në të, sipas tij, përmenden biznese, zyrtarë dhe shkelje të pretenduara ligjore.

Ai deklaroi se dokumentet përmbajnë edhe pretendime për transfere të shumave të mëdha të parave nga Kosova drejt Anglisë.

Sipas Sveçlës, personi që ka përcjellë materialet ka pretenduar se për këto transfere kanë nisur hetime edhe autoritetet angleze, edhe Prokuroria e Kosovës.

Ndërkaq, lidhur me pjesën tjetër të materialeve, Sveçla ka pretenduar se disa prej objekteve të legalizuara kanë pasur probleme të ndryshme ligjore, duke përmendur edhe raste kur, sipas tij, objektet janë ndërtuar në pronë publike.

Pretendimet e bëra nga asamblistët e LVV-së janë dorëzuar për hetim, ndërsa Rama i ka cilësuar transferet e përmendura si transaksione të ligjshme ndërmjet llogarive të tij bankare. /Telegrafi/